2015-12-07 15:55:00

Papa lidhet me Asizin: Krishtlindje do të thotë ta hapësh zemrën për të falur


T’ia hapim zemrën mëshirës, përballë kërdive të emigrantëve në det, që nuk falen lehtë: kështu u shpreh Papa Françesku në video-lidhje me Asizin për ndriçimin simbolik të Shpellës së Betlehemit dhe të Bredhit të Krishtlindjes, vendosur para Bazilikës së Poshtme të Shën Françekut të Asizit, kushtuar emigrantëve. Papa falënderoi edhe Italinë për mikpritjen e refugjatëve.

Sivjet në Asizi Shpella simbolike e Betlehemit është një barkë që, më 13 mars 2014, u shpëtoi jetën nëntë emigrantëve, që u nisën nga Tunizia e zbitën në Lampeduzë. U kushtohet të gjithë emigrantëve. Familja Shenjte është në qendër të barkës, e rrethuar me  breza shpëtimi  dhe e mbrojtur nga një Bredh i madh Krishtlindjeje, dhuruar qytetit të Shën Françeskut nga Rajoni i Lombardisë.

Zoti është më i fortë se vdekja: t’ia hapim zemrën mëshirës

Përmes video-lidhjes së drejtpërdrejtë nga Vatikani, Papa ndezi simbolikisht, me një qiri,  dritat e dy simboleve të Krishtlindjes. Duke kujtuar gjithë të mbyturit në det, nënvizoi: “Zoti erdhi për të na dhënë shpresë, për të na kujtuar që Ai është më i fortë se vdekja, më i madh se çdo ligësi, se është mëshira e pambaruar:

“Në këto Krishtlindje ju ftoj ta hapni zemrën për mëshirën, për faljen. Po nuk është aspak e lehtë të falen këto kërdi. Nuk është e lehtë!”.

Më pas Papa e falënderoi Italinë duke e paraqitur si shembull solidariteti për mbarë botën. E, duke kujtuar refugjatët dhe emigrantët, theksoi se Zoti është gjithnjë pranë tyre.   

Krishtlindja, ledhatim i Zotit.

Në këtë kremtim ishin të pranishëm 31 refugjatë, ardhur nga Afganistani, Kameruni, Nigeria, Siria, të mbështetut të gjithë, nga Karitasi i Asizit. Atyre Papa u foli drejtpërdrejt,  me fjalët e Profetit:

“Gjithë refugjatëve u them një fjalë, atë të Profetit: ngrejeni kokën lart, Zoti është afër. E, me Të, edhe forca, shpëtimi, shpresa”.








All the contents on this site are copyrighted ©.