Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa kujtoi se i ndjek me vëmendje të madhe punimet e Konferencës kushtuar klimës, që vijon në Paris. Ja edhe fjalët e Françeskut:
“I ndjek me vëmendje të madhe punimet e Konferencës mbi klimën, që vijon në Paris e më vjen në mendje pyetja, që kam bërë në Enciklikën ‘Lëvduar qofsh’: ‘Çfarë tip bote duam t’u lëmë atyre, që do të vijnë pas nesh, fëmijëve, që po rriten sot?’ (n 160). Për të mirën e shtëpisë së përbashkët të të gjithëve e të breznive të ardhshme, në Paris duhet bërë çdo përpjekje për t’i pakësuar ndikimet e ndryshimeve klimaterike e, njëkohësisht, për t’iu kundërvënë varfërisë, duke krijuar kushtet e lulëzimit të dinjitetit njerëzor. Të dyja rrugët shkojnë bashkë: t’i frenosh ndryshimet klimaterike e t’i kundërvihesh varfërisë, për të lulëzuar dinjiteti njerëzor. Lutemi që Shpirti Shenjt t’i shndrisë ata, që janë të thirrur të marrin vendime kaq të rëndësishme e t’u japë guxim të kenë gjithnjë si kriter kryesor ç’është më e mirë për mbarë familjen njerëzore”.
All the contents on this site are copyrighted ©. |