2015-12-05 18:13:00

Françesku shkollave katolike: Hapini portat për të gjithë


Papa Françesku shkollave katolike: “Hapini portat për të gjithë e mos e ulni kurrë çmimin e vlerave e krishtera. Formojini fëmijët e të rinjtë me vlera njerëzore e ungjillore, pa ideologji e pa retorikë”. Audienca në Vatikan, me rastin e 40-vjetorit të Shoqatës së prindërve të shkollave katolike.

“Shkolla katolike të jetë e hapur për të gjithë e t’i edukojë fëmijët e të rinjtë  me vlerat më të vërteta  njerëzore e ungjillore, pa ideologji e pa retorikë”. Është ftesa e Papës drejtuar Shoqatës së prindërve të shkollave katolike (Agesc), gjatë audiencës, mbajtur sot në Vatikan, me rastin e 40-vjetorit  të themelimit të organizmit. Shkollat private, shtoi Françesku, nuk e ulin kurrë çmimin e identitetit të  tyre, edhe në kohë krize, që krijonë probleme serioze.

Pakti edukativ është shkelur

Françesku vuri theksin sidomos, mbi edukimin sipas ndërgjegjes dhe mbi gjithëpërfshirjen. Kërkoi t’u bëhet vend të gjithëve, pa përzgjedhje elitash. E sidomos, kërkoi të hidhen ura, që e lidhin shkollën me territorin,  shkollën me familjen, shkollën me institucionet civile:

“Të rikrijohet pakti edukativ, sepse pakti edukativ është rrënuar! E duhet ta rikrijojmë! Të hedhim ura: nuk ka sfidë më të fisme! Të krijosh bashkim,  ku ka përçarje e të përftosh harmoni, ku duket se ka epërsi logjika e përjashtimit dhe e mënjanimit”.

Sfida mund të përballohet me vetëdije. Fitohet, kujton Françesku, nëse bashkësia edukuese, pedagogët, studentët, prindërit, jetojnë si protagonistë të procesit edukativ.

Të jeni, i nxiti Papa prindërit, jo jashta botës, por gjithë gjallëri, si tharmi në brumë.

Vëmendje ndaj njeriut, jo retorikës

Papa i ftoi mësues e prindër të jenë të vemendshëm ndaj njeriut, larg çdo retorike e të gjejnë mënyra e rrugë, që të mos kalojnë pa u vërejtur fare duke mbetur prapa kuintave të shoqërisë e të kulturës:

“Duhet të dalloheni për vëmendjen ndaj njeriut, posaçërisht ndaj njerëzve më të fundëm, më të përjashtuar, më të harruar. E jo për t’u dukur, por për  koherencën edukative, që është e rrënjosur në vizionin e krishterë mbi njeriun e shoqërinë”.

Mos e ulni kurrë çmimin e vlerave e krishtera  

E me që gjithçka kushton, vijoi Papa, e kriza peshon rëndë mbi shkollat private, shumë prej tyre detyrohen të mbyllin portat. Kështu tundimi i numrave del në plan të parë e, me të, edhe çkurajimi:

“Por, pavarësisht nga të gjitha, ju përsëris: dallimi bëhet përmes cilësisë së pranisë suaj, jo sasisë së burimeve, që mund të përdoren. Mos ua ulni kurrë çmimin vlerave njerëzore e të krishtera, dëshmitarë të të cilave jeni në familje, shkollë, shoqëri. Jepni bujarisht kontributin tuaj që shkolla katolike të mos bëhet kurrë ‘rrugëdalje’, ose alternativë e papërfillshme, ndërmjet institucioneve të ndryshme shkollore”.








All the contents on this site are copyrighted ©.