2015-12-04 14:53:00

Jubileu: Papa shton një audiencë të përgjithshme, një të shtunë në muaj


Me rastin e Jubileut të Mëshirës, Papa Françesku do ta mbajë audiencën e përgjithshme jo vetëm të mërkurave, si zakonisht, por edhe një të shtunë në muaj. Lajmi u dha sot në konferencën për shtyp, në Vatikan, ku kryetari i Këshillit Papnor për Ungjillëzimin e Ri, imzot Rino Fisichella, shpjegoi si do të funksionojë Viti Shenjt në Romë, nga pikpamja organizative.

 Përsa u përket audiencave shtesë të Papës, datat mund të shihen që tani në faqen e internetit të Jubileut “im.va” e kush dëshiron mund të regjistrohet. Në disa të shtuna, tregoi imzot Fisichella, Sheshi i Shën Pjetrit ka që tani mëse 70 mijë vetë të pranishëm, të cilët janë regjistruar përmes internetit. Gjithashtu, portali “vatimecum” i dikasterit për ungjillëzimin e ri do t’u japë shtegtarëve informacione për strehimin, për çmimet e për mënyrën si ta jetojnë Jubileun në Romë.

Më 13 dhjetor, hapja e Portave të Shenjta në të gjithë botën

 Për herë të parë në historinë e Jubileut, të dielën, më 13 dhjetor, do të hapen Portat e Shenjta në katedralet e kishat e gjithë botës. Papa Françesku do ta hapë në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran. Ati i Shenjtë, nënvizoi imzot Fisichella, “deshi që Jubileu i Mëshirës të zhvillohej para së gjithash në Kishat e veçanta e pikërisht për këtë, hapi Portën Shenjte në katedralen e Banguit në Republikën e Afrikës Qendrore, të dielën e kaluar, më 29 nëntor, duke e kthyer në kryeqytet botëror të paqes dhe mjet të mëshirës”.

Një gjest plot domethënie, që tregon “sa vlerë ka për jetën e Kishës, ky Jubile i jashtëzakonshëm, i jetuar përditë nga bashkësitë tona”. Ndërkaq, më 18 dhjetor, Papa do të hapë Portën e Mëshirës në Qendrën “don Luigi di Liegro” për të varfërit, administruar nga Karitasi i Romës, i cili strehon e ushqen aty njerëz që prej 25 vjetësh.

Në mbrëmjen e 8 dhjetorit, imazhe drite mbi Shën Pjetër

Siç dihet tashmë, kremtimi i hapjes së Portës Shenjte në Shën Pjetër do të mbahet pikërisht në Sheshin e Shën Pjetrit, duke nisur nga ora 9.30 e 8 dhjetorit. Ceremonia, nënvizoi imzot Fisichella, do të jetë e thjeshtë e do të ndiqet në mondovizion. “Papa Françesku do të kërkojë të hapet Porta e pastaj do të kapërcejë pragun, duke hyrë në Bazilikë. Pas tij, kardinajtë, ipeshkvijtë dhe përfaqësuesit e meshtarëve, rregulltarëve, rregulltareve dhe laikëve do ta kapërcejnë edhe ata Portën Shenjte për të hyrë në procesion deri tek varri i Shën Pjetrit Apostull, ku do të kremtohet riti përfundimtar i meshës. Më pas, Papa do të thotë Lutjen e Engjëllit të Tënzot, si zakonisht, nga dritarja e Pallatit Apostolik”.

Në mbrëmjen e 8 dhjetorit, solemnitet i Zojës së Papërlyer, festë tjetër në Shën Pjetër. Aty do të ketë një shfaqje me titull “Fiat lux: të ndriçojmë shtëpinë tonë të përbashkët”. Kreu i dikasterit për ungjillëzimin e ri shpjegoi se bëhet fjalë për projektimin e disa fotografive mbi fasadën dhe mbi kupolën e Bazilikës së Shën Pjetrit. Imazhet janë marrë nga disa fotografë të njohur të botës, frymëzuar nga mëshira, humaniteti, natyra dhe ndryshimet e klimës. I bëhet jehonë Enciklikës së Papës Françesku “Lëvduar qofsh”, e cila, theksoi imzot Fisichella, “propozon bukuritë e krijimit hyjnor, edhe me rastin e Konferencës së 21-të të OKB-së për klimën (COP21), që ka filluar në Paris më 30 nëntor dhe do të përfundojë më 11 dhjetor”.

Shfaqja, sqaroi imzot Fisichella, do të fillojë në orën 19.00. “Mund t’ju siguroj – iu drejtua gazetarëve – se është diçka unike në llojin e vet dhe është realizuar për herë të parë në një skenar kaq kuptimplotë. Jemi mirënjohës për këtë dhuratë dhe urojmë të ndiqet nga shumë njerëz në botë për të shijuar kështu bukurinë e krijimit të Zotit përmes fantazisë, profesionalitetit dhe artit të firmave të mëdha botërore të fotografisë”.

 Po në Sheshin e Shën Pjetrit, gjatë gjithë Jubileut, nën shtatoren e Apostullit, do të thuhet çdo ditë Rruzarja.

100 vullnetarë çdo ditë

“Çdo ditë – kaloi në argument tjetër imzot Fisichella – do të kemi rreth 100 vullnetarë të Vitit Shenjt në shërbim. Një numër, i destinuar të bëhet 800-1000 në rastet e ngjarjeve të mëdha”. Vullnetarët do të presin e ndihmojnë shtegtarët, në veçanti në via della Conciliazione (Rruga e Pajtimit) dhe në Sheshin e Shën Pjetrit, por edhe në Bazilikat e tjera të Romës e në kishat jubilare. Janë të shumtë ata, që i janë përgjigjur thirrjes për t’u bërë vullnetarë, por priten regjistrime të tjera muajt e ardhshëm.

Çertifikatën e jep vetëm dikasteri i Vatikanit

Çertifikatën për praninë në Jubile, si edhe për rrugën e bërë në këmbë, e jep vetëm Këshilli Papnor për Nxitjen e Ungjillëzimit të Ri, tha më pas imzot Fisichella. “Çdo çertifikatë tjetër, lëshuar nga realitete të tjera, nuk duhet konsideruar autentike”. Çertifikata mund të merret në Qendrën e Mikpritjes së Shtegtarëve, hapur që nga 1 dhjetori, në via della Conciliazione (Rruga e Pajtimit) nr. 7.

Vetëm Papa emëron misionarët e Mëshirës

Misionarët e Mëshirës “emërohen ekskluzivisht nga Papa e secilit prej tyre do t’i jepet e drejta për të falur mëkatet e rezervuara, [pra, ato mëkate për të cilat vendos Selia Apotolike e Papa]. Asnjë ipeshkëv nuk mund t’i emërojë këta misionarë në dioqezën e vet e as t’u japë pushtetin, që nuk e kanë”.

 Misionarët janë meshtarë nga anë të ndryshme të botës e janë caktuar nga ipeshkvijtë për këtë shërbim të veçantë. Imzot Fisichella nënvizoi se procedura e regjistrimit për të qenë misionar i Mëshirës është mbyllur, sepse është arritur numri 800 i parashikuar.

“Duke filluar nga e Mërkura e Përhime – shtoi – do të marrin nga Ati i Shenjtë mandatin për të qenë predikatorë të Mëshirës dhe rrëfyestarë plot mëshirë. Do të marrin nga Ati i Shenjtë pushtetin për të falur mëkatet e rezervuara për Selinë Apostolike dhe do të jenë shenjë e afërsisë dhe e faljes së Zotit për të gjithë”.

Të gjithë ata, që duan t’i ftojnë këta misionarë për ndonjë kremtim, ndonjë rit apo ngjarje të veçantë, mund ta bëjnë duke parë listën në dispozicion të ipeshkvijve.

Të mos dramatizohet çështja e sigurisë në Romë

“Shtegtarët – nënvizoi imzot Fisichella – vijojnë të regjistrohen, vullnetarët po ashtu. Kjo është shenja më e qartë e frymës që nxit ata, që duan ta kremtojnë Jubileun në Romë”. E kreu i dikasterit për ungjillëzimin e ri iu kthye çështjes së sigurisë, duke kërkuar të mos dramatizohet më kot. “Kemi arsye të mendojmë se ka garanci të plotë për shtegtarët, që do të vijnë në Romë, por duhet vigjilencë – theksoi imzot Fisichella, duke pasur parasysh se Portat e Shenjta do të hapen kudo në botë. Edhe në SHBA-të do të hapen Porta të Shenjta e do t’u duhet të përballojnë problemet e sigurisë”.

Të fitohet koha e humbur për veprat e Jubileut

 Së fundi, çështja e veprave jubilare, që duhet t’i kishte ndërtuar administrata e kryeqytetit italian, e cila u bllokua nga dorëheqja e kryetarit të bashkisë. “Kanë kaluar muaj më kot, për shkak të pasigurisë lidhur me administratën e kryeqytetit. Tani, komisari i jashtëzakonshëm duhet të fitojë kohën e humbur”, tha imzot Fisichella. Në mbledhjen e parë ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Komunës së Romës u fol për 131 vepra të reja. Më pas, u ul numri në 31, por deri tani janë sistemuar vetëm disa trotuare.

Imzot Fisichella sqaroi se do të krijohet një rrugë e mbrojtur për shtegtarët në via della Conciliazione (rruga e Pajtimit), por pa bllokuar veprimtarinë e përditshme në zonë. Do të ndahen me barriera shtegtarët nga turistët, por as turistët nuk duhen penguar, theksoi prelati. Në mes të qytetit do të ketë njerëz, që kanë ardhur për shtegtim. Është shenjë e bukur. E siç thotë Papa Françesku: “Në famullitë, në bashkësitë tona, në shoqata e lëvizje, pra, kudo ku ka të krishterë, gjithkush duhet të gjejë një oazë mëshire”.








All the contents on this site are copyrighted ©.