2015-12-03 15:50:00

Të krishterët, më të persekutuarit në botë. Europarlamenti lëviz


Bashkësia e krishterë është më e sulmuara në botë nga urrejtja, dhuna, agresioni i vazhdueshëm. “Edhe pse persekutimi ndjehet më fort jashtë Evropës, Bashkimi Evropian duhet të reagojë para një situate të tillë të rrezikshme, që mund të përhapet kudo”: është ky pohimi i kryetarit të Europarlamentit, Schulz, i cili preku, këto ditë, në Bruksel, pikërish temën e persekutimit të të krishterëve. Njerëz, që përndiqen vetëm për shkak të besimit të tyre në Krishtin. Iraku, Siria, Pakistani, Koreja e Veriut, Nigeria, janë vendet më të goditura nga  fundamentalizmi.

Të torturuar, të përdhunuar, të burgosur, me një fjalë, të persekutuar me të gjitha mënyrat e mundshme. Vetëm pse të krishterë. E janë 150 milionë, sipas të dhënave të Ojq-së Open Dors. Por ka edhe më: 700 mijë vetë kanë ikur nga Siria vetëm në katër vjet, 70% e të krishterëve është larguar nga Iraku që nga viti 2013. Vetëm gjatë një viti, 4344 besimtarë janë vrarë  e 1062 kisha janë djegur. Në Korenë e Veriut rreth 70 mijë njerëz janë ndër pranga për shkak të Ungjillit, ndërsa në Pakistan, çdo vit, 700 gra   detyrohen të ndërrojnë fenë me dhunë. Nuk është aspak e vërtetë se të krishterët janë të ardhur në trojet, ku sot Islami është fe e shumicës. Prania e tyre në Lindjen e Mesme dhe në subkontinentin indian nis që në shekujt para përhapjes së Kuranit, siç shpjegoi edhe ipeshkvi ndihmës i Brukselit, imzot Malines Jean Kockerols, gjatë konferencës të nivelit të lartë, organizuar nga Parlamenti Evropian. Me këtë rast kryetari Schulz e ftoi BE-në të angazhohet për t’i mbrojtur të persekutuarit. Por, sa kanë bërë deri tani institucionet evropiane? Përgjigjet, në mikrofonin tonë, Alfredo Mantovani, president i Lëvizjes Ndihmë për Kishën që Vuan:

Përgjigje: - Besoj se është më mirë të flasim për atë, që mund të bëjnë tani, menjëherë. E edhe në të ardhmen, sepse pak mund të thuhet për atë, që kanë bërë deri më sot. Denoncimi nuk mund të quhet pikarritje, shumë- shumë është vetëm pikënisje për të bërë diçka konkrete. Gjatë pesë vjetëve të fundit përqindja e të krishterëve ndërmjet refugjatëve, që arrijnë në Evropë, është rritur në 30%, gjë që tregon qartë se persekutimi vijon të bëhet gjithnjë më i egër. Veprimtari tjetër, që duhet pasur shumë parasysh, është që të ndërmerren nisma konkrete, që njerëzit e zonave të kërcënuara të mos kenë nevojë të ikin, duke braktisur gjithçka. Kur të krishterët  dynden me shumicë nga disa troje, ky nuk është problem vetëm për secilin prej tyre e për familjet e tyre, por edhe për trojet prej nga ikin, që natyrisht, varfërohen pa masë.

Pyetje: - Ikje kjo, që pastaj mbështet idenë se janë të ardhur në viset e tyre, duke i krijuar Islamit mundësinë të bëhet feja sunduese…

Përgjigje: - Nëse duam të kemi një ide mbi atë, që do të ndodhë pas pak vjetësh - për të mos thënë pas pak muajsh – në zonat ku të krishterët jetojnë prej shekujsh, si Siria e Iraku, duhet të shikojmë praninë e krishterëve në jug të Mesdheut. Shën Agostini ishte ipeshkëv i Iponës. E çfarë ka mbetur sot nga bashkësia e krishterë në këto troje? Por Evropa i ndjek këto ngjarje me indiferencë, e indiferenca buron nga mosnjohja e fenomenit. Ne sot duhet ta pyesim mirë veten ç’mund të bëjmë për ta, por edhe për vete, sepse përvoja e tyre aktuale, mund të jetë edhe jona në të ardhmen e afërt. Nëse ne e fshehim identitetin tonë, gati-gati si të turpëroheshim prej tij, e sidomos me mendimin se mund të na shpëtojë nga aktet e dhunës kundër nesh, gabohemi rëndë. Kjo nuk funksionon, madje, po të  kemi bindje të lëkundura për vete e për identitetin tonë, e gjithë kjo do ta bindë agresorin të jetë edhe më i vendosur në sulmin kundër nesh, ngaqë e di se nuk do të gjejë kurrfarë kundërshtimi. E po të mendosh se edhe në Evropë, ku nuk ka persekutim të mirëfilltë, si në vendet tjera, por ku nuk ka as respekt të plotë për lirinë fetare, mund të kalohet fare lehtë nga intoleranca, në diskriminim. E kjo, pa asnjë dyshim, do t’i hapte rrugën persekutimit. Sepse diskriminimi është paradhoma e persekutimit!








All the contents on this site are copyrighted ©.