2015-12-03 17:27:00

Papa: Shpirti Shenjt i shndërron besimtarët në misionarë të guximshëm


Në një botë të shekullarizuar, që nuk e konsideron Jezusin si Birin e Zotit, Kisha të dalë e t’u kumtojë Ungjillin të gjithëve. Kështu nënvizoi Papa Françesku sot paradite, gjatë takimit me pjesëmarrësit në asamblenë e përgjithshme të Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve. “Misioni – tha Ati i Shenjtë – shndërron, përtërin e fuqizon fenë dhe jetën e krishterë”.

Bota e shekullarizuar i njeh vlerat ungjillore, por nuk e pranon Jezusin

 Përvoja e fesë është sot dyfytyrëshe: “bota e shekullarizuar – shpjegoi Françesku – i mirëpret vlerat ungjillore të dashurisë, të drejtësisë, të paqes dhe të thjeshtësisë”, por “nuk tregon të njëjtën gatishmëri ndaj Krishtit, të cilin nuk e konsideron Mesi e Birin e Zotit”:

 “Më të shumtën e konsideron njeri të shndritur. Pra, e ndan lajmin nga Lajmëtari, dhuratën nga Dhuruesi”.

Kisha të rizbulojë misionin, që shndërron e përtërin

Një dyzim, për të cilin është jetësore të rizbulohet “missio ad gentes”:

“Misioni, pikë së pari, nuk është njëlloj me nismat njerëzore; protagonist është Shpirti Shenjt, plani është i Tij. E Kisha është shërbëtore e misionit”.

Nuk është Kisha që e bën misionin, shpjegoi Papa, por është misioni që e bën Kishën, së cilës i përtërin dhe i gjallëron fenë, entuziazmin, motivacionin dhe identitetin e krishterë. Misioni e shndërron Kishën nga brenda, theksoi Ati i Shenjtë:

 “Në këtë mënyrë, Shpirti Shenjt i shndërron besimtarët e zakonshëm në dishepuj, dishepujt e pakënaqur në misionarë, duke i larguar nga frika dhe nga mbyllja në vetvete e duke i projektuar në çdo drejtim, deri në kufijtë e botës”.

Kishat e reja na japin meshtarë

 Papa Françesku iu kthye vizitës së tij në Afrikë, samaritanëve të mirë që takoi në këtë kontinent e uroi që Kishat e traditës të rizbulojnë hovin dhe entuziazmin misionar të Kishave të reja, të cilat kanë gjithnjë e më shumë thirrje për meshtari:

 “Pali dhe Barnaba nuk e kishin Dikasterin misionar pas shpine. E megjithatë, kumtuan Fjalën e Zotit, u dhanë jetë shumë bashkësive dhe derdhën gjakun për Ungjillin”.








All the contents on this site are copyrighted ©.