2015-12-02 12:02:00

Papa në audiencën e përgjithshme: Bukuritë, varfëria dhe shpresat e Afrikës


Në audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa rikujtoi tri etapat e shtegtimit të tij apostolik në Afrikë. “E bukur Afrika, apo jo? – pohoi me entuziazëm. – Falënderoj Zotin për këtë dhuratë të madhe, që më bëri, duke më lejuar të vizitoj tri vende; më parë Kenian. Pastaj Ugandën. E, së fundi, Republikën Qendrafrikane. U shpreh edhe një herë mirënjohjen time autoriteteve civile dhe ipeshkvijve të këtyre Kombeve, që më mirëpritën e falënderoj gjithashtu të gjithë ata, që në një mori mënyrash, bashkëpunuan për suksesin e këtij shtegtimi. Një falënderim nga zemra!

 E, duke nisur nga vendi i parë, që vizitoi, Papa përsëriti thirrjen të respektohet natyra dhe biolarmia. Kenia, kujtoi, është vend që e pasqyron qartë sfidën globale të epokës sonë: mbrojtjen e gjithësisë, reformimin e modelit të zhvillimit, që të jetë i barabartë, gjithëpërfshirës, i qëndrueshëm. E gjithë kjo vërehet qartë në Nairobi, qyteti më i madh i Afrikës lindore, ku bashkëjetojnë pranë e pranë pasuria e varfëria. E ky është shkandull i madh. Shkandull, që e shikojmë pikërisht atje, ku ndodhet selia e Zyrës së OKB-së për ambientin, të cilën e  vizitova.

Në Kenia, shtoi Papa, vizitova autoritete e diplomatë, banorë të lagjeve  popullore e liderë të konfesioneve të ndryshme kristiane, përfaqësues të feve të tjera e të fesë katolike, priftërinj e rregulltarë e, sidomos, shumë, shumë të rinj. Në të tëra rastet, kujtoi, i inkurajova të gjithë  ta ruajnë e ta mbrojnë pasurinë e madhe të këtij vendi: pasurinë natyrore e shpirtërore; tokësore e nëntokësore, pasurinë e breznive të reja dhe të vlerave, që formojnë urtinë popullore.

Në vijim Ati i Shenjtë u ndalua tek Uganda e Afrika Qendrore, secila me të përbashkëtat e dallimet, me sfidat e shpresat e veta.








All the contents on this site are copyrighted ©.