2015-12-02 18:06:00

Papa: bota ka nevojë për mëshirë, Kisha nganjëherë është e ashpër


Jubileu i mëshirës do të jetë Vit i faljes e i pajtimit. Kështu shprehet Papa Françesku në një intervistë, dhënë së përjavshmes “Credere” (Të besosh), revistë zyrtare e Vitit Shenjt të jashtëzakonshëm. “Jam mëkatar dhe njeri i falur” - pohon Papa - nësa kërkon revolucionin e dashurisë. Françesku pohon edhe se gjatë Jubileut, në njërën nga të premtet e muajit, do të bëjë një gjest të ndryshëm, për të dëshmuar mëshirën e Zotit. Tingëllon si ftesë për të gjithë besimtarët, kjo nismë shpirtërore e Papës.

Jubileu i Mëshirës nuk është strategji, por përgjigje, që i jepet Shpirtit Shenjt

“Nuk ishte strategji. Më erdhi nga thellësia e vetvetes: ‘Shpirti Shenjt dëshiron diçka’”. I përgjigjet kështu, Papa Françesku, revistës “Credere”, pas pyetjes pse e shpalli Jubileun e jashtëzakonshëm të Mëshirës, që do të nisë më 8 dhjetorin e ardhshëm, për të përfunduar më 20 nëntor 2016. Një temë, kjo, e theksuar edhe nga Pali VI e nga Gjon Pali II, shpjegon Bergoglio, që i rikthehet, kështu, një tradite relativisht të vonë, dëshirë, kujtoi, e shprehur në lutjen e tij të parë të Engjëllit të Tënzot  si dhe në homelinë e parë, mbajtur në famullinë e Shën Anës, në Vatikan, në mars 2013.

Bota e sotme - vijon Papa - ka nevojë për mëshirë e dhimbsuri, përballë zakonit për të dhënë gjithnjë lajme të këqija, lajme të zeza, dhune, egërsie, kushtuar mizorive më të hatashme, që e fyejnë emrin dhe jetën e Zotit. E pikërisht për këtë arsye bota ka shumë nevojë të rizbulojë se Zoti është Atë, se është i gjithëmëshirshëm, se  mizoria e dënimi nuk janë rrugëzgjidhje, që nisin prej Tij.

Kisha të jetë spital fushimi, t’i ndihmojë të plagosurit për t’u shëruar

Duhet kujtuar se dhe vetë Kisha shpesh bie në tundimin e theksimit të normave morale. Nis të ndjekë rrugën e dënimit. Por, sa njerëz mbeten, kështu, jashtë saj! Ndërsa, ripohoi Papa, duke kujtuar një figurë shumë të dashur për të, Kisha duhet të jetë si spitali fushor pas betejës. Duhet t’i mjekojë e t’i shërojë të plagosurit, e jo t’u bëjë analiza për kolesterolin.  Prej këndej, përballë prodhimit e trafikut të armëve, vrasjes së njerëzve të pafajshëm në mënyrat më mizore në historinë e krimeve, shfrytëzimit të të rriturve e të të miturve, përballë sakrilegjit kundër njerëzimit, që po e shikojmë çdo ditë, Hyji Atë na kujton: “Ulini armët, jepini fund mizorive e ejani tek Unë”.

Jam mëkatar. rrëfehem çdo 15 ditë

Papa u ndalua, pastaj, tek jeta e tij personale: “Jam mëkatar - pohoi - e njeri i falur”, që Zoti e pa me mëshirë. Edhe tani bëj gabime e mëkate, e rrëfehem çdo 15 ditë, pikërisht për ta ndjerë ëmbëlsinë e përdëllimit të Zotit.

Françesku kujtoi edhe atë 21 shtator të vitit 1953 kur, në moshën 17 vjeçe, ndjeu thirrjen për udhën e meshtarisë, pikërisht falë hirit të sakramentit të rrëfimit dhe takimit me rrëfyesin e tij, një meshatr i Corrientes, don Carlos Benito Duarte Ibarra. E nga ai 21 shtator, ditë e kujtimit liturgjik të Shën Mateut, u frymëzua për moton e tij ipeshkvnore: “Miserando atque eligendo”, sepse Jezu Krishti  “e pa Mateun, pati mëshirë dhe e zgjodhi”. Por përkthimi fjalë për fjalë do të ishte, shpjegoi Papa, “duke e mëshiruar e duke e zgjedhur”, gati-gati një punë mjeshtri. “Në të vërtetë, shumë vjet më vonë, u kujtova se Zoti më kishte modeluar mjeshtërisht me mëshirën e tij”.

I nevojshëm, revolucioni i dhimbsurisë

Duke iu përgjigjur, ndërmjet tjerash, edhe një pyetjeje mbi amësinë e Zotit, në kraharorin e të cilit, sipas Biblës, banon mëshira, Papa kujtoi sa rëndësi ka “dhimbsuria” e Zotit, që lind nga përmbrendcat e Tij, sepse Hyji është atë e amë. Prej këndej, edhe thirrja për “revolucionin e dhimbsurisë”  për të pasur, kështu, një sjellje më tolerante e më durimtare ndaj të tjerëve.  Revolucion ky, që Papa e dëshironte që nga Sinodi i vitit 1994, kushtuar temës së jetës së shuguruar, gjë që u prit me shqetësim nga njëri prej etërve të moshuar sinodalë. E pra, vijoi Françesku, unë vijoj të them se revolucioni duhet nisur nga dhimbsuria, nga dashuria e krishterë, sepse prej këtu rrjedh drejtësia. E jep edhe një shembull: sipërmarrësi, që i mohon nëpunësit të drejtën për shtesë rroge, për pension, për sigurimet shoqërore, e trajton si të ishte send e nuk tregon kurrfarë dhimbsurie ndaj tij. Ndërsa është pikërisht revolucioni i dhimbsurisë ai, që duhet kultivuar si fryt i këtij Viti të Mëshirës!”.

Gjatë Jubileut, në njërën nga të premtet e muajit, një gjest mëshire

Së fundi, Papa njoftoi se gjatë Jubileut, “në njërën nga të premtet e çdo muaji, do të kryejë një gjest të ndryshëm, për ta dëshmuar Mëshirën e Zotit”, një gjest që do të jetë si ledhatim, si ai, që prindërit u bëjnë fëmijëve për t’u thënë, pa fjalë: “Të dua me gjithë zemër!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.