2015-12-02 15:00:00

Papa: bashkëjetesa e pasurisë me mjerimin është shkandull e turp


“Bashkëjetesa ndërmjet pasurisë dhe varfërisë në Afrikë, e jo vetëm atje, është shkandull”. Ky, reflektimi i Papës në audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, pak ditë pas përfundimit të shtegtimit të tij apostolik në Kenia, Ugandë e në Afrikën Qendrore. Papa foli për shkandullin e varfërisë, pranë e pranë luksit, për shpresat e  sfidat e këtij Kontinenti të mrekullueshëm e, sidomos, për dëshminë e misionarëve dhe të të rinjve afrikanë.

Bashkëjetesa pasuri - mjerim: shkandull

Në “zemër të Afrikës”, bashkëjetesa e pasurisë me varfërinë është e prekshme. E pa me sytë e vet Papa. Gjatë shtegtimit të sapopërfunduar  në Kenia, Ugandë e në Afrikën Qendrore:

“Ky është shkandull! Jo vetëm në Afrikë: edhe këtu. E kudo. Bashkëjetesa e pasurisë me varfërinë është shkandull, është turp për njerëzimin”.

Misionarët: në shërbim të Zotit e të jetës

Duke rikujtuar shtegtimin, Papa u ndalua posaçërisht, e plot admirim, tek dëshmia e misionarëve dhe e të rinjve. Sidomos në Afrikën Qendrore, etapa e fundit por, saktësoi, në të vërtetë, e para në ndjetet e tij. Foli për burrat e gratë, që e lanë atdheun në lule të moshës dhe shkuan në këto troje të largëta, duke zgjedhur një jetë me ditë pune, tejet të ngarkuara e netë të kaluara shpesh mbi tokën afrikane, pa shtrojë e pa mbulojë. Françesku tregoi se në Bangui njohu një nga këta misionarë guximtarë, një motër të moshuar italiane, 81 vjeçe: dy vjet më e madhe se unë, vërejti. Erdhi në Qendrafrikë nga Kongo, me kanoa. Shoqërohej nga një vogëlushe, që  e thërriste “gjyshe”! Është infermiere e mami, që i ka ndihmuar të dalin në dritë më se 3.200 fëmijë:

“Gjithë jetën, për jetën, për jetën e të tjerëve. E si kjo motër, janë shumë e shumë, shumë motra, shumë priftërinj, shumë rregulltarë, që e djegin jetën e  tyre, për të ngrohur jetën e të tjerëve, në emër të Jezu Krishtit. Është gjë e bukur ta shikosh këtë. E bukur!”.

Në Evropë lindja e fëmijëve duket luks   

Më pas, një reflektim për të rinjtë, për krijimin e jetës së re, të fëmijëve që në viset e pasura…:

“...janë pak, sepse lindja e fëmijëve me sa duket, shikohet si luks në Evropë: lindje 0, lindje 1%... Por, u drejtohem të rinjve: mendoni çfarë po bëni me jetën tuaj”

Veprimtaria misionare nuk është prozelitizëm

Papa i fton të gjithë të marrin shembull nga kjo murgeshë e nga shumë të  tjera si ajo, që shkrijnë jetën, nganjëherë edhe duke e humbur, për misionin:

“Veprimtaria misionare nuk është prozelitizëm. Më thoshte kjo motër se gratë myslimane shkojnë tek rregulltaret, ngaqë e dinë se janë infermiere të mira, se mjekojnë mirë, shërojnë e nuk bëjnë katekizëm, për t’i kthyer në fenë te tyre. Dëshmi. Pastaj, atyre që dëshirojnë, mund t’u bësh edhe katekizëm. Por ‘dëshmia’ njëherë: kjo është fryma misionare heroike e Kishës”.

Thirrje të rinjve: mos e përjashtoni mundësinë për t’u bërë misionarë

Ta kumtojnë Jezu Krishtin me jetën e tyre: kjo, thirrja, që u bën Papa  gjithë të rinjve:

“Është çasti të mendosh e t’i kërkosh Zotit që të të bëjë ta dëgjosh cili është vullneti i tij. Por, mos e përjashtoni, ju lutem, mundësinë për t’u bërë misionarë, për të çuar dashuri, humanitet, fe në vende të tjera. Jo për të bërë prozelitizëm, jo! Këtë e bën kush kërkon tjetër gjë . Feja predikohet më parë me dëshmi, pastaj me fjalë. Predikohet ngadalë”.

Shpresa për ardhmërinë e Afrikës Qendrore

Papa është plot shpresa për të ardhmen  e Afrikës Qendrore, një vend që vuan shumë, që kërkon të dalë nga një periudhë e vështirë, nga konflikte të dhunshme, të cilat i shkaktuan vuajtje të rënda popullsisë. Françesku deshi ta hapte pikërisht atje, në Bangui, Portën e parë Shenjte të Jubileut të Mëshirës, si shenjë – nënvizoi - feje e shprese për këtë popull e, simbolikisht, për të gjitha popullsitë afrikane, më nevojtaret për shpërblim e ngushëllim:

“T’i lësh pas shpine luftën, përçarjet, mjerimin e të zgjedhësh paqen, pajtimin, zhvillimin! Po kjo hamendëson një ‘shndërrim’, që ndodh në ndërgjegjet, në sjelljet e në qëllimet e njerëzve”.

Në këtë drejtim, theksoi Papa, është vendimtare ndihmesa e bashkësive fetare. Prandaj, shtoi, u takova me bashkësinë ungjillore e atë myslimane vendase, për t’u lutur së bashku e për të marrë zotime të përbashkëta në  sigurimin e paqes.

Por u takova edhe me priftërinjtë e rregulltarët, e, natyrisht, me të rinjtë, posaçërisht në Meshën e mrekullueshme, në stadiumin e Bangui: më se gjysma e popullsisë në Republikën Qendrafrikane – kujtoi me entuziazëm Papa - është nën moshën 18 vjeç. Premtim i madh, ky, për të ecur përpara.

Kenia: mbrojtja e krijimit

Mendimi i Françeskut shkoi edhe në Kenia, simbol - pohoi - i sfidës globale të epokës sonë. E, duke nisur nga vendi i parë, që vizitoi, Papa përsëriti thirrjen të respektohet natyra dhe biolarmia. Kenia, kujtoi, është vend, i cili e pasqyron qartë sfidën globale të epokës sonë: mbrojtjen e gjithësisë, reformimin e modelit të zhvillimit, që të jetë i barabartë, gjithëpërfshirës, i qëndrueshëm. E gjithë kjo vërehet qartë në Najrobi, qyteti më i madh i Afrikës lindore, ku bashkëjetojnë pranë e pranë pasuria e varfëria. E ky është shkandull i madh. Shkandull, që e shikojmë pikërisht atje, ku ndodhet selia e Zyrës së OKB-së për ambientin, të cilën e  vizitova.

Në Kenia, shtoi Papa, vizitova autoritete e diplomatë, banorë të lagjeve  popullore e liderë të konfesioneve të ndryshme kristiane, përfaqësues të feve të tjera e të fesë katolike, priftërinj e rregulltarë e, sidomos, shumë, shumë të rinj. Në të tëra rastet, kujtoi, i inkurajova të gjithë  ta ruajnë e ta mbrojnë pasurinë e madhe të këtij vendi: pasurinë natyrore e shpirtërore, tokësore e nëntokësore, pasurinë e breznive të reja dhe të vlerave, që formojnë urtinë popullore, duke çuar kudo fjalën e shpresës së Jezusit, që të fton të jesh i fortë në fe e të mos kesh kurrë frikë:

“Një fjalë, që jetohet çdo ditë nga njerëz të përvuajtur e të thjeshtë, me dinjitet fisnik; një fjalë e dëshmuar tragjikisht e heroikisht nga të rinjtë e Universitetit të Gariss-ës, të vrarë më 2 prillin e kaluar, vetëm e vetëm pse ishin  të krishterë. Gjaku i tyre është farë e paqes për Kenian, për Afrikën e për botën mbarë”.

Uganda: dëshmia është tharm për shoqërinë

Së fundi, Papa kujtoi vendin, që e vizitoi të parin, Ugandën, 50 vjet pas shenjtërimit të Martirëve të saj. Vizitë e kryer me afshin e dëshmisë, frymëzuar nga Shpirti Shenjt, si në rastin e katekistëve e të familjeve të tyre, ashtu edhe në rastin e dëshmive të dashurisë së krishterë, të cilat Papa kujtoi se i preku me dorë në Shtëpinë e Nalukolongos; në rastin e të rinjve, të cilët pavarësisht nga vështirësitë, përpiqen të rrojnë sipas Ungjillit e jo, nënvizoi, sipas mendësisë së botës, duke shkuar kundër rrymës; e në rastin e priftërinjve, rregulltarëve e rregulltareve, që e përtërijnë ditë për ditë atë ‘po’ me plot gojën, që ia thanë Krishtit e popullit të Zotit, ditën kur u shuguruan:

“E gjithë kjo dëshmi shumëformëshe, e frymëzuar nga Shpirti Shenjt, është tharm për mbarë shoqërinë, siç e dëshmon veprimtaria e frytshme, e kryer në Ugandë, në luftën kundër Sidës e në strehimin e refugjatëve”.

Një larmi  aspektesh, pra, që e shtyu Papën të përfundojë me brohorinë: “E bykur, Afrika!”.

Në Kohën e Ardhjes, më shumë kujdes për njeriun, që ka nevojë

Në përshëndetjet përfundimtare, një mendim për Kohën e Ardhjes, që nisi të dielën e kaluar:

“I porosis të gjithë ta jetojnë këtë kohë përgatitjeje për lindjen e Krishtit, Fytyrë e Atit të mëshirshëm, në rrethanat e Jubileut, me shpirtin e dashurisë së krishterë, me më shumë vëmendje për nevojtarët e me çaste lutjeje, në vetmi, në familje, në bashkësi”.








All the contents on this site are copyrighted ©.