2015-12-01 17:20:00

Atë Vinçenc Malaj, françeskan e historian, në përvjetorin e lindjes


Duke shfletuar kalendarin historik, më 1 dhjetor, kujtojmë françeskanin e historianin shqiptar atë Vinçenc Malaj-n, në përvjetorin e lindjes. Atë Vinçenc Malaj lindi më 1 dhjetor 1928 në Ljarje të Krajës, ndërroi jetë më shkurt 2000 në Tuz, ku edhe u varros.  Meshtar françeskan i devotshëm deri në frymën e fundit në Tuz, i shkolluar në Tivar, Shkodër, Split, Pazin, Troshan, Dubrovnik, Zagreb dhe Romë ku edhe u doktorua në histori me temën “Kuvendi i Arbnit 1703” – në radhë të parë është i njohur si historian, shkencëtar, studiues, predikues, piktor, skulptor, etnolog, mbledhës folklori dhe poet, fusha këto që botoi vepra që kanë lënë gjurmë në zhvillimin e shkencës dhe të kulturës në përgjithësi.

Në përvjetorin e lindjes së këtij meshtari fraçeskan, intelektuali e historiani të shquar, ju propozojmë disa fragmente nga një intervistë që kemi realizuar me Atë Vinçenc Malaj-n në vitin 2000, me rastin e simpoziumit mbi 2000 vjetorin e krishterimit ndër shqiptarë. Ta dëgjojmë ….

Një shkrim mbi figurën e Atë Vinçen Malaj-t nga Gjovalin ÇUNI

Në vargun e albanologëve mendimtarë të kohëve moderne hyn edhe i ndjeri, Atë Vinçenc Malaj ofm.

Vepra e tij shkencore “Kuvendi i Arbënit 1703”, tanimë i është nënshtruar analizave dhe vlerësimeve shkencore. Vepra është përkthyer në shqip nga muzikologo u mirënjohur studiuesi prof. Tonin Zadeja. Studiues të tjerë para Malaj-t, janë marrë me këtë ngjarje historike të shekullit XVIII, duke analizuar aspekte të veçanta, ku mbizotërojnë ato gjuhësore, ndërsa në veprën e tij, Malaj përpiqet të nxjerrë në pah vlerat e këtij Sinodi me karakter juridik - kishtar dhe doktrinar, në pikëpamje historike, linguistike dhe shkencore (Klajd Kapinova, “Mes Kryqit e Atdheut”, Shkodër, 2000, fq. 264).

Atë Vinkoja (sikurse e thërrisnin të gjithë me dashamirësi), ishte vazhdues I asaj plejade klerikësh, që deri në frymën e fundit të jetës së tyre menduan për dijen, librin, kulturën. At Gjergj Fishta, sipas bashkëvëllezërve të tij, ndërsa ndodhej në shtratin e vdekjes, në mënyrë të posaçme na linte porositë për Bibliotekën Françeskane, këndi më i dashur i jetës së tij, At Justin Rrota solli në Shqipëri të fotokopjuar në vitin 1929, “Mesharin” e françeskanit At Gjon Buzukut: At Vinçenc Prennushi i dha emrin dhe e përktheu; albanologu At Zef Valentini, italian me zemër shqiptare e shkriu vetën në biblioteka të ndryshme evropiane për të nxjerrë dokumente tepër të vlefshme historike etj. Kontributi i At Vinçenc Malaj në fushën e bibliotekarisë është i shumëanshëm. Malaj krijoi vlera me të cilat duhet të krenohet shkenca shqiptare e bibliotekarisë.

Biblioteka përsonale

Detyra e klerikut dhe e dijetarit e detyruan atë të familjarizohet me librin. “Shpesh herë kujtojnë bashkëvëllezërit françeskanë atë Malaj, që edhe bukë hante me libër në dorë. Në kishë, në bibliotekë dhe me njerëz kalonte pjesën më të madhe të kohës. (Klajd Kapinova, “Mes Kryqit e Atdheut”, Shkodër 2000, fq. 254).

Bibliotekat publike, si gurrë informimi janë të domosdoshme, por sado të pasura dhe komode, ato nuk mund të zëvendësojnë bibliotekën e shtëpisë, nuk mund të japin gëzimin dhe intimitetin që të shkakton një libër i vjetër, një dokument i rrallë në duart tuaja.

Nga vizitorë të ndryshëm, miq të Malaj-t marrin vesh diçka për bibliotekën personale dhe vlerat e saj. Studiuesi Klajd Kapinova, mik i Malaj-t na informon, se biblioteka e tij e vendosur brenda famullisë shërbente edhe si kabinet pune dhe kishte “disa mijëra e mijëra vëllime dhe tekste të lashta, që nga shekulli XII deri në ditët e sotme, tekste në pergamenë dhe libra të rrallë të shtypshkronjave evropiane të Mesjetës. Nuk mungonin mbishkrimet e lashta latinisht...” (Klajd Kapinova, Po aty, f. 255), ndërsa nga Dr. Ahmet Osja, njoftohemi se librat e vjetër kanë qenë pasioni i tij i veçantë dhe më tej shton: “Është talenti dhe përkushtimi i tij, që e bëri të arrinte të kompletonte më së miri një bibliotekë të veçantë, jo vetëm për numërin e librave, por edhe për rëndësinë e tyre në famullinë e Tuzit” (Po aty, f. 257 - 258).

Dashuria për librin nuk kaloi pa rënë në sy edhe të eprorëve të tij, të cilët e ngarkuan me detyrën e bibliotekarit në Kuvendin Françeskan të Kotorrit (1958 - 1962), në Bibliotekën e Kuvendit Mala Braqa në Dubrovnik (1960 - 1966), censor librash në Tivar në vitin 1974.

Hulumtuesi dhe kërkuesi

Një vend të rëndësishëm në veprimtarinë e At Malaj-t zunë edhe hulumtimet dhe kërkimet në bibliotekat e ndryshme të ish - Jugosllavisë, Evropës, ShBa-së etj., me rëndësi të veçantë për studiuesit e albanologjisë. Bazuar në të dhënat e autorëve të ndryshëm, për historikun e zhvillimit të gjuhës së shkruar shqipe, në vitin 1995, françeskani Malaj na jep informacion të saktë edhe për ekzistencën e bibliotekave mesjetare në hapësirën shqiptare, informacion i panjohur deri atëhererë.

Duke analizuar kontributin e klerit katolik në shkrimet shqipe gjatë shekullit XII, At Vinçenc Malaj shkruan: “Qendra të fuqishme të administratës e kulturës, arkiva e biblioteka të famshme kanë qenë arqipeshkëvitë e Durrësit, Dioklesë, Tivarit, Shkodrës dhe Shkupit...” (P. Vinçenc Malaj, “Të dhana albanologjike 2”, Ulqin - Tuz, 1999, f. 280) dhe më tej, duke analizuar urdhërin e Domenikanëve, themeluar në Durrës, 1224 dhe shpërndarë në anë të ndryshme të vendit, tërheq vëmendjen në shprehjen e famshme të arqipeshkvit të Tivarit Gugliemus Adae: “Shqiptarët kanë një gjuhë krejt tjetër dhe të ndryshme nga latinishtja, kanë alfabetin latin në tërë librat e tyre”. Megjithëse nuk shënon gjë në studimet e tij, Malaj, duket se bashkohet me faktin e pranuar edhe nga autorë të tjerë shqiptarë mbi qarkullimin e librave tek ne ende pa lindur shtypshkronja (Injac Zamputi, “Çështje të shkrimit dhe fillimit të letërsisë”, “Hylli i Dritës”, Tiranë 1995, nr. 1- 2, f. 27 - 30), si dhe shënon faktin që në Bibliotekën e Domenikanëve në Split (Kroaci), me tërheqjen e këtyre të fundit nga Shqipëria: ruhen 7 libra koralë (4 gradualë e 3 aniforë) shkruar me pergament nga shekulli XV bashkë me shumë inkunabula... të sjella prej Kuvendit të Durrësit përkrye Venedikut në vitin 1513”. (V. Malaj, “Të dhanat albanologjike 2”, Ulqin - Tuz, 1999).

Ashtu siç vërente studiuesja Olga Peroviq, formimi i tij përsonal, interesimi për gjithçka, shëtitjet dhe studimet në qendrat më të zhvilluara të Evropës dhe sidomos zotërimi i disa gjuhëve të huaja europiane dhe klasike, si: greqishtja e vjetër, e ndihmuan atë në fushën hulumtuese dhe kërkuese. (Klajd Kapinova, “Mes Kryqit e Atdheut”, Shkodër, 2000, f. 254).

Kulmi i kësaj veprimtarie u shënua në vitin 1968, vit në të cilin hapësirat shqiptare përgatiteshin për festimin e 500 - vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit.

Në vitin 1968, në revistën “Shejzat” (Le Pleiadi), drejtuar nga shkrimtari prof. Ernest Koliqi, nr.  1 - 2 - 3, jep të dhëna rreth gjetjes në Bibliotekën Kombëtare të Romës të një vepre të panjohur të Gjergj Kastriotit, operën “Scanderbeg”, me libret të Antonio Salvit, botuar në Firence më 1718 dhe muzikë të kompozitorit të famshëm Antonio Vivaldi, luajtur për herë të parë në Firence më 22 janar 1718, në teatrin Pergola. Zbulimi i nënshtrohet një studimi të thellë jo vetëm letrar e historik, por edhe një analize muzikore, gjë që të lejon që të arrish konkluzionin që frati ynë kishte edhe njohuri të mira muzikore.

Një vepër tjetër e rëndësishme e panjohur u publikua nga Malaj gjatë këtyre viteve. Eshtë fjala për një tjetër oper mbi Gjergj Kastriotin, një tragjedi e gjetur në Bibliotheque de l’Opera dhe në Bibliotekën Kombëtare të Parisit. Opera është e vitit 1735 me libret të autorëve La Mote - La Serre, dhe muzikantëve Rebel - Francuer. Ajo u luajt për herë të parë më 27 tetor 1735. Gjithnjë sipas shënimeve të Malaj-t, në njërën nga 33 shfaqjet e saja, në vitin 1763, ajo u shfaq në Chosy, Fontainebleau para mbretit Luigi XV dhe oborrtarëve të Versajës. (Vinçenc Malaj, “Të dhana albanologjike 2”, Ulqin - Tuz, 1999, f. 25 - 26, 57, 63, 73).

Zbulimi i këtyre dy operave pati ngjallur zilinë e studiuesve shqiptarë, të cilët u përpoqën të përvetësonin mundin dhe djersën e klerikut. “E kemi fjalën, thotë studiuesi Willy Kamsi, nder të tjera për studimin që I bani at Vinçensi, operës së Antonio Vivaldit, kushtue heroit tonë kombtar Gjergj Kastrioti Skanderbegut. Tjetër kush e zbuloi, tjetër kush u frynte në Tiranë për këtë zbulim” (W. Kamsi, Artikull i cituar).

Fryt i kërkimeve të tij janë edhe çështjet që kanë të bëjnë me veprimtarinë e urdhërit françeskan. Duke thyer kornizat e një akademiku, ai i kushtoi një kujdes të veçantë edhe hulumtimit të kulturës popullore në trevat shqiptare të Malit të Zi dhe në krahinën arbëreshe të Falkonarës, Itali. Kërkimet e tij i botonte në disa revista të dëgjuara të hapësirës shqiptare dhe në gjuhë të ndryshme, ku mbizotëronte italishtja dhe serbokroatishtja.

Biografi dhe resensenti

Vend të rëndësishëm në funksionimin normal të një biblioteke padyshim luajnë edhe biografitë dhe bibliografi, ose, thënë ndryshe, njeriu që harton një listë sistematike të publikimeve të llojeve dhe autorëve të ndryshëm, bazuar në argumentet e trajtuara.

Bibliografia shqiptare, ka fillimet esaj në vitin 1870 me filologun slloven Franc Mikloshiç, me vepren: “Elementet sllave në gjuhën shqipe”, botuar në Vjenë. Por siç shkruan Prof. Jup Kastrati: “... botimet e mirëfillta bibliografike mbi vendin dhe historinë tonë, shfqen me arkitektin Georg T. Petroviç. Libri i tij “Skënderbeu”, shtypur në Paris më 1881, është një sprovë bibliografike e arsyetuar për Heroin tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti, shkruar në nëntë gjuhë”. (J. Kastrati, “Për një bibliografi shkencore albanologjike”, Tiranë 1996, f. 13).

Pa dashur të ndalemi tek të gjithë bibliografët që trajtuan probleme shqiptare, duhet theksuar se Pader Vinçenc Malaj OFM hyn në radhën e bibliografëve më të shquar shqiptarë, duke u radhitur në krah të Gj. Pekmezit, Lumo Skendos, J. Rrotës, K. Gurakuqit, Dh. Paskos, J. Kastratit etj.

E veçanta e bibliografive të tij qëndron në faktin, se I referohet direkt burimit origjinal, duke u përpjekur të shmangë burimet dytësore. Bibliografitë e tij kanë edhe shenja të origjinalitetit. Shpesh herë ata janë të formës bio-bibliografike dhe shoqërohen me anonime të shumta, siç ndodh me botimin e vitit 1979, “Shënime Bio-Bibliografike mni Gjeçovin në 50 - vjetorin e vdekjes”. (V. Malaj, “Të dhana albanologjike 2”, Ulqin - Tuz, 1999, f. 111).

Në përgjithësi, autori nuk ndjek rregulla fikse të përpunimit të bibliografive. Ai u shmanget atyre duke u përpjekur që të lehtësojë sa më tepër punën e studiuesve. Disa nga studimet e tij të veçanta, ndonëse nuk janë thjeshtë punime bibliografike, falë thellësisë së argumentave, bazuar në një literaturë të bollshme, kanë shërbyer si burime të rëndësishme bibliografike, ku mund të veçojmë studimet: “Stefano Zanovich, un sedicente erede di Scanderbeg”, 1974 dhe studimin tjetër paraqitur në Mbledhjen e V-të të Studimeve Ndërkombëtare në Palermo (Itali), në vitin 1968, “Neccissita d’un cordinamento bibliografico castriotiano”.

Autori në këtë shkrim shpreh shqetësimin e mungesës së studimeve bibliografike mbi Gjergj Kastriotin në prag të 500 -vjetorit të vdekjes së tij. I pakënaqur edhe nga puna e bërë në këtë drejtim nga shkencëtarët shqiptarë, ai hedh idenë e hartimit të kësaj bibliografie dhe hartimin e saj bazuar në ndarjet:

1. Dokumente.

2. Punime historike:

a) bibliografitë;

b) studime historiko - kritike dhe artikuj mbi Gjergj Kastriotin;

3. Vepra letrare:

a) poema e poezi;

b) drama dhe melodrama;

c) romane dhe novela;

4. Vepra operistike.

Gjatë shtjellimit të ideve të tij në këtë studim, ai u referohet 137 zërave bibliografikë dhe shumë fotografive e frontespiceve të librave të ndryshëm. Megjithëse kërkonte koordinimin e veprimtarisë shkencore në të dy anët e kufirit, duke kuptuar vështirësitë politike për realizimin e kësaj pune, albanologu Malaj, inkurajonte përpjekjet që bëheshin në Shqipëri për botimin e kësaj vepre, ashtu edhe siç hidhërohej për shtyrjet e pakuptuara të botimit.

Punimi: “Gjergj Kastrioti Skënderbeu Bibliografi (1454 - 1835)”, arriti të botohej vetëm në vitin 1997. Punimi është realizuar nga Kasem Biçoku dhe Jup Kastrati. Ndonëse i ndërtuar në një formë krejt tjetër nga ajo çfarë propozoi Pader Vinçenc Malaj, në të zënë vend mjaft zëra bibliografikë të pasqyruar nga Malaj në punimet: “Un opera musicale francese del settecento su Scanderbeg”, “Necessita d’un cordinamento bibliografico castriotiamo”, botuar gjatë viteve 1968 - 1969 në numra të ndryshëm në revistën “Shejzat” dhe në Aktet e Konferencës së V-të Ndërkombëtare në Palermo (Shih Biçoku & Kastrati “Gjergj Kastrioti Skënderbeu Bibliografi 1454 - 1835” 1, Tiranë, 1997, f. 440 - 441).

Në vitet 1970 dhe 1985, kemi përsëri dy botime të albanologut Malaj, në njërën si bashkëautor. Botimet pasqyrojnë punën shkencore të dy përsonaliteteve të shkencës albanologjike, italianëve Zef Valentini dhe Antonio Baldacci (1867 - 1950), “Bibliografia di Giuseppe Valentini”, që u botua në vitin 1970. Miqësia me Pader Zef Valentinin, duhet të ketë qenë e hershme. Ndonëse jo e deklaruar në shënimet e tij, Malaj duhet ta ketë njohur apo edhe patur profesor Valentinin, gjatë kohës kur në Shkodër mësonte në Gjimnazin Klasik të Jezuitëve. Kjo miqësi u përforcua akoma edhe më tepër gjatë studimeve të Malaj-t për letërsi italiane dhe botërore në Universitetin e famshëm “La Sapienza”, Romë, më 1966, ku edhe diplomohet, duke fituar gradën shkencore “Doktor” dhe në komisionin e vlerësimit ishte dhe prof. Pader Zef Valentini.

Gjatë qëndrimit në Itali P. Vinçenc Malaj ishte anëtar i “Qendrës Ndërkombëtare për Studime Shqiptare”, pranë Universitetit të Palermos. Në “Vjetari i vitit Akademik 1966 - 1967” të kësaj Qendre, krahas shumë albanologëve të dëgjuar, mes të cilëve edhe Pader Zef Valentini si Nënpresident dhe Drejtor i Qendrës, gjejmë edhe emrin e Pader Vinçenc Malaj”. (Vjetari i vitit Akademik 1966 - 1967, Palermo, 1967, f. 162).

“Padre Valentini, shkruan Malaj, e dashuronte dhe vazhdon ta dashurojë Shqipërinë, tokën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, që e konsideronte atdheun e tij të adoptuar dhe ideal”.

Bibliografia, është më tepër një listë librash, studimesh, artikujsh e recensionesh të renditura në mënyrë kronologjike sipas viteve të botimit. Autori Malaj, është i vetdijshëm, se në të nuk janë përfshirë të gjitha botimet e Valentinit, por e botoi atë vetëm nisur nga vlerat albanologjike të lëndës së trajtuar.

Biografia e dytë: Antonio Baldacci (1867 - 1950), Bibliografski Vjesnik, God. XVI, Br. 1 Cetinje, 1985, është një bashkëpunim me Vukiq Puleviq. Ajo ka karakter bibliografik dhe pasqyron jetën dhe studimet e Baldaçit, botanistit të shquar, studiuesit të florës dhe veçorive të gjeografisë bimore të Malit të Zi, Shqipërisë, Greqisë, Kretës etj. Në bibliografi jepen edhe zëra të ndryshëm që i përkasin etnografisë, toponomastikës, antropologjisë, historisë, arkeologjisë etj. E reja që sjellin autorët në këtë bibliografi është “Literatura” mbi Baldaçin.

Me intuitën e një bibliotekari të zellshëm, Malaj-n e vërejmë edhe në rolin e recensentit. Ashtu si paraardhësit, faqet e fletores “Shejzat” u përpoq t’i kthente në tribuna të mendimit albanologjik. E deshti albanologunAleksandër Stipçeviç, jo se ishte thjeshtë një rbëresh nga Arbanasi afër Zarës (Kroaci), jo se e lidhte puna e bibliotekarit, por vlerësonte përpjekjet e bëra përmes botimeve të tij, për të nxjerrë në dritë rrënjët e kombit. E vlerësoi dhe u bëri mjaft publicitet veprave të Stipçeviçit: “L’arte degli Illiri” (1963), “Gli Illiri” (1966), si dhe botimit që përgatitej të dilte: “Bibliografi ilirjane”.

Frati i Tuzit, i dhënë pas fesë, nuk pushoi së punuari edhe për kulturën shqiptare.

Meceni dhe miku i të gjithëve

Kontributi i At Vinçenc Malaj OFM në fushën e bibliotekave qe i gjithanshëm. Përpos mundit dhe shpenzimeve materiale, ai i la bibliotekës shqiptare, veprën e tij, të përbërë prej 30 studimesh shkencore në fusha të ndryshme, disa kumtesa të mbajtur në Konferenca Ndërkombëtare, artikuj të shumtë që mbushën faqet e fletoreve më prestigjioze shqiptare në qendrat evropiane dhe në ShBA, materiale arkeologjike dhe shumë vepra arti, të cilat përbëjnë pjesën më të rëndësishme të kontributit albanologjik të shqiptarëve në Mal të Zi.

Frati pati shumë miq. Lista e tyre është shumë e gjatë. Ata janë shqiptarë dhe të huaj; disa rrojnë akoma, të tjerët ashtu si edhe Malaj, panë vdekur për të bërë të pavdekshëm.

Ambientet shkencore e vlerësuan punën e tyre. Shpërblimet e mirënjohjet nuk i muanguan. Në vitin 1999, për kontributin e madh të dhënë në fushën e kulturës, si albanolog i shquar dhe i palodhur, nga Akademia Malazeze u vlerësua me titullin e lartë “Akademik”. Ishte themelues dhe Kryetar Nderi i Shoqatës Kulturore “Don Gjon Buzuku” në Ulqin dhe Tuz, antar i Shoqatës “Illyricum” në Tuz dhe i asaj “Matica Cernagorska” në Cetinë, profesor i lëndës së historisë së Kristianizmit në në Shqipëri, në Shkollën e Lartë Teologjike në Shkodër.

Vdiq në vitin 2000 në kulmin e veprimtarisë së tij shkencore. Studiues të ndryshëm, shënojnë shumë vepra që kanë mbetur në dorëshkrim, ku veçojmë: “Bibliografinë e plotë të punimeve të At Zef Valentinit” në bashkëpunim më studiuesin shkodran Willy Kamsi, “Seria e dorëshkrimeve të shkruar në gjuhën serbokroate”, “Bibliografia për martirët e krishtërimit në trojet iliro-shqiptare”, një bibliografi prej 250 zërash, për të cilën vetë Malaj deklaronte: “Kjo është vepra ime më e madhe e jetës”. (Klajd Kapinova, “Mes Kryqit e Atdheut”, Shkodër 2000, f. 256).

Pasioni i Akademik Profesor Pader Vinçenc Malaj OFM ishte shkenca, por frymëzimi i tij qe përjetësisht feja. “... feja është ajo që e fisnikëron më shumë jetën e njeriut, ajo të mbron dhe të ngushëllon në çdo moment të vështirë të jetës”, deklaronte ai.








All the contents on this site are copyrighted ©.