2015-11-29 16:03:00

Kisha katolike për Pavarësinë e Shqipërisë: “Kush është autori i Flamurit? (Pjesa II)


Duke folur mbi Kishën katolike për Pavarësinë e Shqipërisë sollëm disa dëshmi për autorësinë e Flamurit. Por ka edhe më... Dëshmi tjetër është edhe ajo e Dom Ndoc Nikës, në librin “Kujtime të një jetës së kalueme (Plejad, 2003, nën titullin “Përpjekje qi nuk kishte qellim tjetër, por shkëputjen e Shqipnisë nga sundimi i Stambollës”, fq 89-90.
Prifti shkodran, autor i një mori librash, ndërmjet të cilëve edhe romanzi i parë shqiptar, Marcia, na përshkruan një udhëtim në Paris e, prej andej në Kostandinopojë, me kërkesën e Aladro Kastriotit, për të mbledhur në kryeqyetetin francez krenët e maleve e për t’i organizuar për shpërthimin e kryengritjes së përgjithshme. Shkruan Dom Ndoci:
“Mas nji mueji qi ndeja në Parigj me shpenzimet e tij (Aladros) mora.. dy flamuj Shqypnije të mbëdhaj pelhure së leshtë e të hollë e të butë, në ngjyrë të kuqe me Shqypen Shqyptare për mjedis, i mvesha në shtat nen petka dhe ashtu, prej Parigjit, kalova me ferrovi neper Svicer e ndreitë në Kostantinopull”.
Shkonte për të nxjerrë lejën për shtegtimin në Romë të krenëve, për të kaluar, pastaj në Paris, plan që nuk u realizua.
Prifti patriot shton edhe se rreth Aladros u mblodhën shumë pesudo-patriotë, thjesht për të përfituar materialisht prej tij. Prej këndej Atë Fishta, në satirën “Jaho Beu e Palok Cuca”, duke kujtuar ‘dy krajlat’, Aladron e Gjikën, që pretendonin fronin e Shqipërisë si pasardhës të Skënderbeut, e paraqet kështu situatën:
“Perse Aladrja i ka do pare
Me të cillat n’tokë shqyptare
e ka xânë ndoj mik.
... ... ... ... ... ... ... ...
E tue kênë se Aladrja i jonë
S’e ka pasun der tash vonë
T’mnershmen zi kulete.
Rreth e rreth kuletës s’ti
T’janë kercnue atdhetarët e ri
Poris ushujza knete.
... ... ... ... ... 
Persè parja sot n’Shqypni
Âsht liri e autonomi
E Gjergj Skanderbeg!

Atë Gjergj Fishta, Anzat e Parnasit, “Jaho Begu e Palokë Cuca”, Shtypshkroja “Atë Gjergj Fishta, Shkodër, 1942 fq 88-91

E akoma, kemi edhe variantin, sipas të cilit Flamurin e solli në Vlorë, të fshehur në gji, Spiro Ilo, nga Bukureshti. Ja edhe dëshmia e tij: “... Flamurin që përgatitem në Bukuresht, unë e kam mbajtur në gji që nga Bukureshti deri në Vlorë dhe pastaj, pasi e valaviti Ismail Qemali, unë e mbërtheva me sqepar në parmak”.
Nuk mungojnë edhe dëshmitë, që vërtetojnë se shumë atdhetarë, si Visarion Dodani, Pashko Shkjezi, imzot Bernardin Shllaku, Dedë Gj’ Luli, Kin Mati, Terenc Toçi kohë pas kohe kishin sjellë ose kishin shpalosur në Shqipëri flamuj kombëtarë. 

Ndërmjet dëshmive, që flasin për flamuj të tjerë, zgjodhëm letrën e Mustafa Merlikës, në letërkëmbimin me Atë Margjokajn:
“Dervish Hima (1873-1928), pseudonimi i Ibrahim Mehmet Naxhiut nga Struga në breg të liqenit të Ohrit; shënimi ynë), nji propagandist i vjetër i idés kombtare, kishte vojtun në Shkodër me nji flamur të Shqipnís palosun në gjî për propagandë të nji Shqipnije mbë veti. Atje dikush e tradhtoi, nuk dihet se kush, por natyrisht ndonji fanatik in bona fide i Babà Dovletit. E kapën Zhön-Turqit, rregjim’ i asaj kohe, e e çuen në gjyq ushtarak për tradhtí të naltë. Puna u rrit tepër, rinij’ e asaj kohe, pra e kohës së rinís s’eme, u trazue kudo qi kishte grumbuj të rijsh intelektualë shqiptarë: Stamboll, Selanik, Monastir et. Mid’hat Frashëri, funkcjonar i Portës në Selanik e themelues e drejtor i gazetës Liria (qi për tê donte me thânë lirí individuale, lirí prej absolutizmës mbretnore, regjim kushtetuer e jo lirí kombtare) shkroi, si thashë, nji kryeartikull komentues mbi incidentin në fjalë ku thonte se Shqipnija s’ka pasun kurrë e s’kishte pra as atëherë flamur të vetin veç atij të mbretnís s’ Osmanit, se ai qi i ishte zânë Dervish Himës s’ishte veçse nji copë lëvere. Ky pohim i Mid’hatit e çoi trazimin e të rijve e të kolonive shqiptare në kulm, u themelue Dielli i Bostonit e Shkopi i Kajros nergut për të luftue kundra “tradhtís” së “tradhtorit” N. 1 të kombit shqiptar qi kishte fye symbolin e shênjtë të shqiptarís, shpirtin e Skanderbegut. 

Gjithnjë Atë Paulini, prof. Margjokaj, në shkrimin ”Kontributi i Pukës për pavarësi të Shqipnisë” shkëputë nga libri kushtuar vendlindjes së tij, Pukës, botuar në Hyllin e dritës, 2, 2012, fq 3-23, na dëshmon qartë se ndërmjet qindistareve të Flamujve të parë të Pavarësisë, ishin edhe murgeshat stigmatine, krejtësisht të lëna në harresë, e jo më pak nxënëset e tyre që në shkollën françeskane të vajzave, veç qindistarisë, kishin mësuar edhe e kryesisht atdhedashurinë. 

Një variant tjetër, tejet i çuditshëm, pas këtyre që radhitëm më lart, është ai i Petro Pogës, që shkruan:
“Nuk desha të bëja fjalë për ngritjen e flamurit dhe për mënyrën e ngritjes, se janë thënë e janë shkruar shumë po të ekzazheruara dhe më tepër utopira se si është botuarë dhe në fletën e parë” Drita” sikurse flamuri që u ngrit në Vlorë ka qënë i dërguar nga Amerika dhe si mas ca gazetarëve të tjerë sikur ka qenë i qëndisur me serma e me xhufka. Të gjitha këto janë ëndërra, se flamuri i parë që është ngriturë në Vlorë ka qenë një plehurë e kuqe tre metro e gjatë dhe dy metro e gjerë mbi të cilin u shtyp shqiponja dy krenore me ngjyrë të zezë. Me atë bashkë u gatitën dhe 4-5 të tjerë më të vegjël. Plehura e kuqe u ble te një tregtar i quajtur Diamant dhe u qepnë tek një rrobaqepës i quajtur Thoma, se nuk prite koha për të gatiturë flamurë luks. Mënyra e ngritjes ish e frikësuar se deti ish i bllokuar. Llogaraja e zënë me vetëdashës, përtej lumit Vjosës ushtëria turke, në Tepelenë ushtria greke, dmth vetëm Vlora ish e rrethuarë nga të katër anët”. (Cfr. Bardhosh Gaqe, “Ata që shpallën Pavarësinë Kombëtare”; SH.B. Naim Frashëri, Tiranë, 1977, fq 234).

Me sa dimë, në festën e ngritjes së Flamurit Kombëtar, Shqipërisë i mungojnë të dy flamujtë kryesor: ai, që shpalosi Dedë Gjo’ Luli në Bratile e ai që valëviti Ismail Qemali në Vlorë!








All the contents on this site are copyrighted ©.