2015-11-28 15:10:00

Papa i porosit të rinjtë ugandezë ta shndërrojnë luftën në paqe!


Pas Meshës, Papa u takua me të rinjtë në Kololo air strip të Kampalës. Të pranishëm, autoritetet civile drejtuese të arsimit, kulturës e sportit. Një vend të veçantë zinin 200 të rinj  të shurdhër, disa të rinj refugjatë si dhe kapelanët e baritorisë rinore. Në tribunë, përveç kryeipeshkit të Kampalës dhe ipeshkvit të ngarkuar me baritorinë e laikëve, ishin edhe 50 të rinj, një çift për çdo dioqezë të vendit e edhe një grup jetimësh.

Nisi me këngë e valle, takimi me të rinjtë, e vijoi me dëshmitë, dhënë nga dy të rinj, Emmanuel Odokonyero e Winnie Nanasumba. Më pas, përshëndetja e ipeshkvit të ngarkuar me baritorinë e laikëve, imzot Paul Ssemogerere.

Tri, temat që preku Papa në fjalën e tij drejtuar të rinjve: shpresa e krishterë, “pellgjet” që duhen kapërcyer në jetë dhe përpjekja për të qenë ndryshe, për të shkuar kundër rrymës.

Papa e nisi fjalimin me fjalë inkurajimi për të rinjtë, duke deklaruar menjëherë cila ishte dëshira e tij për këtë takim: të fuqizojë shpresën. E shpjegoi edhe psenë.

Shpresa e krishterë

Shpresa e krishterë nuk është thjesht optimizëm, është shumë më tepër. Do të thotë  të besosh në premtimet e Krishtit, në forcën e dashurisë së tij:

“Pikërisht kur ndodheni para ndonjë problemi, para ndonjë dështimi, kur punët nuk ju shkojnë mbarë, ankorojeni zemrën tuaj në këtë dashuri, që  ka forcë ta kthejë vdekjen në jetë e ta largojë çdo të keqe. Sjellje, kjo, jo e lehtë. E tregon fakti, vërejti Papa, se rreth  nesh ka shumë njerëz  tejet të shqetësuar. E edhe të dëshpëruar”.

Metafora e pellgjeve

Prej këndej, Papa u tërhoqi vëmendjen të rinjve të ruhen nga disa pengesa, që mund t’i hasin në rrugën e shpresës. E këto pengesa Papa i quajti, me një metaforë të qëlluar, “pellgje”:

“Kur shikoni varfërinë, kur nuk shihni asnjë mundësi para vetes, kur provoni shijen e hidhur të mossuksesit në jetë, në shpirtin tuaj mund të lindë e të rritet dëshpërimi. Mund të tundoheni ta humbisni shpresën. Është gjendja në të cilën ndodhet fëmija kur, duke ecur rrugës, ndalet para një pellgu, që nuk mundet as ta kapërcejë e as  t’i bjerë përqark. Atëherë kërkon ndihmë nga i ati. Jeta na vë shpesh para pellgjeve të tilla”.

Ajo që dua të them, është se të gjithë ne, e edhe Papa, duhet t’i ngjasim këtij fëmije! Sepse vetëm kur jemi të vegjël e të përvuajtur, nuk kemi frikë ta thërrasim në ndihmë Atin. Kemi nevojë të mësojmë që ta mbështesim përsëri shpresën në Të, të vetëdijshëm se është gjithnjë pranë nesh.

Papa foli edhe për një pellg të posaçëm, që mund t’i trembë fort të rinjtë:

“Është frika e dështimit, kur angazhohemi për të dashur, posaçërisht në atë ideal të madh e të lartë, që  është martesa e krishterë”.

Por, shtoi Françesku:

“Po të vijojmë ta shikojmë pellgun, mund të vërejmë edhe ligështitë e frikën, të pasqyruar në vetveten tonë. Ju lutem, mos u dorëzoni përballë tyre”.

Të jeni ndryshe

“Mos kini frikë!”. Kjo, ftesa e Papës drejtuar disa herë të rinjve. Mos kini frikë  as turp të jini ndryshe nga të tjerët, të shkoni kundër rrymës, në një shoqëri, që të shtyn vazhdimisht të zgjedhësh modelin e mirëqenies e të konsumit, model i huaj për vlerat e thella të kulturës afrikane”.

Sipas shembullit të martirëve ugandezë:

“Mos kini frikë nga drita, lërëni të ndrisë në familjet tuaja, në shkollat, në vendet e punës. Mos kini frikë të hyni përvujtërisht në dialog me të tjerët, që mund t’i shikojnë gjërat ndryshe!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.