2015-11-27 14:50:00

Papa në takimin me Autoritetet ugandeze: martirët janë Heronj Kombëtarë!


Rreth orës 16.00 me orën vendase (18.00 me atë evropiane) Françesku u takua me autoritetet e Ungandës dhe me Trupin Diplomatik. Papa e presidenti i Republikës, Yoweri Kaguta Museveni hynë në Sallonin e Konferencave. U pritën nga disa mijëra autoritete civile e personalitete të shoqërisë ugandeze nga fusha e politikës, e ekonomisë dhe e kulturës. I pranishëm, edhe Trupi Diplomatik.

Presidenti  Museveni i drejtoi një përshëndetje të përzemërt Papës, duke e vlerësuar lart këtë vizitë në tokën ugandeze. Papa ia ktheu përshëndetjen me të njëjtën përzemërsi dhe që në fillim kujtoi se arsyeja kryesore e vizitës është 50-vjetori i shenjtërimit të Martirëve ugandezë. Por njëkohësisht vizita është edhe shenjë miqësie e inkurajimi për të gjithë banorët e këtij kombi të madh.

E menjëherë pas, Papa kujtoi martirët, si katolikët, ashtu edhe anglikanët, që dhanë jetën për Zotin dhe për vendin e tyre e, për këtë arsye, janë heronj kombëtarë.

Martirët ugandezë janë heronj kombëtarë

 “Ata, pavarësisht nga besojmat tona të ndryshme fetare e nga bindjet tona, na kujtojnë se të gjithë jemi të thirrur të kërkojmë të vërtetën, të punojmë për drejtësinë e pajtimin, të respektohemi, të mbrohemi e të ndihmohemi reciprokisht, si anëtarë të së njëjtës familje njerëzore”.

Duke u folur autoriteteve vendase, Papa shtoi:

“Këto ideale janë posaçërisht të kërkuara nga burrat e gratë si ju, që keni për detyrë të siguroni, me kritere transparence, qeverisjen e mirë, zhvillimin e gjithmbarshëm njerëzor, pjesëmarrjen sa më të gjerë në jetën publike të Kombit si dhe shpërndarjen sa më të urtë e të drejtë të pasurive të vendit”.

Vëmendje mbi Afrikën

Papa kujtoi, në vijim, se vizita e tij ka edhe një qëllim tjetër, shumë të rëndësishëm: të tërheqë vëmendjen mbi Afrikën në tërësi, mbi shpresat, betejat e fitoret e saj. E ka shumë rëndësi  të jemi të vetëdijshëm se pasuria kryesore e Afrikës, ashtu si e Ugandës, është bekimi, është populli, janë familjet e qëndrueshme, janë të rinjtë e jo më pak edhe pleqtë. Prandaj është shumë e rëndësishme që pasuritë natyrore të mbarështohen mirë e të ruhen me përgjegjësi. Por po aq e rëndësishme është edhe t’i jepet shpresë  e mundësi konkrete të rinjve, domethënë, t’u sigurohet shkolla dhe puna e, në mënyrë të veçantë, theksoi Papa, mundësia për të marrë pjesë aktive në jetën e shoqërisë.

Mikpritja e refugjatëve

Së fundi Françesku inkurajoi përpjekjet e shumta, të heshtura, për strehimin e të varfërve, të sëmurëve dhe të njerëzve, që kalojnë vështirësi nga më të ndryshmet. Në këto shenja të vogla, kujtoi, mund të shikojmë shpirtin e vërtetë të një populli.

Uganda, shembull i mikpritjes së refugjatëve

E, në këtë drejtim, pohoi në vijim, “Uganda  u angazhua  në mënyrë të jashtëzakonshme, duke i mikpritur refugjatët e duke u krijuar, kështu, kushtet për t’i ringritur në këmbë jetët e tyre të rrënuara”:

“Bota jonë, e trazuar nga luftërat, dhuna e forma të ndryshme të padrejtësive, është dëshmitare e një lëvizjeje të  pashembullt popujsh. Mënyra si e përballojmë këtë dyndje, është provë e humanitetit tonë, e respektit për dinjitetin njerëzor e, para së gjithash, e solidaritetit tonë me vëllezërit e motrat, që  kalojnë çaste vërtet tragjike”.








All the contents on this site are copyrighted ©.