2015-11-27 18:31:00

Papa në Munyonyo: puna e katekistëve është shenjte


Veprimtaria e fundit e ditës së sotme e çoi Papën Françesku në Munyonyo, vendi ku mbreti i atëhershëm u Bugandës, Mwanga, pasi e kishte pranuar krishterimin vite më parë, mori vendimin t’i shfaroste të krishterët, duke vrarë kështu katër martirët e parë ugandezë, më 25 e 26 maj 1886. Ndër ta, shën Andrea Kaggwa, Pajtor i katekistëve dhe i mësuesve të Ugandës. E Ati i Shenjtë nuk mund të mos i takonte pikërisht këtu katekistët dhe mësuesit e po këtu bekoi edhe gurin e parë të kishës së re.

Puna e katekistëve është shenjte

Puna e katekistëve, u tha Papa të pranishmëve, është punë shenjte. Në një fjalim të shkurtër, Ati i Shenjtë lavdëroi impenjimin e edukatorëve të rinisë për ta çuar Lajmin e Mirë të Ungjillit në çdo fshat e në çdo shtëpi:

 “Faleminderit për përkushtimin tuaj, për shembullin që jepni, për afërsinë me Popullin e Zotit në jetën e përditshme e për mënyrat e shumta me të cilat mbillni e kultivoni farat e fesë në këtë tokën tuaj të gjerë! Sidomos, faleminderit që u mësoni fëmijëve dhe të rinjve si të luten”.

Vlera e dëshmisë

Edhe kur puna duket e vështirë, vijoi Ati i Shenjtë, kujtohuni se Shpirti i Shenjtë është i pranishëm aty ku shpallet emri i Krishtit, është i pranishëm në lutje e do t’ju japë dritën e forcën për të cilën keni nevojë:

“Mesazhi që mbartni do të rrënjoset thellë në zemrat e njerëzve në atë masë, sa do të dini të jeni jo vetëm mësues, por edhe dëshmitarë. Shembulli juaj u zbuloftë të gjithëve bukurinë e lutjes, pushtetin e mëshirës dhe të faljes, gëzimin e ndarjes së Eukaristisë me të gjithë vëllezërit e motrat”.

Mos kini frikë

Papa kujtoi martirizimin e të krishterëve ugandezë, katolikë e anglikanë e uroi që flijimi i tyre të vazhdojë të japë fryte të begata përshpirtërie në këtë tokë afrikane.:

“Bashkësia e krishterë në Ugandë është rritur shumë falë dëshmisë së martirëve. Ata dëshmuan se e vërteta të bën të lirë; qenë të gatshëm të derdhnin gjakun për të mbetur besnikë ndaj asaj, që e dinin se ishte e mirë, e bukur dhe e vërtetë…Shën Andrea, Pajtori juaj, e të gjithë katekistët ugandezë nxjerrshin prej Zotit hirin që ju të jeni mësues të urtë, burra e gra me fjalë plot me Hirin e Tënzot, të aftë për një dëshmi bindëse të së vërtetës së Hyjit dhe të gëzimit të Ungjillit! Shkoni pa frikë në çdo qytet e fshat të këtij vendi, për të përhapur farën e mirë të Fjalës së Zotit e kini besim në premtimin e Tij se do të ktheheni në festë, me duaj plot me të korra të bollshme”.

 Në fund të takimit, Papa mbolli simbolikisht një pemë, duke i hedhur edhe ujë së bashku me kryeipeshkvin katolik e me liderët e besimit ortodoks e protestant, për të vënë në pah përmasën ekumenike të martirizimit të ugandezëve. Më pas, Ati i Shenjtë bekoi një shtatore të shenjtit Andrea Kaggwa, vendosur pikërisht në vendin e martirizimit të tij.








All the contents on this site are copyrighted ©.