2015-11-27 15:04:00

Karl Lwanga me shokë, Martirë


Karl Lwanga (Bulimu, 1865-Namugongo, 3 qershor 1886) ishte kryetar i pazhëve  në oborrin e mbretit Muanga të mbretërisë së vjetër të pavarur të Bugandës, sot provincë e Republikës së Ugandës. U pagëzua gjatë ungjillëzimit të Kongregatës së Etërve të Bardhë, themeluar nga kardinali Lavizherie. Rregulltarët e Bardhë e filluan ungjillëzimin e vendit në qershorin e vitit 1879. Fillimisht u pritën mirë nga vetë mbreti Muteza e edhe nga pasardhësi i ri, mbreti Muanga. Por ky i fundit u ndikua shpejt nga kancelari i mbretërisë dhe nga kryetarët e fiseve. Pasi ndryshoi sjelljen e favorshme ndaj të krishterëve, mbreti urdhëroi shtypjen e përndjekjen e tyre dhe nuk ngurroi t’i vriste disa me duart e veta. Prefekt i sallës mbretërore, Karli u përpoq t’i mbronte pazhët, viktima të amoralitetit të mbretit. I dënuar me vdekje, u dogj i gjallë mbi kodrën e Namugongo, së bashku me tridhjetë shokë të tjerë, katolikë e anglikanë, të gjithë të rinj. Pas turrës së madhe të druve të 3 qershorit, me prerjen e kokës së kryeshërbëtorit të mbretit, Jozef Balikudembes, vijoi martirizimi i të krishterëve të tjerë, që u torturuan e gjymtuan në mënyrë të tmerrshme. Nga 15 nëntori i vitit 1885 deri më 27 janar 1887, u masakruan mbi njëqind të krishterë. 

U shpall i Lum më 6 qershor të vitit 1920 nga Papa Benedikti XV; shenjtor, nga Papa Pali VI, gjatë Koncilit II të Vatikanit,  më 8 tetor 1964. 
 Në Namugongo është ndërtuar një shenjtërore e madhe në nder të njëzet e dy shenjtorëve ugandas, shuguruar nga Papa Pali VI gjatë vizitës së tij apostolike në Ugandë, në korrik të vitit 1969. Pikërisht në Shenjtëroren e Namugongos, Papa Montini u pati bërë thirrje besimtarëve ta duan Jezu Krishtin, të jenë besnikë të Kishës, të fortë e guximtarë në mbrojtjen e vlerave shpirtërore e njerëzore. 








All the contents on this site are copyrighted ©.