2015-11-26 16:32:00

Papa në UNON: Planeti, atdhe e njerëzimi, popull që banon në shtëpinë e përbashkët


Në orën 17.00 me orën vendase (15.00 me atë evropiane) Papa Françesku vizitoi  Selinë e  Shtabit të Përgjithshëm të OKB-së në Afrikë, e pikërisht në UNON - The United Nations Offices of Nairobi (në Zyrën e Kombeve të Bashkuara në Nairobi). Zyra ka rol përfaqësie e koordinimi me Kenian, misionet diplomatike, qeveritë, organizatat qeveritare e jo qeveritare dhe organizmat e OKB-së në Kenia. Në Selinë e UNON ndodhen  zyrat e tjera të dy Programeve të OKB-së, UNEP-it (United Nations Environment Programme)(Programi i OKB-së për Ambientin) dhe UN-Habitat (United Human Settlements Programme)(Programi i OKB-së për Qendrat Njerëzore të Banimit). Në Nairobi ndodhen edhe zyrat rajonale të rreth 20 organizatave ndërkombtare të OKB-së për Afrikën.

Papa Françesku, që arriti këtu rreth orës 17.30 me orën vendase, u prit nga drejtoresha e përgjithshme e UNON, zonja Sahle-Work Zewde dhe personalitete të tjera. Drejtoresha e përgjithshme, e shoqëroi Papën në park, me një veturë të vogël elektrike. Aty Ati i Shenjtë mbolli një pemë simbolike, para se të  vijonte drejt ndërtesës së re të UNEP, deri në sallën e Konferencave, që mund të zërë 3 mijë vetë (Delegatë, diplomatë të akredituar pranë UNEP-it dhe stafin). Për këtë pemë, gjatë fjalimit në tribunën e UNEP, do të shprehej kështu:

Të mbjellësh një pemë, në radhë të parë është ftesë për të vijuar luftën kundër fenomeneve si shpyllëzimi e shkretimi i tokës. Së dyti, kjo na kujton se duhet t’i ruajmë e t’i përdorim me përgjegjësi mushkëritë e planetit”.

Tri temat kryesore të fjalimit të Papës

Takimin e hapi drejtoresha e përgjithshme, e cila i drejtoi Papës fjalën e përshëndetjes. Pas saj folën dy drejtorët ekzekutivë. E, së fundi, e mori fjalën Papa Françesku. Në fjalimin e tij tejet të rëndësishëm, preku tri tema kryesore: temën e mbrojtjes së ambientit dhe të pasurive natyrore, temën e përgjegjësisë së përbashkët dhe atë të urbanizimit e të luftës kundër varfërisë dhe përjashtimit.

Papa u foli drejtuesve të OKB-së, të Programit të Kombeve të Bashkuara për Ambientin e të OKB-Habitat, duke iu rikthyer disa koncepteve të shprehura në enciklikën “Lëvduar qofsh” e duke ritheksuar se nuk bëhet fjalë për utopi, por për kthesë, për të ndryshuar drejtimin. Prej këndej kujtoi 3 takimet e ardhshme, të lidhura me këto tema: COP21, Konferenca për klimën në Paris; Habitat–III, konferencë që do të mbahet në Quito, në tetor 2016 dhe, së fundi, Konferencën e 10-të ministeriale  të Organizatës Botërore të Tregtisë, që do të hapet pas pak ditësh në Nairobi.

Mbrojtja e ambientit dhe e pasurive natyrore

Françesku i inkurajoi organizmat ndërkombëtare dhe organizatat e shoqërisë civile të vijojnë, edhe me mekanizma legjitime, nxitjen e çdo qeverie për të kryer detyrën e saj lidhur me mbrojtjen e ambientit dhe të burimeve natyrore:

“Pas pak ditësh do të fillojë në Paris, një takim i rëndësishëm mbi ndryshimet klimaterike, në të cilin bashkësia ndërkombëtare do ta përballojë edhe një herë këtë problematikë. Do të ishte e trishtuar,  e guxoj të them edhe katastrofike, nëse interesat private do të kishin epërsi mbi të mirën e përbashkët e do të arrinin t’i manipulonin informacionet thjesht për të mbrojtur projektet e tyre”.

Sinjalet, që priten nga Konferenca e Parisit

Marrëveshja e Parisit, vijoi Papa, mund të japë një sinjal të qartë në këtë drejtim, me kusht që, siç pata rastin të them para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, të shmangim çdo tundim, që mund të na shtyjë të biem në një nominalizëm deklamues, në fjalë të zbrazta, thjesht për të qetësuar ndërgjegjet:

Duhet të kemi kujdes që institucionet tona të jenë realisht të frytshme”.

Tri objektivat

Prej këndej, shpresoj se COP21 do të arrijë të përfundojë një marrëveshje globale “shndërruese’, të bazuar mbi parimet e solidaritetit, të drejtësisë, të paanësisë e pjesëmarrjes dhe të orientojë për arritjen e tri objektivave, të ndërlikuara, e njëkohësisht, të ndërvarura: reduktimi i ndikimit të ndryshimeve klimaterike, lufta kundër varfërisë dhe respektimi i dinjitetit  të njeriut”.

Planeti, atdhe i përbashkët i njerëzimit

Plot optimizëm, Papa pohoi: Pavarësisht nga vështirësitë e shumta, po afirmohet prirja për ta konceptuar planetin si atdhe, e njerëzimin, si popull, që banon në një shtëpi të përbashkët” (Qofsh lëvduar, 164). Asnjë vend nuk mund të veprojë pa e përfillur përgjegjësinë e përbashkët. Nëse duam me të vërtetë ndryshime pozitive, duhet ta pranojmë përvujtërisht ndërvartësinë, që nuk do të thotë imponim e as  nënshtrim i më të ligshtit nën thundrën e më të fortit”.

Dialog e  përgjegjësi

Papa kërkoi dialog të sinqertë e të hapur dhe bashkëpunim të ndërgjegjshëm të të gjithëve: të politikës, kulturës, shkencës, ekonomisë, me vetëdijen se njeriu mund të zvetënohet në kulm, por mund edhe të rilindë. Prej këndej, nëse njerëzimi i periudhës pas-industriale mund të kujtohet si më i papërgjegjshmi në histori, njerëzimi i shekullit XXI mund të kujtohet për marrjen bujarisht mbi vete të përgjegjësive të rënda, që i takojnë:

Për këtë qëllim është e nevojshme që ekonomia dhe politika të vihen në shërbim të popujve. Nuk është utopi e as fantazi, përkundrazi, është perspektivë realiste,  që e shikon njeriun dhe dinjitetin e tij si pikënisje, drejt së cilës duhet të synojnë të gjithë”.

Kthesë, me angazhimin e të gjithëve!

Vijoi të fliste për kthesë Papa, duke theksuar se kjo kthesë mund të realizohet vetëm me angazhimin e të gjithëve, me stile të reja jete, me formim të gjithanshëm, me kulturën e kujdesit për vete e për të tjerët, kujdesit për mjedisin, për ndërgjegjen e përbashkët e ndarjen e përbashkët, gjë që do të krijonte mundësitë për zhvillimin e bindjeve të reja, sjelljeve të reja, stileve të reja të jetesës, që duhen çuar përpara.

Kurrë më viktima të kulturës së hedhurinës!

Papa kujtoi edhe viktimat e kulturës së hedhurinës, njerëz, që u flijuan e vijojnë të flijohen mbi elterin e idhujve të fitimit e të konsumit. Më pas  kërkoi të shikohet me sy kritik globalizimi i indiferencës, duke kujtuar format e reja shkandulluese të skllavërisë moderne: trafikun e njerëzve, punën e detyruar, prostitucionin, trafikun e organeve e duke kërkuar solidaritet:

Duhet të jemi të vëmendshëm përballë një shenje të trishtuar të globalizimit të indiferencës, që dalëngadalë të bën të mësohesh me vuajtjen e tjetrit deri në atë masë, sa të të duket krejt normale. Shumë jetë, shumë histori, shumë ëndrra humbasin në kohën tonë. Nuk mund të jemi indiferentë  përballë tyre, nuk kemi të drejtë!”.

Jo, dhunës dhe pasojave të saj!

Françesku vuri theksin edhe tek dhuna, zanafilla e pasojat e saj, duke theksuar lindjen e formave të reja të agresivitetit shoqëror, trafikun e drogës, përhapjen në rritje të përdorimit të saj në mosha krejt të reja, humbjen e identitetit, anonimatin shoqëror.

Lidhur me problemin e urbanizimit, Papa kërkoi kushte dinjitoze jetese për të gjithë, duke kujtuar posaçërisht skajet e skutat e mjerimit në qytetet e mëdha të botës. Prej këndej, shpresa se Konferenca Habitat III, që do të mbahet në Quito, në tetor 2016, do t’i ketë parasysh mënyrat për përballimin e kësaj problematike të mprehtë.

Zhvillim i gjithanshëm i njeriut

Për shpresa të tilla foli Papa, duke kujtuar edhe Konferencën e 10-të Ministeriale të Tregtisë, që do të mbahet në Najrobi, në të cilën do të preken problemet e varfërisë, të mbrojtjes së shëndetit, zhvillimit të gjithanshëm të njeriut, duke vënë theksin mbi domosdoshmërinë e kujdesit shëndetësor për të gjithë.

Në përfundim Papa rikujtoi përsëri angazhimin e bashkësisë katolike dhe atë personale për t’u lutur e për të ndihmuar që frytet e bashkëpunimit rajonal, të cilat shprehen sot në gjirin e Bashkimit Afrikan si dhe në shumë marrëveshje afrikane të tregtisë, të bashkëpunimit dhe të zhvillimit, të vihen me guxim në jetë, duke pasur gjithnjë parasysh të mirën e përgjithshme të bijve të kësaj toke.

Françesku e përfundoi fjalimin e tij të gjatë, që preku pikat më nevralgjike të “shtëpisë së përbashkët” të njerëzve e popujve, me një bekim:

“Bekimi i të Tejetlartit qoftë mbi të gjithë, mbi secilin nga ju e mbi popujt tuaj!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.