2015-11-25 18:33:00

Më 25 nëntor kalendari kujton Shën Katerinën e Aleksandrisë, virgjër e martire.


Më 25 nëntor kalendari kujton Shën Katerinën e Aleksandrisë, virgjër e martire. Kulti i Shën Katerinës është jashtëzakonisht i përhapur. Figurën e saj e gjejmë në bazilikën romake të Shën Lorencit, në katakombet e Shën Gjenarit në Napoli dhe në të katër anët e Evropës, ku frymëzoi edhe shfaqje me karakter kishtar e këngë të përshpirtërisë popullore. Festa e saj e përvitshme kremtohet si festë e të rinjve: në Francë Shën Katerina njihet si pajtorja qiellore e studentëve të teologjisë dhe e shumë bashkësive femërore. Është gjithashtu pajtore qiellore e vajzave që mësojnë mjeshtërinë e rrobaqepëses, të cilat janë njohur për një kohë të gjatë me emrin "katerinette" në mbarë Evropën. Por atë e njohin si pajtore edhe berberët, mëndeshat, vajzat në moshë të martesës, të burgosurit e, nga që i mbaroi ditët e torturuar mbi një rrotë me thumba - edhe të gjitha mjeshtëritë, të cilat kanë lidhje me rrotën: që nga qerrexhinjtë tek vegsharët, nga mprehësit e thikave tek gomistët e biçiklistët.
Dhjetëra piktorë janë frymëzuar nga figura e përkryer e Shenjtores, e cila në lule të rinisë e të bukurisë, ia fali gjithë vetveten Krishtit, duke u copëtuar mbi thumbat e rrotës, ku e kishin lidhur.
Portretin e saj e ka pikturuar edhe piktori i shquar shqiptar Lin Delija, duke i dhënë, sipas stilit të tij, ngjyrime të forta vendase. Shenjtja e Delisë është e veshur me kostum kombëtar shqiptar e mban në dorë një rrotë, që duket sikur ka dalë nga punishtet e lashta ilire të rrotave. Portreti ndodhet në Kuvendin e fretërve të Gjuhadolit në Shkodër.








All the contents on this site are copyrighted ©.