2015-11-24 15:20:00

Papa: paqe e prosperitet për Afrikën


Nesër Papa Françesku do të shkojë në Afrikë. Udhëtimi apostolik i Atit të Shenjtë Bergoglio është rast i madh për një kontinent si Afrika, që është duke ndërtuar të sotmen dhe të ardhmen e vet, ndërmjet mijëra vështirësish, por që synon me plot të drejtë të bëhet një prej protagonistëve të skenës botërore. Kështu, vizita papnore në Afrikë, që nis nesër, është jashtëzakonisht e çmueshme dhe e pasur me sfida, jo vetëm për Kishën, por për të gjithë.

Papa Françesku do të vizitojë tre vende, Kenian, Ugandën, që janë duke jetuar perspektivat e zhvillimit, dhe Afrikën Qendrore, e cila po përpiqet të dalë nga një situatë konflikti e nga kërcënimi i terrorizmit; që të tria shikojnë me shpresë drejt një të ardhme më të mirë, drejt prosperitetit shoqëror dhe ekonomik.

Paqe e prosperitet për tokat e dashura të Kenias, të Ugandës e të Afrikës Qendrore: ky është urimi i Papës për popullsitë e vendeve afrikane. Ati i Shenjtë Bergoglio shkon, për herë të parë, në tokën afrikane, si lajmëtar i paqes, për të promovuar mesazhin e pajtimit, të faljes e të paqes mes etnive dhe feve.

Ndër temat e këtij udhëtimi, njofton atë Federiko Lombardi, janë: paqja, dialogu ndërfetar, dëshmia e martirëve të krishterë.

Të mërkurën më 25 nëntor, kur avioni papnor do të mbërrijë në Najrobi, do të fillojë udhëtimi i Papa Françeskut i cili, edhe një herë, preferon të fundmët, njerëzit e mënjanuar, “periferitë” e botës.

Në Kenia, Papa do të arrijë, pra, të mërkurën, më 25 nëntor në orën 17.00. Në Najrobi Papa do të shkojë për vizitë tek Presidenti i Republikës e do të takohet me autoritetet dhe me Trupin diplomatik të vendit.

Të enjten, më 26 nëntor, Papa do të ketë një takim ndërfetar dhe ekumenik, pasuar nga Mesha në Campus-in universitar të kryeqytetit. Pasdite, takimi me klerin e rregulltarët si dhe vizita në Zyrën e OKB-së, në Nairobi.

Të premten, më 27 nëntor, Papa  do të shkojë në lagjen  e varfër  Kangemi. Në orën 10.00, takimi me të rinjtë në Stadiumin Kasarani, pasuar menjëherë nga takimi me ipeshkvijtë e vendit.  Pasdite Papa do të niset për në Entebbe, në Ugandë: edhe këtu menjëherë në program, vizita e kortezisë ndaj Presidentit të Republikës dhe takimi me autoritetet e me Trupin diplomatik. Në mbrëmje, Papa do të jetë në Munyonyo, për të përshëndetur katekistët dhe mësuesit.

Të shtunën, më 28 nëntor, Papa do të vizitojë dy shenjtëroret kushtuar martirëve ugandezë nga katolikët e anglikanët. Në orën 9.30, Mesha për Martirët e Ugandës në zonën e shenjtërores  katolike. Pasojnë takimi me të rinjtë në Kololo Air Strip, në Kampala, vizita në Shtëpinë e Bamirësisë të Nalukolongo dhe takimet me ipeshkvijtë e Ugandës, me klerin dhe me rregulltarët.

Të dielën më 29 nëntor, nisja e Papës për Bangui, në Republikën e Afrikës Qendrore, ku parashikohet të mbërrijë në orën 10.00. Menjëherë, vizita e mirësjelljes presidentit të tranzicionit e takimi me klasën drejtuese dhe me Trupin diplomatik. Në 12.15, vizita e Papës në një kamp refugjatësh, pasuar nga takimet me ipeshkvijtë qendroafrikanë e me ungjillorët. Në orën 17.00, mesha me klerin, rregulltarët e të rinjtë në Katedralen e  Bangui-t. Dita do të përfundojë në orën 19.00, me rrëfimin e disa të rinjve dhe mbrëmësoren e lutjes në sheshin para katedrales.

Të hënën, më 30 nëntor, Papa do të takohet me bashkësinë myslimane në Xhaminë qendrore të Koudoukou, në Bangui. Në orën 9.30, Mesha në Stadiumin e Kompleksit sportiv Barthélémy Boganda. Në orën 12.30, nisja nga Aeroporti Ndërkombëtar “M’Poko” i Banguit. Arritja në Romë-Ciampino parashikohet për në orën 18.45.








All the contents on this site are copyrighted ©.