2015-11-23 13:59:00

Papa: Kisha është besnike nëse thesari i saj është Jezusi e jo siguritë e botës


Kisha është besnike, nëse i vetmi thesar i saj dhe i vetmi interes është Jezusi, ndërsa mbetet e vakët e mediokre, nëse kërkon sigurinë e vet në sendet e botës: janë fjalët e Papës gjatë Meshës së mëngjesit, kremtuar sot në Shtëpinë e Shën Martës.

Thesari i vetëm i Kishës është Jezusi

Ungjilli i ditës na flet për vejushën e varfër, që hedh në thesarin e Tempullit dy kacidhe, ndërsa të pasurit, thjesht për t’u dukur, hedhin para pa kursim. Jezusi pohon se kjo vejushë kaq e varfër, hodhi më shumë se të gjithë, sepse të tjerët dhanë tepricat, ndërsa kjo, në mjerimin e saj, dha gjithçka kishte për të jetuar. Në Bibël - komentoi Françesku – vejusha është grua e vetmuar, pa burrë që ta ruajë, ta ndihmojë e t’i dalë zot. Vetë grua e vetë burrë, duhet t’i dalë zot vetes e shpesh, edhe të mbështetet mbi ndihmën e bamirësisë publike. Po vejusha e këtij fragmenti ungjillor i kishte mbështetur të gjitha shpresat në Zotin. Mua, shtoi Papa, më pëlqen të shikoj, në figurat e vejushave të Ungjillit, figurën e “vejnisë së Kishës, që pret kthimin e Jezusit, Zotërisë së vet”:

“Kisha është nusja e Jezusit, por Zotëria i saj iku e shkoi. E i vetmi thesar është Zoti i saj. E Kisha, kur është besnike, lë gjithçka, në pritje të Zotit të vet. Ndërsa kur Kisha nuk është besnike, o nuk është aq besnike, o nuk ka shumë besim në dashurinë e Zotit të vet, kërkon të ujdiset edhe me mënyra të tjera, kërkon siguri të tjera, që vijnë më shumë nga bota, sesa nga Zoti”.

Kisha, që qan e lufton për bijtë e saj

Vejushat e Ungjillit, vërejti Papa, na kujtojnë një mesazh të bukur të Krishtit për Kishën:

“Është ai i vejushës vetmitare, që dilte nga Nain, me arkivolin e birit të vetëm. Dilte e qante. Vetëm. Edhe pse rreth e rreth saj kishte shumë njerëz të mirë, që e shoqëronin. Po zemra e saj ishte vetëm! Figurë, kjo, e Kishës, që qan kur bijtë e saj vdesin për jetën e Jezusit”.

E është edhe ajo tjera, vejusha që, për t’i mbrojtur fëmijët, shkon tek gjykatësi i pandershëm e ia nxin jetën, duke i trokitur ditë-natë në portë e duke bërtitur me sa zë që kishte “Dua drejtësi!”. E në fund të fundit e bën t’ia nxjerrë të drejtën në shesh. Është Kisha e vejë, që lutet, që ndërmjetëson për bijtë e saj. Po zemra e Kishës është gjithnjë me Dhëndrin e vet, me Jezusin. Është atje lart! Edhe shpirti ynë, sipas etërve të shkretëtirës, i ngjet shumë Kishës. E kur shpirti ynë, jeta jonë, është më pranë Jezusit, largohet nga shumë sende të botës, sende që nuk duhen gjë, që nuk të ndihmojnë e të largojnë nga Krishti. Kështu është Kisha jonë, që kërkon Dhëndrin e saj, pret Dhëndrin e saj. Pret takimin me Të e qan për bijtë, lufton për bijtë, jep gjithë ç’ka mbas shpirtit, sepse interesohet vetëm për Dhëndrin e vet.

Kisha besnike e Kisha mediokre

Vejnia e Kishës - shpjegoi Papa - të kujton faktin se Kisha është në pritje të Jezusit: “Mund të jetë një Kishë, që pret pa e thyer kurrë besën e dhënë. Kishë, që pret me besim kthimin e fatit të vet. Ose Kishë, që i ngjet një vejushe të pabesë, një gruaje, që kërkon siguri dikund tjetër…. Kishë e vakët. Kishë mediokre. Kishë që mendon e punon sipas mendësisë së botës. Të mendojmë edhe për shpirtrat tanë, ishte mendimi i fundit: “Shpirtrat tanë kërkojnë siguri vetëm në Zotin, apo kërkojnë rrugë të tjera e siguri të tjera, që nuk i pëlqejnë Zotit?”:

“Në këto ditët e fundit të Vitit Liturgjik do të na bënte mirë ta pyesnim shpirtin tonë: a është si kjo Kishë, që e do Jezusin? A i drejtohet Dhëndrit të saj e i thotë: ‘Eja, o Zot Jezus! Eja!’. E a i lë mënjanë të gjitha këto gjëra, që nuk duhen e nuk na ndihmojnë aspak për të qenë besnikë?”.

Këtyre pyetjeve secili t’u japë përgjigje në zemër të vet!








All the contents on this site are copyrighted ©.