Kisha kremtoi sot më 23 nëntor Shën Klementin I Romak, Pasardhës i katërt i Shën
Pjetrit, i nderuar që në shekujt e parë të krishterimit me titullin e martirit. Klementi
I, papë e martir romak, është ndër Etërit e mëdhenj të Kishës.
Për Papën Klementi I romak, por me origjinë hebraike, flasin shumë autorë të lashtë.
Prej tyre mësojmë se pasi themeloi e përforcoi Kishën e Romës, Shën Pjetri u martirizua
e vendin e tij e zuri Lini. Pas Linit u zgjodh papë Anakleti. Pas tij, episkopati
i Romës iu besua Klementit, i cili u bë kështu ipeshkvi i katërt i Qytetit të Amshuar,
pas Shën Pjetrit. Ai kishte njohur apostujt, kishte kumtuar së bashku me ta Ungjillin
e e kishte ende ndër veshë jehonën e predikimeve të tyre, të cilën ia përcolli pasardhësve
që u ulën pas tij në fronin e Shën Pjetrit.
Në Letrën e tij drejtuar korintianëve, Shën Klementi I, papë na ofron një dokument
që përmban një reflektim ndriçues mbi identitetin e Kishës dhe mbi rolin e laikëve.
Nën Papën Klementin Romak, me që bashkësia e vëllezërve të Korintit qe tronditur thellë
nga përçarjet, Kisha e Romës i drejtoi një Letër, në të cilën prekeshin temat aktuale
– atëherë e sot – të identitetit të Kishës e të misionit të saj. Dokumenti i nxiste
besimtarët të ishin të përvujtë e ta donin njëri-tjetrin me dashuri vëllazërore. Madje
në Letër ndeshim për herë të parë fjalën ‘laik’, apo ‘shekullar’, që në letërsinë
e krishterë do të thotë ‘anëtar i popullit të Zotit’. Në këtë letër Shën Klementi
shpjegon se në Kishë të gjithë, të bashkuar në mënyrë të pandashme, janë gjymtyrë
të njëri-tjetrit. Po mos të harrojmë se “dallimi ndërmjet laikut e hierarkisë nuk
do të thotë kurrsesi kundërvënie, është thjesht lidhje organike e një trupi, e një
organizmi, me funksione të ndryshme. Kisha nuk është vend pështjellimesh e anarkie,
ku kushdo mund të bëjë si të dojë e kur të dojë: secili në këtë organizëm ushtron
detyrën e tij, me një strukturë të mirëorganizuar, sipas thirrjes që ka marrë” (Benedikti
XVI katekizmi në audiencë të përgjithshme të 7 marsit 2007)
Para së gjithash – u shkruan Klementi korintianëve, në përpjekjen për t’i pajtuar
– është kumtimi i gëzueshëm i hirit, që shëlbon. Ky kumtim e mbush me gëzim jetën
tonë e i jep siguri veprimtarisë sonë: Zoti na paraprin përherë me mirësinë e tij
e mirësia e Zotit është gjithnjë shumë më e madhe se të gjitha mëkatet tona. Por ne
duhet të angazhohemi e të punojmë në mënyrë koherente me dhuratën, që kemi marrë e
t’i përgjigjemi kumtimit të shëlbimit, duke ecur me fisnikëri e guxim në rrugën e
pendimit, shkruan Shën Klementi, duke nënvizuar edhe idealin e tij për Kishën, mbledhur
nga i vetmi Shpirt i hirit, që i jep frymë gjymtyrëve të ndryshme të Krishtit.
Klementi shpjegon qartë doktrinën e vazhdimësisë apostolike, duke nënvizuar se normat
që e rregullojnë, burojnë nga vetë Zoti. Gjithçka vjen nga vullneti i Zotit – shkruan
Shën Klementi. E këtu theksohet me forcë se Kisha ka strukturë sakramentore e jo strukturë
politike:
“Kisha mbi të gjitha është dhuratë e Hyjit e jo krijesë e jona, prandaj kjo strukturë
sakramentore nuk garanton vetëm rendin e zakonshëm, por edhe përparësinë e dhuratës
së Zotit, për të cilën kemi nevojë të gjithë”. ” (Benedikti XVI katekizmi në audiencë
të përgjithshme të 7 marsit 2007)
E Klementi I papë e përfundon Letrën e tij me një lutje të frymëzuar, lutja më e lashtë,
pas teksteve të Besëlidhjes së Re – për institucionet politike, menjëherë pas persekutimit
të të krishterëve. Na kujton sërish, kështu, se duhet të lutemi për ata që na persekutojnë,
ashtu siç bëri Jezusi mbi Kryq. Kjo lutje i prin në rrjedhë shekujsh sjelljes së të
krishterëve ndaj politikës e shtetit:
“Duke u lutur për autoritetet, Klementi njeh ligjshmërinë e institucioneve politike
e njëkohësisht shqetësohet për to, sepse dëshiron që këto institucione ta ushtrojnë
pushtetin që u ka dhënë Zoti në paqe e përdëllim (61,2).Qesari nuk është gjithçka.
Mbi të lartohet një sovranitet tjetër, zanafilla dhe thelbi i të cilit nuk janë të
kësaj bote, por të botës qiellore: është kjo e Vërteta e Zotit, që kërkon edhe nga
shteti të drejtën të dëgjohet”. ” (Benedikti XVI katekizmi në audiencë të përgjithshme
të 7 marsit 2007).
Ende sot Bazilika e Shën Klementit I romak, papë e martir është një nga vendet më
të vizituara në Romë. E ngritur në shekullin IV në Çelio, mbi rrënojat e një ndërtese
më të lashtë dhe e rindërtuar disa herë, Kisha ka tri navata, në njërën nga të cilat
qenë varrosur reliket e Shën Klementit I, të mbartura në Romë nga Krimeja në vitin
868 nga shenjtorët Qirilli e Metodi. Sipas gojëdhënës, Klementi I u mbyt në Krime,
vend ku ishte internuar nga Nerva, me një spirancë të varur në qafë
Në Bazilikën e Shenjtit mund të shijohen akoma afresket e realizuara në vitin 1084,
kushtuar jetës së Papës, të pajisura me shpjegime, që janë dokumentet e para të gjuhës
vulgare italiane.
All the contents on this site are copyrighted ©. |