2015-11-21 18:01:00

Françesku: edukimi t’i përfshijë të gjithë, është dështim të ngresh mure


Edukimi duhet t’i përfshijë të gjithë, pa bërë kurrë prozelitizëm në shkollat katolike. Këtë pohoi Papa Françesku gjatë audiencës me pjesëmarrësit e Kongresit Botëror, organizuar nga Kongregata për Edukimin Katolik, pritur sot në Sallën Pali VI, në Vatikan. Duke iu përgjigjur lirisht disa pyetjeve, Papa nënvizoi se mësuesit janë ndërmjet punonjësve që paguhen më keq, ndonëse luajnë një nga rolet më të jashtëzakonshme për zhvillimin e njerëzimit. Në vijim kërkoi që në edukim të mos ketë kurrë vend për përzgjedhje, gjë që  i largon të pasurit nga të varfërit.

Nga Afrika, në Tokën Shenjte; nga India, në Rione Sanità të Napolit… Ishin tejet prekëse dëshmitë, sjellur para Papës Françesku, shenjë që tregon sesi Kisha, në të katër skajet e tokës, përpiqet të mbrojë dinjitetin e njeriut, dialogun, kulturën, përmes institucioneve të saj edukative. Ishte një audiencë jashtëzakonisht e përzemërt, e ndërperë shpesh nga këngët dhe dëshmitë në gjuhë të ndryshme, që treguan edhe një herë universalitetin e Kishës, edhe në fushën e edukimit.

Më pas, fjalët e Françeskut, duke nisur nga porosia që të edukohen  nxënësit krishterisht, por duke shmangur prozelitizmin e që të mos mungojë kurrë transhendenca, dëshira për t’ia hapur zemrën Zotit. Ati i Shenjtë u shpreh kundër edukimit përzgjedhës, që i largon të pasurit nga të varfërit dhe kërkoi të rilidhet pakti i këputur edukativ ndërmjet familjes e shtetit, në mënyrë që edukimi t’i përfshijë të gjithë, pa lënë askënd përjashta. Madje, duke e përqendruar vëmendjen kryesisht në periferitë, për të rritur të rinj me ndjenja thellësisht njerëzore. E, së fundi, porosia e Papës për të mos ngritur mure, sepse muret janë dështimi më i madh i edukatorëve. 








All the contents on this site are copyrighted ©.