2015-11-21 17:18:00

Botim dokumentesh të rezervuara: 5 kërkesa për hedhje në gjyq


Gjykata e Shtetit të Qytetit të Vatikanit njoftoi të pandehurit Vallejo Balda, Francesca Immacolata Chaouqui, Nicola Maio, Emiliano Fittipaldi e Gianluigi Nuzzi- dhe avokatët e tyre – lidhur me hedhjen në gjyq nga Zyra e Promotorit të Drejtësisë në përfundim të fazës hetimore të procesit në vijim për botimin e paligjshëm të lajmeve dhe të dokumenteve të rezervuara dhe të Dekretit pasues për gjykim, lëshuar nga Kryetari i gjykatës më datën 20 nëntor.

Përveç akuzave të veçanta të tre të parëve, si punonjës të Vatikanit, të akuzuar për krimin e përhapjes së lajmeve dhe të dokumenteve të lidhura me interesa themelore të Selisë së Shenjtë, të pestët duhet të përgjigjen për krimin, që dënohet nga nenet 63 e 116-bis të Kodit Penal, mbasi, në bashkëpunim ndërmjet tyre, Vallejo Balda, si sekretar i përgjithshëm i Prefekturës së Çështjeve Ekonomike; Chaouqui, si anëtare e COSEA-s,  Maio, si bashkëpunëtor i Vallejo Balda-s për çështje që kanë të bëjnë me COSEA-n, ndërsa Fittipaldi e Nuzzi si gazetarë, shtinë në dorë  dokumente që kishin të bëjnë me interesa themelore të Selisë së Shenjtë e të Shtetit: posaçërisht Vallejo Balda, Chaouqui  e Maio, që i siguronin këto lajme e dokumente gjatë punës së tyre në Prefekturën për Çështjet Ekonomike e në COSEA, ndërsa Fittipaldi e Nuzzi i nxisnin, duke ushtruar presion mbi ta, sidomos mbi Vallejo Balda-n, që t’i vidhnin lajmet e dokumentet e rezervuara, të cilat më pas u përdorën për të shkruar dy librat, dalë në Itali në nëntor 2015.

Kryetari i Gjykatës së Qytetit të Vatikanit, Giuseppe Dalla Torre, nxori dekretin, sipas të cilit, më 24 nëntor, ora 10.30, do të fillojë  seanca e parë e procesit në ngarkim të të pandehurve, duke paralajmëruar se, në rast mosparaqitjeje, do të dënohen në mungesë.








All the contents on this site are copyrighted ©.