2015-11-20 16:31:00

Shenjtorët e javës sipas kalendarit kishtar 22-29 nëntor


E diel më 22 nëntor, Kisha katolike kremton të dielën e 24-të gjatë vitit kishtar e solemnitetin e Jezu Krishtit, Mbretit të Gjithësisë. Kjo është e diela e fundit e këtij viti liturgjik, ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik. Po më 22 nëntor, kalendari përkujton edhe shën Çeçilien, virgjër e martire.

Të hënën më 23 nëntor, kalendari kishtar përkujton Shën Klementin I papë e martir, e Shën Kolombianin abat dhe e Shën Feliçitës martire, na kujton vejushën e Ungjillit. Lëmosha e saj është më e madhja, sepse nuk dha vetëm tepricat, por gjithçka kishte mbas shpirtit. Zoti i pranon dhuratat tona, kur i japim gjithçka i përket.

Të martën më 24 nëntor, kalendari përkujton Shën Andreun Dun-Lak, meshtar e shokëve të tij martirë e Shën Krizogonin, martir. Liturgjia e ditës na kujton fjalët që thotë Jezusi për rrënimin e Tempullit, duke kumtuar kështu se gjithçka kalon e se fundi i botës është pashmangshëm. Urojmë të mos e gjejë asnjërin nga ne të papërgatitur.

Të mërkurën më 25 nëntor, kalendari kishtar përkujtonShën Katerinën e Aleksandrisë, virgjër e martire; Shën Moisiun, martir; Shën Pjetrin e Aleksandrisë, ipeshkëv e martir dhe të Lumët Luigji e Maria Beltrame Kuatroki, bashkëshortë. Liturgjia e ditës na siguron se fati i dishepullit të Jezusit nuk mund të ndryshojë nga ai i Mësuesit. E megjithatë ia vlen të shkëputesh nga çdo dashuri tokësore, për të fituar gëzimin e pasosur të dashurisë së Zotit.

Të enjten më 26 nëntor, kalendari kishtar përkujton shën Sirikun papë; Leonardin nga Porto Mauricio, meshtar françeskan dhe Silvestrin, abat, themelues i Silvestrinëve. Kur flet për fundin e botës, Jezusi nuk nënvizon aq atë që do të ndodhë në fund të fundit. Thekson kryesisht se kush dëshiron ta ndjekë pas, duhet ta jetojë çdo ditë të jetës, si të ishte e fundmja.

Të premten më 27 nëntor, kalendari përkujton Shën Virgjilin, ipeshkëv i Salcburgut. Liturgjia e festës së tij na kujton se Fjala e Zotit duhet vlerësuar mbi gjithçka, sepse kur Zoti flet, krijon, e dishepullit nuk i mbetet tjetër, veçse ta dëgjojë e të veprojë në përkim me Të.

Të shtunën më 28 nëntor, kalendari përkujton Shën Jakun e Markes, françeskan. Liturgjia na kujton se duhet t’i lutesh Hyjit çdo çast, që të jesh gjithnjë bashkë me Krishtin Zot. Kjo është garancia më e mirë për të përgatitur ditë për ditë takimin e fundmë me Të.

Të dielën e ardhshme më 29 nëntor, bie  e para Diele e Kohës së Ardhjes, me të cilën Kisha fillon një Vit të Ri liturgjik. Gjithnjë më 29 nëntor kalendari përkujton shën Saturninon, martir e të Lumin Dioniz të Lindjes së Krishtit. Liturgjia e dielës së I të Ardhjes thërret: T’ia përgatisim rrugën Zotit në shpirtin tonë! Eja o Zot Jezus! Për këtë t’i lirojmë zemrat nga gjithçka i rëndon e pengon për të takuar Zotin në jetën tonë.








All the contents on this site are copyrighted ©.