2015-11-20 12:17:00

Ipeshkvi Saint-Denis: njerëzit dëshirojnë të jetojnë në paqe e vëllazërim


Një mesazh për popullsinë e Saint-Denis-en-France, qyteza e periferisë veriore të Parisit, ku para pak ditësh, forcat e rendit sulmuan strehën e terroristëve, duke vrarë dy prej tyre, ndër të cilët edhe trurin e atentateve të 13 nëntorit. Mesazhi shkruhet nga ipeshkvi i zonës, imzot Pascal Delannoy. “Mendoj për banorët e veçanërisht për familjet e fëmijët, që përjetuan orë ankthi. E dimë mirë sa e frikshme është kur dëgjojmë të shtëna e shpërthime pranë shtëpisë, pa pasur asnjë informacion për operacionet policore. Uroj që ditët e ardhshme, të gjithë të gjejnë forcën për ta shprehur ç’kanë përjetuar, të gjejnë sërish qetësinë. Mendoj edhe për forcat e sigurisë, që ndërhynë në kushte shumë të vështira, duke pasur parasysh densitetin e ndërtesave në qendrën e qytezës; guximi i tyre nuk mjaftoi për shumë vetë, që u plagosën”.

Ipeshkvi kërkon të denoncohen ata, që mbjellin ndarje, dhunë e vdekje

Saint Denis, shkruan agjensia katolike Sir, është një nga zonat më shumëetnike të Parisit: aty jetojnë myslimanë e myslimane me shami në kokë, por edhe hebrenj me kippah, katolikë e protestantë. Ipeshkvi dëshmon se kjo zonë ka edhe një fytyrë “tjetër” e nuk është thjesht strehë terrorizmi. “Popullsia e Saint Denisit, të cilën e frekuentoj rregullisht, - shkruan ai – në larminë e saj kulturore e fetare, dëshiron të jetojë në paqe e vëllazërim. Pas atentateve në Paris, janë të shumtë burrat e gratë, që punojnë për këtë çdo ditë. Nuk duhet të shkurajohen! Së bashku e me këmbëngulje duam të ecim në këtë rrugë”. Në mesazhin e tij, ipeshkvi u bën thirrje qytetarëve të denoncojnë “haptas e me forcë ata që, me fjalë e vepra, mbjellin ndarje, dhunë e vdekje”. Sot, në orën 20,00, në bazilikën katedrale të Saint Denis, besimtarët janë mbledhur për lutje.








All the contents on this site are copyrighted ©.