2015-11-20 11:03:00

Imzot Gallagher: bashkësia ndërkombëtare, e bashkuar kundër terrorizmit


“Bashkësia ndërkombëtare duhet të mobilizohet me të gjitha mjetet e sigurisë për të kundërshtuar terrorizmin”. Fjalët janë të Sekretarit vatikanas për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Paul Richard Gallagher, i cili, në një intervistë me agjensinë katolike Sir, komenton ngjarjet botërore pas atentateve të 13 nëntorit në Paris. “Brenda kufijve kombëtarë – vëren ipeshkvi – shteti e ka për detyrë të mbrojë qytetarët e vet nga sulmet e nga terroristët. Ndërsa, ndërhyrja nga jashtë është e ligjshme vetëm me konsensusin e bashkësisë ndërkombëtare, sipas normave të së drejtës ndërkombëtare. Megjithatë, u pa qartë se nuk mund t’ia besojmë zgjidhjen e problemit vetëm përgjigjes ushtarake. Në këtë çast bota duhet të bashkohet, të mobilizojë të gjitha mjetet e sigurisë për të kundërshtuar terrorizmin. Pa qenë një mendje të gjithë protagonistët politikë e fetarë, kjo betejë nuk do të jetë e mundur”.

Si të dialogojmë me atë, që nuk do?

         Përsa i përket dialogut me Isis, referon agjensia Sir, qëndrimi i imzot Gallagher është i prerë: “Në këtë rast, duhet ta pyesim veten: si është e mundur të dialogojmë me dikë, që nuk e do dialogun dhe nuk e njeh humanitetin e tjetrit? Si është e mundur të dialogojmë me atë, që mban qëndrime fundamentaliste? Në këtë çast të veçantë, e shoh dialogun shumë të vështirë, sepse për të dialoguar duhet të hysh në marrëdhënie me tjetrin, ta respektosh atë, sado pak”.

“Tmerre të patolerueshme e të pajustifikueshme”

         Imzot Paul Richard, duke komentuar atentatet e 13 nëntorit në Paris, pohon: “U mallëngjyem dhe u lebetitëm, siç tha Ati i Shenjtë, Françesku. Këto orë – thotë ipeshkvi – jemi pranë familjarëve të viktimave, të plagosurve, Francës dhe të gjithë njerëzve, që humbën të dashurit në akte të tjera terroriste. Para këtyre tmerreve, gjithnjë të patolerueshme e të pajustifikueshme, mbarë bota duhet të bashkohet për të mbrojtur dinjitetin e njeriut”.

“Luftë e tretë Botërore pjesë-pjesë”

         Imzot Gallagher ndalet edhe në pohimin e Papës Françesku për televizionin katolik italian TV2000, të nesërmen pas atentateve: ç’ndodhi është një fragment i “Luftës së tretë Botërore, që po zhvillohet pjesë-pjesë”. “Ati i Shenjtë – shpjegon imzot Gallagher – përdor këtë shprehje për të përshkruar, me të drejtë, dramën që përjeton njerëzimi këtyre viteve të fundit. Janë shumë, palët e përfshira në konflikte, janë shumë, zonat gjeografike, që vuajnë nga pasojat e luftës, janë shumë, kulturat dhe vendet, që vajtojnë bijtë e tyre. Nuk duhet të harrojmë një karakteristikë tjetër të së ashtuquajturës ‘Luftë e tretë Botërore pjesë-pjesë”: fusha e saj e betejës është bota e globalizuar, ku edhe konfliktet lokale e rajonale kanë aftësi të shtrihen me më tepër forcë e shpejtësi, duke shkaktuar dëme të jashtëzakonshme për krejt bashkësinë ndërkombëtare”.








All the contents on this site are copyrighted ©.