2015-11-19 15:48:00

Papa: kultura e afërsisë ia kalon asaj të hedhurinave


Afërsia me tjetrin kapërcen çdo barrierë kombësie, shtrese shoqërore e feje. Kështu tha Papa Françesku sot paradite, në takimin me rreth 550 pjesëmarrësit në Konferencën e 30-të Ndërkombëtare të Këshillit Papnor për Veprimtarët e Shëndetësisë, me temë “Kultura e shëndetit dhe e mikpritjes, në shërbim të njeriut e të planetit”. Nga Françesku, denoncimi kundër shoqërisë, që hedh poshtë të gjithë ata, të cilët nuk prodhojnë frytet e shpresuara, si edhe kundër të ashtuquajturës “mjekësi e dëshirave”, që kërkon përsosurinë me çdo kusht.

Afërsia kapërcen çdo pengesë

         Ati i Shenjtë kujtoi enciklikën “Evangelium vitae” të shën Gjon Palit II, e cila ngre lart kulturën e “salus”, pra, të një shëndeti, që presupozon respektin për jetën, zbatuar përmes mikpritjes, mëshirës, mirëkuptimit e faljes, domethënë, përmes kujdesit për atë, që vuan në korp e në shpirt. Duke pasur parasysh se pas pak ditësh fillon Jubileu, Papa i ftoi veprimtarët katolikë të shëndetësisë të bëhen kanale dhe dëshmitarë të mëshirës. Vetë Jezusi, u tha, është modeli i afërsisë me të sëmurët, me mëkatarët, me të pushtuarit nga djalli, me të mënjanuarit, me të varfërit e të huajt:

         “E çuditërisht, në kulturën aktuale të hedhurinave, këta përjashtohen, lihen mënjanë. Nuk kanë aspak rëndësi! E çuditshme… Ç‘do të thotë kjo? Se kultura e hedhurinave nuk është e Jezusit! Nuk është e krishterë! Kjo afërsi me tjetrin – afërsi e vërtetë, serioze e jo e rreme – derisa ta ndjesh se ai tjetri të përket, se edhe armiku të përket si të ishte vëlla, kapërcen çdo barrierë kombësie, prejardhjeje shoqërore, feje… siç na mëson ‘samaritani i mirë’ i shembëlltyrës ungjillore”.

Jo, kulturës së hedhurinave dhe “mjekësisë së dëshirave”

         Kjo afërsi, vijoi Papa Françesku, e kapërcen kulturën e hedhurinave, që mbizotëron në vendet e pasura, që i vlerëson njerëzit sipas kriterit të aftësisë së tyre prodhuese. Një mendësi, denoncoi Ati i Shenjtë, fqinjë me të ashtuquajturën “mjekësi e dëshirave”:

         “Një zakon gjithnjë e më i përhapur në vendet e pasura, karakterizuar nga kërkimi me çdo kusht i përsosurisë fizike, në iluzionin e rinisë së përjetshme; një zakon, që shtyn ta hedhësh e ta mënjanosh atë, që nuk është ‘efikas’, që shihet si peshë e rëndë, si shqetësim, ose thjesht si i shëmtuar”.

Lidhje e ngushtë ndërmjet shëndetit dhe përgjegjësisë ndaj Krijimit

         Të bëhemi të  afërm me të tjerët, nënvizoi Françesku, do të thotë edhe të marrim përsipër përgjegjësinë ndaj Gjithësisë së krijuar prej Zotit, e cila është shtëpia e përbashkët e të gjithë njerëzve. Duhet gjithashtu, ta ngremë zërin për dinjitetin njerëzor të të varfërve e të të përjashtuarve. Faktorët ambientalë dhe shëndeti, theksoi Papa duke pasur parasysh disa sëmundje të rralla, janë të lidhura shumë ngushtë:

         “Në këtë perspektivë, ju inkurajoj të keni gjithnjë parasysh, në punën tuaj, realitetin e atyre popullsive, që më shumë se të tjerat, pësojnë dëmet e shkaktuara nga degradimi i ambientit, dëme të rënda shëndetësore, shpesh të pariparueshme”.








All the contents on this site are copyrighted ©.