2015-11-19 14:36:00

Papa: Jezusi qan mbi botën që vret dhe nuk e kupton paqen


“Mbarë bota” sot “është në luftë”, për të cilën “nuk ka justifikim”. E refuzimi i “udhës së paqes” bën që vetë Zoti, që vetë Krishti, të qajë. Kështu pohoi Papa Françesku në homelinë e Meshës kremtuar sot në mëngjes në shtëpinë e Shën Martës në Vatikan.

“Jezusi ka qarë”. Fillon me këto tri fjalë njëra prej homelive më të dhimbshme të Papës. Në fjalët e Atit të Shenjtë Bergoglio jehon fjala e Ungjillit  nga Luka, e cila u kumtua gjatë kremtimit Eukaristik. Një fragment, sa i shkurtër, aq edhe prekës.

“Aso kohe kur u afrua dhe e pa qytetin, qau mbi të e tha: “O po ta kuptoje edhe ti në këtë ditë ç'ta sjell ty paqen! Por tashti është e fshehur për sytë e tu! E do të vijë dita, kur armiqtë e tu do të rrethojnë me llogore, do të bëjnë rrethim e do të shtrëngojnë nga çdo anë. Do të përplasin përtokë ty e fëmijët e tu dhe s’do të lënë në ty as gur mbi gur, sepse nuk e bëre për send kohën kur Hyji erdhi të ndihmojë” (Lk 19,41-44).

Jezusi iu afrua Jerusalemit – sipas gjasës nga një pikë e lartë kishte para vetes pamjen e qytetit – e vështron dhe qan, duke iu drejtuar qytetit me këto fjalë: “Po ta kuptoje edhe ti në këtë ditë ç'ta sjell ty paqen! Por tashti është e fshehur për sytë e tu”. Papa Françesku përsëriti këto fjalë një nga një e shtoi:

“Po edhe sot Jezusi qan. Sepse ne kemi preferuar udhët e luftës, udhët e urrejtjes, udhët e armiqësisë. Jemi afër Krishtlindjes: do të ketë drita, do të ketë festa, pemë të ndriçuara, e edhe shpella betlehemi... gjithçka kurdisur me marifet: po bota vazhdon të bëjë luftë, të bëjë luftra. Bota nuk e ka kuptuar udhën e paqes”.

Kuptohen ndjenjat e Papës, të njëjtat ndjenja me ato që ka pjesa dërrmuese e botës këto ditë, në këto orë. Ati i Shenjtë Françesku përmend përkujtimet e kohëve të fundit për Luftën e dytë Botërore, për bombat në Hiroshimë e Nagasaki, vizitën e tij në Redipuglia vitin e kaluar me rastin e përvjetorit të Luftës së Madhe. “Masakra të kota”, përsëriti, me fjalët e Papës Benediktit XVI. “Gjithkund luftë, sot ka urrejtje", konstaton Ati i Shenjtë Bergoglio. E pastaj me zë të lartë pyet: “Çfarë mbetet nga lufta, nga kjo luftë, që jemi duke jetuar tani?”:

“Çka mbetet? Rrënime, mijëra fëmijë pa edukim, sa shumë të vdekur të pafajshëm: sa shumë!, e sa shumë para në xhepat e tregtarëve të armëve. Një herë, Jezusi pati thënë: ‘Nuk mund t’u shërbeni dy zotërinjve: ose Zotit, ose pasurisë’. Lufta është pikërisht përcaktim e zgjedhje për pasuritë: ‘Të fabrikojmë armë, se kështu ekonomia ndreqet më mirë’, e pastaj shkojmë përpara me interesat tona’. Ka një fjalë të ashpër Jezusi Zot për këta:’ Të mallkuar!’. Sepse Ai ka thënë: ‘Lum veprimtarët e paqes!’. Këta që bëjnë luftë, janë të mallkuar, janë kriminelë. Lufta nuk mund të justifikohet me sa e sa arsyetime. Po mbarë bota e sotme është në luftë, tërë bota!: është një luftë botërore – pjesë pjesë: këtu, atje, andej, kudo...- nuk ka justifikim. E Zoti derdh lot. Jezusi qan”.

“Ndërsa tregtarët e armëve bëjnë punën e tyre – vijoi Papa Françesku – janë veprimtarët e shkretë të paqes ata, të cilët vetëm për të ndihmuar një njeri, një tjetër, një tjetër akoma, të tjerë, japin jetën”.

Siç bëri “ikona e kohëve tona, Tereza e Kalkutës”. Kundër së cilës, vëren Papa, “me cinizmin e të pushtetshmëve, mund të thuhet: ‘Po ç'ka bërë ajo grua? Ka humbur jetën e saj duke ndihmuar njerëzit të vdesin?”. Nuk e kuptojnë udhën e paqes...”.

“Na bën mirë edhe ne të kërkojmë nga Zoti hirin e vajit, për këtë botë që nuk e njeh udhën e paqes. Bota që jeton për të bërë luftë, për të thënë pastaj me cinizëm 'të mos bëhet luftë'. T’ia kërkojmë Zotit ndryshimin e zemrës. Pikërisht në pragun e Jubileut të Mëshirës, që jubileu ynë, gëzimi ynë të jetë hir, bekim, për botën që ta gjejë përsëri aftësinë për të qarë për krimet e veta, për atë që po bën luftë".








All the contents on this site are copyrighted ©.