2015-11-19 15:41:00

Imzot Viganò: Papa nuk do një Kishë “parashtetërore”


Papa Françesku nuk dëshiron një Kishë “parashtetërore” kostandiniane, por ungjillore; e jo me nënkuptimin se duhet t’i mbajë këmbët në tokë, duke e drejtuar vështrimin kah Qielli, por me pretendimin që t’i ketë rrënjët në Parajsë për ta parë botën me sytë e Zotit. Kështu deklaroi prefekti i Sekretarisë për Komunikimin, imzot Dario Edoardo Viganò, i cili shpjegoi rëndësinë e temave shoqërore, nga ekonomia tek puna, në papninë e Jorge Mario Bergoglio-s. Dje, pikërisht për këtë, u paraqit në Vatikan një dvd me temë “Si në qiell, ashtu në tokë”, mbi doktrinën shoqërore të Kishës. Realizuar nga Qendra Televizive e Vatikanit (CTV), në bashkëpunim me Ofiçinën e Komunikimit, do të dalë me librin “Ta ruajmë Krijimin e Zotit” (botuar nga San Paolo), që përmbledh të gjitha fjalimet e Papës Françesku mbi “shtëpinë e përbashkët” të njerëzimit, pra, mbi globin tokësor. Dvd-ja dhe libri do të propozohen së bashku në librari, gazetashitës e në famulli, bashkangjitur me të përjavshmet “Familja e Krishterë” dhe “Besoj”.

         “Papa Françesku – vuri në dukje drejtori i revistës “Familja e Krishterë”, don Antonio Sciortino – që nga fillimi i papnisë, i ka dhënë një shtysë të re doktrinës shoqërore të Kishës, në vazhdën e paraardhësve”. Emblemë e kësaj është “kisha në dalje, që shkon jo vetëm në periferitë gjeografike, por edhe në ato ekzistenciale”. Për Atin e Shenjtë, nënvizoi me tej don Sciortino, “të varfërit nuk janë kategori abstrakte, por njerëz me fytyrë e familje”. E nëse enciklika “Lëvduar qofsh” ka hyrë tashmë në historinë e enciklikave shoqërore, sipas drejtorit të së përjavshmes së paolinëve “Besoj”, “me ndërhyrjet e tij, që nga Lampeduza e deri në Sinodin e fundit, Papa Françesku po shkruan një Enciklikë shoqërore ‘pjesë-pjesë’”.

         Për kryetarin e Bashkësisë së Shën Egjidit, Marco Impagliazzo, bota duhet ta rivlerësojë përmasën e solidaritetit të painteres, ashtu siç kërkon Bergoglio. Sa organizata, komentoi ai, merren me të varfërit, sepse dikush i paguan. Edhe solidariteti mund të kthehet në biznes. Duhet të rinisemi nga dhurata falas, e cila nuk kërkon një përgjigje të menjëhershme, por ndikon në mënyrë afatgjatë në histori. Dhurata e tregu, nënvizoi Impagliazzo nga ana tjetër, mund të bashkëjetojnë.

         Foli dje edhe themeluesi i “Sloë Food”, Carlin Petrini, për të cilin Papa Françesku nuk mund të quhet thjesht “i gjelbërt”, pasi ekologjia e tij nuk ka të bëjë vetëm me ambientin, por me njeriun, pra, është e gjithanshme.








All the contents on this site are copyrighted ©.