2015-11-18 14:45:00

Kalendari i kremtimeve të Papës nga dhjetori në janar


Është shpallur kalendari i kremtimeve që kryesohen nga Papa nga dhjetori deri në janar të ardhshëm.

Të martën më 8 dhjetor në ora 9.30, Papa, në Solemnitetin e Zojës së Papërlyer, kryeson në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan Meshën e Shenjtë për fillimin e Jubileut të Mëshirës me hapjen e Portës së Shenjtë të Bazilikës së Vatikanit. Pasdite, në ora 16.00, Akti tradicional i nderimit të Zojës së Bekuar të Papërlyer në Sheshin e Spanjës në Romë.

Të shtunën më 12 dhjetor në ora 18.30, Papa kremton në Bazilikën e Vatikanit Meshën e Shenjtë me rastin e Festës të së Lumes Mari Virgjër të Guadalupes.

Të dielën më 13 dhjetor në ora 9.30, të Dielën e III të kohës liturgjike të Ardhjes, kryeson Meshën me hapjen e Portës së Shenjtë në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, në Romë.

Gjithnjë të dielën më 13 dhjetor, në ora 10.30 kardinali James Harvey do të kryesojë Meshën me hapjen e Portës së Shenjtë në Bazilikën e Shën Palit jashtë mureve, në Romë.

Të enjten më 24 dhjetor në ora 21.30, Papa Françesku kremton në Bazilikën e Vatikanit Meshën e Shenjtë të Natës së Krishtlindjes.

Të premten më 25 dhjetor në ora 12.00, në Solemnitetin e Lindjes së Jezu Krishtit Zot, nga Lozha qendrore e Bazilikës së Vatikanit Papa do t’i japë Bekimin apostolik “Urbi et Orbi” – “Romës e botës”.

Të dielën më 27 dhjetor në ora 10.00, kremton Meshën e Shenjtë për Familjet në Festën e Familjes së Shenjtë të Jezusit, Marisë e Jozefit.

Të enjten më 31 dhjetor në ora 17.00, kryeson në Bazilikën e Vatikanit Lutjet e para të Mbrëmësores në Solemnitetin e të Shenjtueshmes Mari Nënës së Zotit dhe lutjen e falënderimit ‘Te Deum’ për vitin e kaluar.

Të premten më 1 janar 2016 në ora 10.00, në Solemnitetin e Marisë Nënës së Zotit e të Ditës botërore të Paqes, Papa kryeson Meshën në Bazilikën e Vatikanit, me praninë e Pueri Cantores për mbylljen e Kongresit të tyre ndërkombëtar.

Pasdite po atë ditë, në ora 17.00, kremton Meshën me hapjen e Portës së Shenjtë në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe, në Romë.

Të mërkurën më 6 janar në ora 10.00, kremton në Bazilikën e Vatikanit Meshën në Solemnitetin e Dëftimit të Zotit.

Të dielën më janar në ora 9.30, në Festën e Pagëzimit të Krishtit Zot, kremton në Kapelën Siksitina Meshën me mbarështimin e Sakramentit të Pagëzimit të disa fëmijëve.

 








All the contents on this site are copyrighted ©.