2015-11-18 17:08:00

Françesku: Kisha pa porta të blinduara, mëshira e Zotit e ka portën gjithnjë të hapur


Në Kishë nuk duhet të ketë kurrë porta të blinduara, sepse Porta e mëshirës së Zotit “është gjithnjë e hapur”. Kjo, ftesa e Papës në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, prej nga i nxiti besimtarët ta kapërcejnë këtë portë, në prag të Jubileut, sipas inkurajimit të Sinodit të  sapo kremtuar të Ipeshkvijve.

Kisha: kurrë porta të blinduara, gjithçka e hapur

Përballë bijve e bijave përudhë, herë ‘të paqartë” e herë të ‘përhumbur, akoma më shumë në këto kohë të vështira, Kisha është e thirrur t’i hapë të gjitha portat. Në audiencën e përgjithshme kushtuar familjes, Papa Françesku, në prag të Jubileut të mëshirës, reflektoi për temën e “portës së  mikpritjes”. Ka ende vende në botë, kujtoi, ku portat nuk mbyllen me kyç, por ka edhe nga ato, ku portat e blinduara janë bërë tashmë fare normale:

“Nuk duhet t’i nënshtrohemi idesë se edhe ne duhet ta zbatojmë këtë sistem për sigurinë, sigurinë e jetës sonë, të jetës së familjes, të qytetit, të shoqërisë. E aq më pak të Kishës. Do të ishte e tmerrshme! Kisha derëmbyllur, ashtu si familja e mbyllur në vetvete, e lëndon Ungjillin dhe e ashpëron botën; nuk duhet të ketë asnjë portë të blinduar në Kishë, asnjë! Gjithçka e hapur!”.

Porta e zemrës sonë i zë të gjithë

Të përfitojmë nga rasti i Vitit Shenjt, i nxiti besimtarët Françesku, për ta kapërcyer pragun e mëshirës së Zotit, që nuk lodhet kurrë duke falur, nuk mërzitet kurrë duke pritur: sepse para nesh është porta shenjte, por edhe ajo, porta e madhe e mëshirës së Zotit. Ftesa është, prandaj, të hyjmë me guxim nëpër këtë portë:

“Qoftë edhe porta e zemrës sonë për t’i pritur të gjithë, qoftë falja e Zotit, falja jonë e dëshira për t’i mikpritur të gjithë ata, që  na trokasin në portë” .

Kishat ta nxjerrin Jezusin e burgosur në strukturat tona

Ky, urimi i Papës e, më pas edhe nxitja për të dalë, së bashku me Zotin:

“Nëse porta e mëshirës së Zotit është gjithnjë e hapur, edhe portat e kishave tona, të dashurisë së bashkësive tona, të famullive tona, të institucioneve tona, të dioqezave tona duhet të jenë të hapura, që kështu të gjithë të mund të dalin e ta çojnë kudo mëshirën e Zotit. Jubile do të thotë porta e madhe  e mëshirës së Zotit, e edhe portat e vogla të kishave tona, të hapura për ta lënë Zotin të hyjë. Por edhe për ta lënë të dalë Zotin e burgosur në strukturat tona, në egoizmin tonë e në sa e sa ‘porta të tjera’ të mbyllura”.

Mikpritje, pa prepotencë e pa dyndje

Pastaj Papa nënvizoi se Zoti kërkon gjithnjë “leje”, nuk e shpërthen kurrë portën. E  shikimi i Françeskut, në vijim u ngul mbi ditët tona:

“Mbarështimi simbolik i ‘portave’, i pragjeve, i shtigjeve, i kufijve, sot është bërë vendimtar. Porta duhet të ruajë, prandaj nuk duhet shtyrë. Nuk duhet shpërthyer, përkundrazi, duhet kërkuar leje, sepse miku pritet lirisht kur vjen si mik e jo me prepotencën e atij, që mund edhe ta shkallmojë portën”.

Shumë e kanë humbur besimin e trokitjes në portat e zemrës sonë të krishterë 

Porta, shtoi akoma Françesku, duhet hapur vazhdimisht. Duhet nxjerrë koka jashtë, për të parë nëse është ndokush aty mbrapa, që pret por ndoshta-ndoshta nuk e ka guximin e as forcën të trokasë:

“Sa njerëz e kanë humbur besimin, nuk e kanë më guximin të trokasin në portën e zemrës sonë të krishterë, në portat e kishave tona… E janë aty, në prag, pa guxim. Ua kemi shuar guximin. Ju lutem që kjo të mos ndodhë kurrë më”.

Rojet e portës të jenë të shkathta e të fisme

Nga ana tjetër, reflektoi Françesku, mbarështimi i portës kërkon “të kesh mend” e, njëkohësisht, edhe të ngjallësh besim. Prandaj, vijoi Papa, i falënderoj të gjitha rojet e portave të shumta, porta banesash qofshin, a porta kishash. Shumë faleminderit! Po gjithnjë me buzë në gaz, gjithnjë duke dëshmuar se shtëpia ku shkel miku është mikpritëse, kisha është mikpritëse, që njerëzit ta ndjejnë veten të lum, kur shkelin  në atë prag.

Porta e Zotit është Jezusi

Jezusi, kujtoi Papa, është porta e Zotit, është Ai, që na bën të hyjmë e të dalim:

“Janë hajdutë, ata që kërkojnë t’i shmangen portës: e çuditshme, por e vërtetë: hajdutët përpiqen gjithnjë të hyjnë nga skutat, nga dritaret, nga çatia, e jo nga porta, së cilës i vidhen, sepse kanë qëllime të këqija, duan të hyjnë tinzisht në vathë për t’i gënjyer delet e për të përfituar prej tyre. Ne duhet të kalojmë nëpër portë e ta dëgjojmë zërin e Jezusit: nëse e dëgjojmë tonin e zërit të Tij, jemi të sigurt, të shpëtuar”.

Kisha është portiere, jo padrone e shtëpisë së Zotit

E është gjithnjë Zoti, Bariu i mirë, pohoi Papa, duke rikujtuar leximet e sotme, që u prin deleve me zërin e Tij, edhe atyre që humbasin pyjeve, deri te roja, që ka për detyrë të hapë portat:

“Delet nuk i zgjedh roja, nuk i zgjedh sekretari a sekretarja e famullisë, jo, nuk i zgjedh. Delet janë të gjitha të dërguara, janë të zgjedhura nga Bariu i mirë. Edhe roja e dëgjon zërin e Bariut. Ja, pra, duhet të themi se edhe ne jemi si roja. Kisha është portiere e shtëpisë së Zotit, është portiere, jo padrone e shtëpisë së Zotit”.

Duke kujtuar familjen Shenjte të Nazaretit, që e ka kuptuar mirëfilli ç’do të thotë portë e hapur a portë e mbyllur, posaçërisht për atë që pret një fëmijë, për të cilin nuk ka vend ku të mbrohet, për atë, që duhet të ikë, të shpëtojë nga rreziku, Papa i porositi familjet e krishtera ta bëjnë pragun e vogël të derës së tyre, simbol të vogël-të madh të Portës së mëshirës e të mikpritjes së Zotit, në mënyrë që Kisha të njihet në të katër anët e tokës si roje e një Zoti mikpritës që, pohoi Papa, nuk ta përplas kurrë portën në fytyrë.

Në përshëndetjet, porosia që interesat politike dhe ekonomike të mos kenë epërsi.

Dhurata e thirrjeve

Në përfundim Françesku kujtoi edhe se të shtunën e ardhshme Kisha do të kremtojë Paraqitjen e Virgjërës Mari në Tempull:

“Me këtë rast ta falënderojmë Zotin për dhuratën e thirrjes së burrave  e të grave që, në manastire e në strehë eremite, ia kushtojnë gjithë jetën Zotit. Që bashkësitë e klauzurës ta kryejnë misionin e tyre të rëndësishëm, në lutje e në heshtje vepruese, të  përpiqemi të mos u mungojë afërsia jonë shpirtërore e materiale”.








All the contents on this site are copyrighted ©.