2015-11-17 16:02:00

Sheshi Shën Pjetrit në Vatikan, shpella e Betlehemit e pema e Krishtlindjes gati më 8 dhjetor


Jubileu sivjet sjell më herët shpellën e Betlehemit dhe pemën e Krishtlindjes në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan. Kështu njofton Guvernatorati i Qytetit të Vatikanit, duke treguar se me vullnet të mirë, përgatitja e këtyre të dy simboleve, do të kryhet në kohë për solemnitetin e hapjes së Vitit të Shenjtë të jashtëzakonshëm të Mëshirës Hyjnore, më 8 dhjetor të ardhshëm.

Pema e Krishtlindjes sivjet është dhuruar nga Bavaria e Gjermanisë – një bredh i kuq me dy maje, lartë 32 metra, reduktuar në 25 për të mundësuar transportin – e do të mbërrijë në Romë natën ndërmjet 18 e 19 nëntorit për t’u lartuar më pas në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan.

Shpella e Beltehemit me paraqitjen e lindjes së Krishtit Foshnje, sivjet është dhuratë e kryedioqezës dhe provincë Autonome të Trento-s, në bashkëpunim me Shoqatën Amici del Presepio di Tesero.

Kështu, edhe sivjet pema e Krishtlindjes e shpella e Betlehemit do të mund të admirohen që nga 8 dhjetori, ndriçimi i të dyjave – njofton Guvernatorati – do të bëhet pasdite më 18 dhjetor në ora 16.30”.








All the contents on this site are copyrighted ©.