2015-11-17 13:52:00

Papa Françesku: jo të krishterëve dyfytyrësh, jo “mondanitetit”


Mondaniteti e mendimi unik e vënë në rrezik identitetin e të krishterëve. Katër ditë pas ngjarjeve tronditëse të Parisit, Papa përsërit qortimin e tij. “Mondanitet – shpjegoi ai – do të thotë të bësh atë që bënë bota. Pra, të ruhemi nga kotësitë që na “çojnë në një jetë të dyfishtë, në një jetë dyfytyrëshe”. Ky qortimi i Papa Françeskut gjatë homelisë së Meshës së mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan.

Ati i Shenjtë Bergoglio ripohoi se, për ta ruajtur identitetin e krishterë, duhet të jesh koherent e t’u shmangesh tundimeve të jetës mondane.

Eleazari i moshuar “nuk lejon të dobësohet nga shpirti i mondanitetit” e preferon të vdes në vend që të dorëzohet e të bie në apostazinë e “mendimit unik”. Papa Françesku mori shkas nga Leximi parë i Meshës sotme nga Libri dytë i Makabejëve (2Mak 6,18-31), për t’u tërhequr vëmendjen të krishterëve që të ruhen prej tundimeve të jetës mondane. Eleazari, tashmë nëntëdhjetë vjeç, nuk pranoi të hante mishin e derrit siç kërkonin “miq mondanë” të tij, të shqetësuar për t’ia shpëtuar jetën. Ai, vërejti Papa Françesku, e ruajti dinjitetin e tij “me atë fisnikëri” që “pati nga jeta e ndershme, shkoi drejt martirizimit, dha dëshmi” me një qëndrim bujar e të denjë.

“Mondaniteti shpirtëror na largon nga jeta koherente – nënvizoi Papa- na bënë të jemi inkoherentë”, të pandershëm, ndokush bënë “kinse se është ashtu” siç duhet, por jeton “në një mënyrë tjerë”. E mondanitetin, shtoi Ati i Shenjtë, “është vështirë ta njohësh qysh në fillim, sepse është si krimbi që dalëngadalë bren e shkatërron, degradon stofin e pastaj stofi” bëhet i papërdorshëm e kështu edhe “njeriu që lejon veten të priret nga mondaniteti e humbas identitetin e krishterë”.

“Krimbi i mondanitetit e ka rrënuar identitetin e tij të krishterë, është i paaftë të jetë koherent. ‘Oh, po unë jam kaq katolik, atë, unë shkoj çdo të diele në Meshë, po jam katolik i madh’. E pastaj në punë, në kryerjen e zanatin: ‘Po nëse ti blen nga unë këtë, dhe bëjmë këtë fitim, ti merr ryshfetin’ , merr përqindjen mbi fitimin e arritur. Kjo, tha Papa, sa për të treguar një shembull, nuk është koherencë e jetës, kjo sjellje është mondanitet. Mondaniteti të shpie në një jetë dyfytyrëshe, atë jetë që nuk duket dhe në atë që është e vërtetë, e të largon prej Zotit e shkatërron identitetin tënd të krishterë”.

Për këtë, vijoi Papa, Jezusi është “kaq i fortë” kur kërkon nga Ati t’i shpëtojë dishepujt nga shpirti mondan, “që rrënon identitetin e krishterë”. Një shembull se si duhet të mbrohemi kundër këtij shpirti është pikërisht Eleazari që mendon për të rinjtë, të cilët, po të binin në shpirtin mondan, do të birreshin për fajin e tij:

“Shpirti i krishterë, identiteti i krishterë, kurrë nuk është egoist, mundohet gjithmonë të kujdeset me koherencë, të kujdeset, t’i shmanget shkandullit, të kujdeset për të tjerët, të japi shembull të mirë. ‘Por nuk është lehtë, atë, të jetosh në këtë botë, ku tundimet janë të shumta, e hilet e marifetet e jetës dyfytyrëshe na tundojnë çdo ditë, nuk është lehtë’. Për ne jo vetëm nuk është lehtë, por është e pamundshme, nënvizoi Papa e shtoi: “Vetëm Ai (Zoti) është në gjendje të na ndihmojë në këtë. Pikërisht për këtë lutemi në Psalëm: ‘Hyji më ndihmon’, ‘Hyji më mbron’, ‘Hyji më shpëton’. Ndihma jonë kundër mondanitetit që rrënon identitetin tonë të krishterë, që na shpie në jetën dyfytyrëshe, është Zoti”.

Ai është i vetmi që mund të na shpëtojë, tha akoma Papa Françesku gjatë homelisë së Meshës së mëngjesit, e lutja jonë e përvujtë duhet të jetë: “ O Zot, jam mëkatar, vërtetë, të gjithë jemi të tillë, por kërkojmë mbështetjen tënde, jepma ndihmën tënde, sepse nga njëra anë nuk shtirem të jem i krishterë e nga ana tjerë të jetoj si pagan, si mondan”:

Në fundi Papa Françesku porosit: “Nëse ju sot keni pak kohë, merreni Biblën, librin e dytë të Makabejëve, kapitullin e gjashtë, e lexojeni historinë e Eleazarit. Ju bënë mirë, ju jep guxim për të qenë shembull për të gjithë e po kështu ju jep forcë e mbështetje për ta përforcuar e çuar përpara identitetin e krishterë, pa kompromise, pa një jetë dyfytyrëshe”.








All the contents on this site are copyrighted ©.