2015-11-17 00:00:00

Kosova dënon aktet terroriste në Paris e lutet për paqe


Nga kryeqyteti i Kosovës bashkëpunëtorja jonë Rabie Ibrajt njofton rreth reagimeve që janë regjistruar në Kosovë pas sulmeve terroriste të Parisit.

“Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e shpalli të dielën e kaluar ditë zie në Kosovë në nderim të viktimave të terrorit në Paris. Të gjithë flamujt e vendosur në institucionet dhe në ambasadat e Kosovës në vende të ndryshme, u ulën në gjysmë shtize. Ndërsa në qendër të Prishtinës qytetarët vullnetmirë ndezën qirinj për shpirtrat e dhjetëra viktimave, të njerëzve të pafajshëm të cilët u vranë të premten e kaluar në Paris nga kamikazët terroristë.

Gjithashtu edhe Kisha Katolike e Kosovës në të gjitha famullitë kishtare të saj kremtuan Meshë të Shenjta,  ndezën qirinjë, bënë lutje dhe shprehen solidaritet me popullin francez. Në  Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë, në Meshën shenjte morën pjesë shumë besimtarë, motra të nderit, meshtarë dhe autoritete tjera, përfshirë edhe Gjeneralin e KFOR-it, Miglietta dhe Komandantin e Karabinierëve Coletta, të shoqëruar me ushtarakë dhe karabinierë. 

Ipeshkëvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, në meshën e organizuar për viktimat e Parisit dhe për paqe në botë, tha se fati i gjithë njerëzve nuk është në forcën e urrejtjes por në forcën e paqes dhe dashurisë. Gjatë predikimit, me tej ipeshkvi i Kosovës, imzot Dodë Gjergji tha se ne lutemi jo si te trishtuar, por si njerëz që kemi guxim dhe shpresë për të ecur përpara me dashuri. Sipas tij, Zoti nuk e ka dërguar birin e vetë për të gjykuar e as për t’ia marrë jetën dikujt, por për të mbjellë paqe. ‘Njerëzit që bëjnë akte të tilla qyqare e kanë zemrën përplot me urrejtje’ tha Ipeshkvi duke u ndal më gjerësisht tek shpresa e të krishterëve, që siç tha edhe përkundër dhunës  e terrorit që përballemi dita ditës nga njerëz të mbushur me urrejtje dhe zemërlig, ne nuk ndalemi ta jetojmë atë, si dëshmi se jetët tona nuk janë të dorëzuar në fatin e urrejtjes, por në dashurinë e Zotit që dhuron shpresë.

Në vazhdim të fjalës së tij, Imzot Dodë Gjergji e lexojë edhe letrën që i ka dërguar Argjipeshkvit të Parisit, Kardinalit André Vingt-Trois, përmes së cilës e shpreh edhe qëndrimin e Kishës Katolike të Kosovës  për ngjarjen e dhimbshme që ka përjetuar populli francez, e në veçanti ai parisien. “Eminencë e dashur, me dhimbje të thellë dhe me neveri, kam përcjellë lajmet trishtuese që vinin nga Parisi, ku Ju jeni Kryebari. Tmerri ishte aq prekës sa tronditi menjëherë mbarë botën e qytetëruar.

Sa e dhimbshme ishte të shihje në sytë e atyre njerëzve, një përzierje mes gëzimit trishtues që shpëtuan dhe dhimbjes e zemërimit për atë që kishte ndodhur. Sigurisht, njëlloj ngushëllimi ishte solidarizimi i shpejtë i mbarë botës, duke dëshmuar kështu se bota është në anën popullit tuaj francez.

Kjo dëshmon se shumica absolute e njerëzimit e do paqen dhe me neveri e refuzon qyqarinë e njerëzve zemërlig, që janë të mbushur me urrejtje. Që në ato momente jam i bashkuar me Ju në lutje e në dhimbje’ është shprehur mes tjerash në letrën e tij, Ipeshkvi Gjergji. 

Kjo Meshë shenjte sipas Imzot Dodë Gjergjit është  lutje e përbashkët e qytetarëve të Kosovës, i cili tregoi edhe njëherë se populli ynë është në anën e paqes dhe të qytetërimit evropian, që gërsheton në vetvete respektin, lirinë, dinjitetin e çdo personi pa dallim kombi, ngjyre, feje dhe bindjeje, dhe se nuk do të pranojë që të na mbisundojë asnjë e keqe që do e prish rrugëtimin tonë për një të ardhme paqësore”.

Rabie-Mrika Ibraj








All the contents on this site are copyrighted ©.