2015-11-17 16:47:00

Imzot Massafra: Duam ta theksojmë me forcë se nuk vritet në emër të Hyjit.


Fragmente nga homelia e imzot Angelo Massafrës mbajtur të dielën e kaluar në Shkodër, në të dielën e 33-të gjatë vitit kishtar, me ç ‘rast kryeipeshkvi kujtoi me nderim viktimat e Parisit.

Si shumë  herë të tjera në histori, por sot në mënyrë edhe më të dukshme, ndjekim të pafuqishëm realizimin e atyre shenjave që Zoti Jezus na ka treguar në Ungjillin që kemi dëgjuar të dielën nga Shën Marku (Ungjilli Mk 13, 24-32 ) dhe që ka të bëjë me “këtë brezni”, domethënë me kohën e tanishme, në të cilën, secili prej nesh është i thirrur të jetojë.

Errësohet dielli, simbol i vetë Zotit, kur drejtësia humb domethënien e vet “të dashurisë për atë që është e drejtë” për të marrë domethënien më të ulët që është ajo “e hakmarrjes”.

Hëna, imazhi i njeriut të ndriçuar prej hirit, fillon të mos japë më dritën e vet kur ajo që e drejton atë nuk është më drita e Hyjit, por vetë vetën, si zëvendësuesi i Hyjit.

Ashtu, yjet, imazh i atyre që drejtojnë popujt, bien kur arroganca njerëzore mendon të bëjë sipas qejfit të vet.

Vëllezër e motra, qiejt tanë janë tronditur prej llahtarit të një njerëzimi që shkatërron veten e vet me dhunë, tmerr, vdekje dhe terror. Faktet e përgjakshme që për të dytën herë brenda vitit tronditin Parisin, përtej çdo analize politike dhe sociologjike që mund të bëhet, tregojnë se në botë vepron njëfarë kanceri i keq.

Po, ashtu si kanceri zhvillohet brenda trupit dhe e gërryen atë, kështu çdo formë terrorizmi dhe, në veçanti terrorizmi me matricë islamike, është duke u treguar kanceri i vërtetë i njerëzimit tonë. E kemi thënë dhe e kemi përsëritur shumë herë dhe me Papën sot duam ta theksojmë me forcë: nuk vritet në emër të Hyjit. Dhe, së bashku me vëllezërit tanë myslimanë dhe motrat tona myslimane që e duan paqen, sot jemi të thirrur me forcë, sidomos në tokën tonë, të bëjmë shenja të dukshme dialogu dhe bashkëjetese paqësore.

Po ia drejtojmë mendimin tonë dashuror dhe plot shpresë vëllezërve tanë francezë kaq të goditur dhe atyre po ua drejtojmë vetë fjalët e Ungjillit: “Kur të fillojnë të ndodhin këto, drejtohuni dhe çojeni kryet lart dhe dijeni se është afër çlirimi juaj!” (Lk 21, 28); lutemi që të mos u skurajohen, të mos u dorëzohen së keqes dhe të ecin me shpresë.

Pikërisht në këto momente jemi duke e kuptuar se Hyji nuk na lë vetëm: ai është afër në çdo vuajtje të vogël të gjinisë njerëzore dhe, për faktin se nuk i kundërvihet lirisë që i ka dhuruar njerëzimit në aktin e krijimit, lejon që të ndodhin edhe fakte kaq dramatike, me shpresën që njerëzimi të kthehet te Ai, të kuptojë identitetin e vet se është krijuar në përngjasim dhe në shëmbëlltyrë të tij, të zhvishet prej padrejtësisë dhe të vishet me dashuri, sepse Hyji është dashuri dhe, nëse Ai na ka lindur, atëherë duhet të kemi në ne shenjat e dukshme të kësaj bijësie.

Vëllezërve myslimanë u themi: ngrijeni zërin tuaj me forcë dhe guxim për të dënuar dhunën dhe për të mundur të keqen që shfaqet në çdo formë terrorizmi, sidomos nëse justifikohet me motive fetare.

Vëllezërve dhe motrave të krishterë u themi: jini gjithnjë e më të bindur për identitetin tuaj, duke refuzuar të keqen në çdo formë të saj, sidomos kokëfortësitë dhe hakmarrjet. Jemi bij të Hyjit: le ta tregojmë me dashurinë që fiton mbi urrejtjen.

Imzot Angelo Massafra








All the contents on this site are copyrighted ©.