2015-11-16 15:33:00

Parolin: problemi i sigurisë nuk e ndryshon agjendën e Papës


“Ajo që ndodhi në Francë tregon edhe më qartë se askush nuk mund të konsiderohet i përjashtuar nga terrorizmi. Vatikani mund të vihet në shënjestër për shkak të domethënies së tij fetare. Mund të rritet niveli i masave të sigurisë në Vatikan e përreth tij. Por nuk do të shkaktojnë edhe shtimin e frikës. Gjithsesi, kjo s’ndryshon asgjë në agjendën e Papës”. Kështu flet Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, në një intervistë me gazetën katolike franceze “La Croix”, pas atentateve të së premtes mbrëma në Paris.

Vërtet, që dje, në Sheshin e Shën Pjetrit e përreth tij, në një rreze mjaft të gjerë, duket qartë rritja e pranisë së forcave të rendit. Patrulla policie dhe karabinierët mbikqyrin zonën. Për ngjarjet e mëdha, kur parashikohet prania e një turme njerëzish - siç ndodh zakonisht të dielën, në Lutjen e Engjëllit të Tënzot, ose të mërkurën, për audiencën e përgjithshme - janë gati kontrollet me metal detector dhe kufizimi i rrugës me parmakë. Që të shtunën, Ministria e Brendshme Italiane dhe Kuestura e Romës dhanë urdhër që në zonat turistike, në zonën e Vatikanit e në mjediset e tjera përreth bazilikave të mëdha, të jetë i pranishëm personeli i të gjitha forcave të ndryshme të sigurisë e të ruajtjes së rendit.








All the contents on this site are copyrighted ©.