2015-11-16 00:00:00

Me 16 nëntor kujtojmë Atë Zef Valentinin S. J. në përvjetorin e vdekjes.


Me 16 nëntor kujtojmë Atë Zef Valentinin S. J. në përvjetorin e vdekjes. Atë Zef Valentini lindi në Padovë më 1 korrik 1900. U diplomua për filozofi në vitin 1924 dhe më pas për teologji në vitin 1928. Ishte vetëm 20 vjeç, kur shkoi për herë të parë në Shqipëri si misionar jezuit. Ndërmjet viteve 1922-1932 ishte mësues në Kolegjen e mirënjohur Saveriane të Shkodrës, prandaj vepra e tij e parë, shkruar shqip e italisht, titullohet “Kolegja Saveriane ndër 50 vjetët e para 1877/´78-1927/´28”. 

Më pas Atë Valentini shkroi biografinë e Garcia Moreno-s dhe nisi një sërë përkthimesh të autorëve të njohur botërorë në gjuhën shqipe. Paralelisht u muar me studime historike dhe letrare. Nga viti 1932 deri më 1943 drejtoi revistat e jezuitëve “Lajmtari i Zemrës së Krishtit” dhe “LEKA”.
Në fund të vitit 1943 At Zef Valentini u largua nga Shqipëria për në Itali, ku drejtoi revistën “Letture” dhe nisi të botojë shumë tekste mbi Shqipërinë. Në vitin 1955 ishte në krye të Katedrës së Gjuhës Shqipe në Universitetin e Palermos, ku themeloi dhe drejtoi “Qendrën ndërkombëtare të studimeve shqiptare”. Vdiq në Palermo më 16 nëntor 1979.
Për kontributin e madh që dha si njeri kulture e si bari shpirtrash në Shqipëri, e kujtojmë sot me nderim të thellë, duke cituar fjalët që tha për të Papa Pali VI më 25 prill 1968, me rastin e festimit të 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut në Romë: “Shqiptarë! Duajeni Atë Zef Valentinin, se ai ju do me zemër. Çmojeni, se ai punon pa pushim për t’i bërë të njohura para botës vlerat tuaja shpirtërore dhe artistike. Ai është juaji, sepse i ka dhuruar çështjes suaj mendjen e zemrën e vet”.
Disa nga veprat e Atë Zef Valentinit:
“Kolegja Saveriane ndër 50 vjetët e para 1877/´78-1927/´28”; “Biografi e Garcia Moreno-s”; “Polieucte” e Kornejt (përkthim); “Sauli” i Alfieri-t (përkthim) “Studim mbi hakmarrjen historike të shqiptarëve” (Bashkautor me Fulvio Cordinjanon); “Kronologji mbi historinë e Shqipërisë nga viti 313 e deri në shekullin XIII”; “E drejta e komunitetit në traditën juridike shqiptare” (1956);“Ligji i maleve shqiptare 1880-1932” (1969); “E drejta juridike shqiptare”; “Akte shqiptaro-veneciane të shekujve XIV-XV”; “Familja në drejtësinë tradicionale shqiptare” (1946); Revista “Letture” (themeluar prej tij në vitin 1946-n në Itali); “Shkodra dhe poeti i saj” (ese për Ernest Koliqin); “Fishta” (studim për Gjergj Fishtën), në të cilin jezuiti Valentini e quan françeskanin Atë Fishta: “Homeri shqiptar, poet i madh kombëtar e një nga poetët epikë më të mëdhenjtë në botë”.

Kujtojmë se vetëm në revistën e njohur të Ernest Koliqit “Shêjzat”, botoi mbi njëqind artikuj e studime, që japin ndihmesën e vet në të gjitha fushat e kulturës.
Atë Zef Valentini nuk ishte shqiptar, por ndjehej shqiptar; e fliste dhe e shkruante shqipen më mirë se një shqiptar dhe bëri për kulturën e vërtetë shqiptare, atë që pak shqiptarë e kanë bërë.

Për Atë Zef Valentinin kanë thënë: 

Papa Pali VI më 25 prill 1968, me rastin e festimit të 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut në Romë: “Shqiptarë! Duajeni Atë Zef Valentinin, se ai ju do me zemër. Çmojeni, se ai punon pa pushim për t’i bërë të njohura para botës vlerat tuaja shpirtërore dhe artistike. Ai është juaji, sepse i ka dhuruar çështjes suaj mendjen e zemrën e vet”.

Ernest Koliqi:"At Valentini mbrriti në Shqipni ne shtatorin e vjetës 1922. N'at muej te ambel e te praruem vjeshtor, Shkodra e priti me heshtjen dhe nxehtësinë e rrugëve te saj gjarpnuese, rrethue me gjetht e zverdhuna te lulevileve n'agoni e me aromat e mshehta, qi asokohe vershojshin prej s'mbrendshmi në rrugë, tue ardhë prej matanë mureve te nalta te oborreve te mbylluna''.

Martin Camaj, pas botimit të korpusit vigan prej 30 vëllimesh, të mbledhura e të dokumentuara ndërmjet mijëra e mijëra skedash biblioteke, titulluar “Akte shqiptaro-veneciane të shekujve XIV-XV”, permbledhje e 4000 dokumenteve që, sipas vëllimeve, datojnë që nga viti 1301 deri në vitin 1447, shkruan: "Botimi i këtyne dokumentave po ban mjaft bujë ne rrethet shkencore gjermane, që po e konsiderojnë At Zef Valentinin, historianin ma të madh të kohës, jo vetëm në Shqipni, por në gjithë Gadishullin Ballkanik".
E ne kujtojmë sot se pas përndjekjes që iu bë në Shqipërinë komuniste, Atë Valentini rikthehet me veprën e tij në vendin e misionit e shqiptarët kujtohen sa i mungonte kulturës dhe traditës së tyre.
Interesi për veprën e tij madhore vijon të rritet. Kujtojmë botimin e Vëllimit I të veprave të Jezuitit të madh nga ‘Plejad’ dhe dëshirën për botimin e veprës së plotë të Atë Valentinit, punë vërtetë impenjative, që kërkon shumë kohë e shumë aftësi. 








All the contents on this site are copyrighted ©.