2015-11-14 11:34:00

Tmerr në Paris: më se 129 të vdekurit në disa sulme terroriste


Franca është e tmerruar. Së paku 129, të vdekurit, më se 300, të plagosurit: bilanc ky, për fat të keq, i përkohshëm, i një nate sulmesh terroriste në Paris. Atentatet ndodhën në shumë pika të kryeqytetit. Presidenti francez Hollande shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në të gjitha trojet franceze. U mbyllën menjëherë kufijtë. Franca - tha kreu i Elizeut - duhet të jetë e fortë. Terroristët duan të na tmerrojnë, por nuk do t’ia dalin. Sot edhe shkollat e muzetë do të jenë të mbyllura.

Ora 21.30 kur u dëgjua shpërthimi i parë, i pasuar nga një i dytë e një i tretë. Ishte një kamikaze, që u hodh në erë jashtë stadiumit të Francës, në Saint Denis, në veri të kryeqytetit, ndërsa vijonte ndeshja miqësore Francë-Gjermani. Njerëzit nuk u kujtuan fare për atë, që po ndodhte, ndërsa presidenti Hollandë, i pranishëm në ndeshje, u largua menjëherë. Frika e paniku nisën të ndjehen fort në përfundim të ndeshjes, kur u dha njoftimi për atë, që kishte ndodhur. Mbrëmë Parisi ishte si Beiruti, Tripoli, Bagdadi. Franca, nën kërcënimin e sulmeve të pashembullta. Të shtënat e kallashnikovëve goditën të ashtuquajturat “soft target”, objektiva të lehta, të pambrojtura, si baret, restorantet, sallën historike të ballos Bataclan, ku më se 1500 njerëz po ndiqnin një koncert. Plojë e vërtetë, e tmerrshme. Katër terroristë masakruan më se 80 vetë. Pas ndërhyrjes së njësive speciale të policisë, që vranë njërin nga atentatorët, tre të tjerë u hodhën në erë me brezat shpërthyes. “Ishte një tmerr i vërtetë. Mobilizuam të gjitha forcat e mundshme”, pohoi presidenti Hollandë, në një konferencë shtypi. Para Bataclan, foli për një Francë të vendosur, të bashkuar, që nuk do të  dorëzohet, por do të  vijojë betejën e pamëshirshme kundër terroristëve. Tetë, atentatorët e vrarë, 7 prej tyre, kamikaze, të tjerët, në ikje. Në Francë, gjendja e jashtëzakonshme “Alfa Rouge”, më alarmantja e mundshme dhe dyndja e ushtarakëve në kryeqytet. Ndërkaq në internet, kanalet me vulë xhihadiste himnizojnë terrorin e mburren për tmerrin, që shkaktuan në Paris: “Është 11 shtatori i Francës”, lexohet, ndërsa bëhen të gjitha përpjekjet e mundshme për të përdorur strategjinë e frikës. “Objektivat e ardhshme – shkruajnë - do të jenë Roma, Londra, Washingtoni”.  








All the contents on this site are copyrighted ©.