2015-11-14 17:09:00

Papa: pranë dhimbjes së Francës: kjo nuk është njerëzore


Dënim i plotë i “dhunës, që nuk mund të zgjidhë asnjë problem”;  lutje për ngushëllimin e atyre, që u goditën nga sulmet e tmerrshme kundër Francës e edhe për paqen e mbarë njerëzimit. Janë disa nga fjalët,  me të cilat Papa Françesku shprehu, në një komunikatë zyrtare, e pastaj edhe në një telegram, nënshkruar nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, keqardhjen e tij të thellë për kërdinë e tmerrshme, që gjakosi dje Parisin, gjatë sulmeve të armatosura, që pasuan njëri-tjetrin, vepër e Isisit. Sipas një bilanci ende të përkohshëm, deri tani numërohen 128 të vdekur e 250 të plagosur. Prej tyre, një qind në gjendje të rëndë. Papa deshi ta komentojë ngjarjen edhe në një bisedë të shkurtër telefonike me drejtorin e TV2000, Lucio Brunelli.

Në se do të ishte e mundur të personifikohej dhimbja më e pabesueshme, do të mjaftonte të dëgjoje fjalët e Papës e, akoma më shumë, atë që shprehën heshtjet e tij ndërmjet një fjale e tjetrës:

“Jam i prekur e i hidhëruar e nuk e kuptoj... po këto janë gjëra të vështira për t’u kuptuar, të bëra nga qenie njerëzore…”

“Kjo është një pjesë…”

Tronditja e Françeskut është shprehje e ndjenjës së mbarë botës civile, që u desh ta ndiqte   masakrën e Parisit. Një qytet, që shndërrohet në arenë pa rrugëdalje, njerëz të pambrojtur, që kalojnë sakaq nga jeta në vdekje, të masakruar nga kriminelë pa zemër, të cilët korrin e grijnë si në videolojrat më barbare, ku tjetri, si është vënë në shënjestër, bëhen me kënaqësi copë e grimë. Copa, si ato të luftës së tretë botërore, që luftohet prej kohe e që Papa, po prej kohe, ia kujton të gjithëve:

“Eh po, kjo është një copë. Po nuk ka përligjje për gjëra të tilla. Kjo nuk është njerëzore…”.

Sulm kundër paqes së njerëzimit

Françesku e dënoi ashpër, që në mëngjes heret, tmerrin që kishte pushtuar kryeqytetin francez. E bëri përmes fjalëve të atë Federico Lombardit:  “Jemi thellësisht të tronditur nga ky manifestim i dhunës së çmendur terroristike e i urrejtjes. E dënojmë në mënyrën më radikale, së bashku me Papën e me të gjithë njerëzit, që e duan paqen”. Ky, pohimi i drejtorit të Sallës vatikanase të Shtypit, që vijon: “Lutemi për viktimat dhe për të plagosurit, si dhe për mbarë popullin francez. Ky  sulm kundër paqes së mbarë njerëzimit kërkon reagim të vendosur dhe solidar nga ana e ne të gjithëve, për t’ia prerë rrugën përhapjes së urrejtjes vrasëse, në të gjitha format e saj”.

E dua shumë Francën

Në fjalët telegramit, që arriti më vonë e që i drejtohej kryeipeshkvit të Parisit, kardinalit André Vingt-Trois, Papa i lutet Zotit, Atit të mëshirës, të cilit ia beson viktimat dhe familjet e tyre, siç përsëriti disa herë edhe në bisedën telefonike:

“Për këtë jam i prekur e i hidhëruar e lutem, jam tejet pranë popullit francez, shumë të dashur, pranë familjarëve të viktimave e lutem për të gjithë, e shumë afër atyre, që vuajnë dhe me gjithë Francën, që e dua shumë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.