2015-11-13 18:22:00

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 33-të gjatë vitit kishtar ‘B’


Gjatë vitit liturgjik, që është afër përfundimit, kemi kremtuar etapat e misterit të shpëtimit: këtë të diele, në një farë mënyre paraprijmë, parashijojmë në misterin e shëlbimit, përfundimin e tij triumfal. Ta bëjmë tonën britmën e Kishës së parë: “Eja, o Zot Jezus!”. Në atë britmë është shpresa që e mbështet Kishën në shtegtimin e saj tokësor drejt atdheut qiellor.

Liturgjia e kësaj së diele na fton të reflektojmë mbi mënyrën se si e jetojmë kohën. Biseda e Jezusit, (Ungjilli i së dielës) vërtet, nuk na kërkon ta përqendrojë vështrimin tonë mbi atë çka do të ndodhë në mbarimin e historisë, por mbi kohën e sotme, duke na ftuar ta interpretojmë në një vështrim të ndryshëm, për të kuptuar e pranuar afrimin e Birit të njeriut.

Historia e çdo kohe, edhe ajo e kohës sonë, na vë para sysh shenjat e vdekjes e të shpërbërjes (shthurjes). Brenda një bote që vdes mund të mësojmë nga shenja e fikut: “kur të shihni se po ndodhin këto, dini se është afër – te dera!”. Kur shohim ngjarjet dramatike që karakterizojnë historinë, duhet të qëndrojmë të bindur në Zotin që afrohet me pushtetin e mëshirës së tij shpëtimprurëse.

Gjithçka kalon, por nuk kalon fjala e Zotit e premtimi i tij i jetës. Ai premtim që na jepe këtë diele Danieli profet në Leximin e parë: “Në atë kohë populli yt do të shpëtojë”. Krishti vërtet, na kujton letra e Hebrenjve (Leximi dytë), të gjithë armiqtë e tij, duke përfshirë edhe vdekjen, do t’i vendosë nën këmbët e tij. Me një flijim të tij të vetëm Jezusi rivendos bashkimin e plotë të qenieve njerëzore me Hyjin.

Siç përmendem në fillim, viti liturgjik, cikli dytë, po shkon drejt mbarimit e Fjala e Zotit e kësaj së diele na fton të reflektojmë mbi “sendet e mbramë” të jetës, mbi mbarimin e kohës e të historisë e sidomos mbi rezultatin përfundimtar të ekzistencës sonë. Na ngushëllon një fjalor i vështirë, me tone të forta e imazhe që duket sikur përshkruajnë fundin si një katastrofë, si një rrënim të krijimit. Prandaj, është e domosdoshme të depërtojmë në thellësinë e fjalorit e të gjuhës, pjesërisht e huaj për mënyrën tonë të të folurit e të të shprehurit, për të arritur te domethënie e thellë e Fjalës, te e vërteta e Zotit që na shndrit e na udhëheq drejt misterit të Jetës së Amshuar.

Pjesa e Ungjillit të Markut na propozon këtë diele thelbin e fjalimit të mbramë të Jezusit, para ngjarjes së mundimeve, të vdekjes e ngjalljes së tij. Studiuesit e quajnë këtë fjalim “eskatologjik”, sepse në te kemi përshkrimin që na jep Jezusi mbi “gjërat e mbarmë”, për mbarimin e kohës e të historisë. Krishti na fton të jemi të vetëdijshëm për dy gjëra: së pari se, historia, bota, krijimi nuk janë të përjetshme. Së dyti, se për ne është e pamundur të përcaktojmë kur do të vijë ky mbarim i botës. Është fjala për misterin që i përket vetëm Hyjit, Atit Krijues e plot Dashuri. “Qielli e toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk kalojnë kurrë”, thotë Jezu Krishti. Të mbështetemi në Fjalën e Tij jetëdhënëse.

                   Liturgjia e Fjalës se Zotit

Leximi i parë Dan 12, 1-3

Me një fjalor plot imagjinatë Danieli, një profet i Besëlidhjes së Vjetër, transmeton një mesazh të thellë shprese: të drejtët janë të thirrur në jetën e amshuar. Ky lajm do të shpallet plotësisht në Ungjijtë pas ngjalljes së Jezu Krishtit.

Lexim prej Librit të Danielit profet

Në atë kohë do të ngrihet Mikaeli, Princi i Madh, që i mbron bijtë e popullit tënd. Kjo do të jetë një kohë ngushtice të madhe. E tillë nuk qe qysh se filluan të jetojnë popujt e deri në atë kohë! Në këtë kohë populli yt do të shpëtojë: secili që do të gjendet i shkruar në Libër.

Një numër i madh i atyre që flejnë në tokën e pluhurit do të zgjohen: disa për jetën e pasosur e disa për turpin e përhershëm. Dijetarët do të shkëlqejnë porsi kthjelltësia e kupës qiellore, e ata që ua kanë mësuar shumëve drejtësinë, do të shkëlqejnë porsi yjet në amshimin e përhershëm. Fjala e Zotit.

Psalmi 16

Më ruaj, o Zot, sepse në ty shpresoj

----------

Zoti është pjesa e trashëgimit tim

dhe gota ime,

në dorën tënde është fati im!

Zotin e kam gjithmonë para sysh,

më rri në të djathtë,

nuk kam sesi të rrëzohem!

----------

Prandaj galdon zemra ime,

gëzon shpirti im,

mbarë trupi im pushon në qetësi.

S’do të ma lësh shpirtin në nëntokë,

as s’do të lejosh

që Shenjti yt të kalbet në dhe.

----------

Ti do të ma tregosh udhën e jetës,

gëzimin e plotë para fytyrës sate,

kënaqjen e amshueshme

në të djathtën tënde.

----------

Leximi i dytë Heb 10, 11-14.18

Në besimin e Besëlidhjes së Vjetër shpesh besohej se Zotit mund t’i merrej falja me forcë, nëpërmjet riteve, ofertave dhe flive. Nëpërmjet Krishtit ne e kemi marrë faljen njëherë e përgjithmonë dhe për të gjitha mëkatet.

Hyji nuk do vdekjen e mëkatarit, por që ai të kthehet dhe të jetojë. Një i krishterë njeh praninë e mëkatin, por beson me qëndrueshmëri më të madhe në fitoren e Krishtit mbi mëkatin.

Lexim prej Letrës drejtuar Hebrenjve

Çdo prift tjetër qëndron gati për çdo ditë për të kryer shërbesën e kultit dhe shpesh kushton po të njëjtat fli, të cilat assesi s’mund t’i shlyejnë mëkatet. Krishti, përkundrazi, duke pas kushtuar për mëkate vetëm një fli të vetme, rri përgjithmonë në të djathtën e Hyjit, dhe qysh atëherë pret vetëm që armiqtë e tij të vihen shtrojë e këmbëve të tija. Dhe, vërtetësisht, me një kusht të vetëm i përsosi për amshim të shenjtëruarit. Tashti, atje ku u falën mëkatet, nuk ka më kushte për to! Fjala e Zotit.

Ungjilli Mk 13, 24-32

Jezusi shpall fundin e botës kur do të kthehet për të gjykuar historinë e njerëzve.

Mund të ndodhë që njerëzit e sotshëm që janë të pangopur me pasuri, kënaqësi dhe pushtet, të goditen nga katastrofa të mëdha.

Edhe në këtë rast për besimtarin mund të ketë “një lajm të mirë”, nëse njeriu pas katastrofës pranon të bashkëpunojë në ndërtimin e historisë sipas planit të Hyjit.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut

Jezusi u tha nxënësve të vet: “Porse, në ato ditë, pas aso vështirësie, dielli do të terratiset, hëna nuk do ta lëshojë dritën e vet, yjet do të bien prej qiellit, e trupat qiellor do të lëkunden. Atëherë do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi re me fuqi të madhe e me lavdi. Ai do t’i dërgojë engjëjt e vet e do t’i bashkojë të zgjedhurit e vet nga katër anët e botës – prej skajit të tokës deri në skaj të qiellit.

Mësoni prej shëmbëlltyrës së fikut: Posa i lëngëzohen gemat e qet gjethe, e dini se vera është afër. Kështu edhe ju, kur të shihni se po ndodhin këto, dini se është afër – te dera! Përnjëmend po ju them: nuk do të kalojë kjo brezni pa u bërë të gjitha këto. Qielli e toka do të kalojnë, e fjalët e mia nuk do të kalojnë. Sa për atë ditë e për atë orë, s’di askush, as engjëjt në qiell, as Biri, por vetëm Ati.”  Fjala e Zotit.

Më shumë mbi liturgjinë e Fjalës së Zotit të kësaj së diele mund të dëgjoni këtu.........








All the contents on this site are copyrighted ©.