2015-11-13 18:51:00

Kryepeshkopi Anastas merr Çmimin “Giuseppe Sciacca”


Më 10 nëntor, në Sallën kryesore të Universitetit Papnor Urbanian, u mbajt ceremonia e dhënies së Çmimit Ndërkombëtar “Giuseppe Sciacca”, në edicionin e tij të 11-të. Giuseppe Sciacca është një arkitekt katolik, vdekur në moshë të re. Është shembull morali dhe bujarie të krishterë për rininë. Në praninë e kardinajve Dario Castrillòn Hoyos dhe Raffaele Farina, si edhe të autoriteteve të tjera kishtare, civile, ushtarake e të Trupit Diplomatik të akredituar pranë Selisë së Shenjtë dhe Italisë, çmimi absolut iu dha një fotografi 9-vjeçar spanjoll, Carlos Perez Naval. Por Çmimi - i krijuar me idenë e Shoqatës Ndërkombëtare të Kulturës e Vullnetariatit “Njeriu dhe shoqëria”, përbërë kryesisht nga të rinj studentë të krishterë - ka edhe sektorë të tjerë, gjithnjë në këndvështrimin e impenjimit të njeriut për ta bërë të njohur farën e Zotit të pranishme në secilin prej nesh e në botë. Në njërin nga këta sektorë e pikërisht për “Veprimtarinë Misionare dhe për Veprat e Solidaritetit Shoqëror”, çmimi iu dha Primatit të Kishës Ortodokse të Shqipërisë, kryepeshkopit të Tiranës, Anastas.

Teolog e historian i feve, Fortlumturia e Tij është autor i botimeve të shumta shkencore, përkthyer në disa gjuhë të botës. Në motivacionet e Çmimit, theksohet se i është përkushtuar me impenjim të jashtëzakonshëm veprimtarisë misionare në Afrikë, ka ndërtuar 145 kisha dhe ka restauruar 70 të tjera. Delegacioni grek, i kryesuar nga Sekretarja e Përgjithshme e Çmimit, Vasiliki Bafataki, i dorëzoi kryepeshkopit një skulpturë prej qelqi.

Kryeipeshkopi Anastas qe edhe njëri nga organizatorët e pjesëmarrësit në Forumin Global të Krishterë në Tiranë, i cili nga 2 deri më 4 nëntor, bëri të njohur diskriminimin, persekutimin dhe martirizimin e të krishterëve në botë. Atyre ditëve, ia drejtuam edhe mikrofonin e Radio Vatikanit. Ja ç’na tha:

Ngjarja e parë pozitive është se të krishterët u mblodhën të gjithë bashkë. Mendoj se në shekullin e 21-të ka rëndësi solidariteti ndërmjet tyre. Brezi ynë ka dëshirë të madhe për bashkim e akoma jemi duke u lutur e duke punuar për këtë. Por, pavarësisht se akoma nuk jemi të bashkuar, kemi mundësinë e solidaritetit: të jemi bashkë, të analizojmë së bashku, të kritikojmë së bashku, madje, edhe të trishtohemi së bashku, por edhe të vazhdojmë të ecim përpara. Unë besoj se kjo është shumë e rëndësishme. Diskriminimi, persekutimi, martirizimi vijojnë në vende të ndryshme të botës. Në vendet ku të krishterët janë pakicë, ata vuajnë diskriminimin dhe persekutimin. Ne të krishterët, që jemi në vendet me shumicë kristiane, duhet ta ngremë zërin dhe të ndikojmë mbi qeveritarët e këtyre fuqive të mëdha që të jenë më të drejtë. Gjithashtu, duhet të flasim edhe për përgjegjësinë. Flasim shpesh për dhunën. Në shekullin e mëparshëm u krijua i ashtuquajturi “proletariat”, të cilit i dhanë shpresë për barazi, zhvillim e kështu me radhë, gjithçka bazuar në doktrinën filozofike ateiste. Do të ishte tepër e rrezikshme për shekullin e 21-të sikur të krijohej një “proletariat” i ri, i frymëzuar nga një lloj feje, që nuk është fe e vërtetë, por e përdor fenë si bombë atomike. E kjo është jashtëzakonisht e rrezikshme. Përgjegjësia jonë dhe e fuqive të mëdha është të jemi më të drejtë. Ne flasim tepër për paqe e drejtësi, por do të përmendja edhe një tjetër fjalë kritike “zhvillim”, sepse shtypjen më të rrezikshme në këtë botë e ushtron varfëria. Nëse i lëmë njerëzit të varfër e nuk jemi të drejtë me ta, natyrisht që arrihet deri tek dhuna. E ne jemi përgjegjës për këtë. Në këtë perspektivë, kur flasim për të krishterët, ne flasim për solidaritetin dhe për përgjegjësinë e të krishterëve në të gjithë botën. Ne nuk jemi ojq të izoluara e të vogla në vende të ndryshme. Ne jemi e njëjta Kishë, Shenjte, Katolike dhe Apostolike e duhet ta ndjejmë përgjegjësinë për këtë. Për mua, është jashtëzakonisht e rëndësishme që ne ta marrim përsipër këtë përgjegjësi. Edhe këtu në Ballkan ne kemi përjetuar përvoja të shumta dhune. Nuk dua të përmend emra konkretë, por unë e kujtoj mirë kur dikush u përpoq ta përdorë fenë për dhunë. Prej këndej, unë vetë kam thënë disa herë se feja duhet përdorur për t’i qetësuar njerëzit e jo për luftë. Ne duhet të jemi më kritikë e jo indiferentë e apatikë, të plogët. Dhuna mbetet histori e rëndësishme sot. Unë besoj se dhuna në emër të fesë është krim kundër fesë.

Njerëzit këtu, nuk thanë na sillni ushtri për të na shpëtuar, por nënvizuan se “martirizimi është pjesë e të qenit të krishterë. Lutuni për ne”. A nuk ju bëri përshtypje edhe juve?

 Kjo është tipike në traditën e një Kishe të vetme, shenjte, katolike dhe apostolike. Unë mund të them se Kisha nuk është apostolike vetëm në kuptimin e doktrinës tradicionale e në trashëgiminë e ipeshkvijve, por është edhe Kishë martire. Martirizimi është pjesë e ADN-së së fesë së krishterë. Zoti na ka thënë: “nëse më urrejnë mua, do t’ju urrejnë edhe juve e, nëse më persekutojnë mua, do t’ju persekutojnë edhe juve”. Pranimi i martirizimit është karizëm. E shohim edhe tek Shën Pali Apostull kur thotë: “Krishti u është dhënë juve jo vetëm për të besuar në Të, por edhe për të vuajtur për Të”. Të pranojmë me gëzim, është një sekret tjetër i përvojës së krishterë. Përvoja e krishterë e ndryshoi dhimbjen e martirizimit, duke e shndërruar në bekim e gëzim, sepse martirët e dinë se martirizohen për hatër të Krishtit, për hatër të dashurisë, për hatër të së vërtetës. Kjo është shumë e rëndësishme e falë Zotit, vëllezërit tanë e mbajtën këtë. Ata janë shembull për ne, por nga ana tjetër, ne, që ndodhemi në një situatë më të mirë, e kemi për detyrë t’u qëndrojmë pranë, natyrisht, me lutje, por edhe me mjetet e tjera që kemi në dorë. Për shembull, ne jemi të pranishëm në vende të mëdha, ku votojmë. Pse të mos e përdorim këtë votë për të ndihmuar qeveritarët tanë të jenë më të përgjegjshëm? Pse duhen krijuar gjithë këto konflikte në Lindjen e Mesme? Nuk mjafton të urojmë fundin e gjakderdhjes: kemi mundësinë ta ndalojmë atë. Ka dy përgjegjësi të ndryshme: ka njerëz që vuajnë e përgjegjësia e tyre është ta pranojnë këtë dhimbje me durim e ta shndërrojnë këtë vuajtje në “koinonia” me Krishtin, në pjesëmarrje në Mundimet e Krishtit; të tjerët duhet të ndjekin fjalën e Shën Palit, që thotë: “nëse një gjymtyrë vuan, të gjitha të tjerat vuajnë bashkë me të”. Tani për tani, ne të krishterët nuk jemi të bashkuar në unitet, por kemi mundësinë dhe rastin të jemi të bashkuar në solidaritet. Nganjëherë përjetojmë një atmosferë dëshpërimi. Më kujtohet rinia ime. Përpiqesha ta kuptoja botën pas Luftës II Botërore, pas kësaj errësire të plotë. Brezi im tha: të shkojmë drejt Kishës, sepse atje ka mundësi për liri e për dashuri. Tani, kam shumë shokë, që në atë periudhë i konsideroja armiq, sepse ishin në anën tjetër të frontit. Por, falë Zotit, në Evropë nuk patëm më luftra, prandaj gjetëm pajtimin. Le të jemi më optimistë për të ardhmen. Ne duhet të kemi guximin për të shpresuar. Ata që besojnë në Krishtin duhet të kenë guximin jo vetëm t’i duan të tjerët, por edhe të shpresojnë. 








All the contents on this site are copyrighted ©.