2015-11-12 00:30:00

Papa Françesku: shtegtimi është përvojë mëshire


“Jeta është shtegtim” e njeriu është “shtegtar që përshkon udhën deri në cakun e shumëdëshiruar”. Kështu shkruan Papa në mesazhin drejtuar presidentit të Këshillit Papnor për Kulturën, kardinalit Gianfranco  Ravasi, me rastin e mbledhjes së përbashkët të Akademive Papnore mbi temën “Te pragu i Pjetrit. Gjurmët monumentale të shtegtimit në shekujt e parë të krishterimit”.

Mbledhja – lexohet në mesazhin e Papa Françeskut – na përgatit për Vitin e Shenjtë “duke na tërhequr vëmendjen ndaj shtegtimit si element pozitiv të Jubileut”. Shtegtimi, “ikonë e udhëtimit që çdo njeri bën në jetën e tij”, është “një shenjë e veçantë e Vitit të Shenjtë”.

Shtegtimi – shton Ati i Shenjtë – është edhe “një përvojë mëshire, bashkëndarjeje dhe solidariteti me atë person me të cilin bën të njëjtën udhë, si dhe përvojë e mikpritjes, e bujarisë nga ana e atij që i mirëpret e i ndihmon shtegtarët”. Ndër veprat e mëshirshme, që karakterizojnë Vitin e Shenjtë – shton Papa – spikat pikërisht ajo e “pritjes së udhëtarëve të panjohur”.

Papa Françesku uron së fundi që “ata që do të mbërrijnë në Romë me rastin e Vitit të Shenjtë, të kenë rastin për të jetuar përvojën e shtegtimit drejt shumë caqeve që propozon Kisha lokale, e të mund ta ndjejnë, si dishepujt e Emausit, Zotin pranë tyre si shok udhëtimi”.

Gjatë takimit, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, u dorëzoi Çmimin e Akademive Papnore, ex aequo, shoqatës portugeze “Campo Arquelògico di Mèrtola”, prof. Virgilio Poles, për fushatat arkeologjike që kanë ndërmarrë viteve të fundit, e dr. Matteo Braconi-t për tezën e doktoratës mbi “Mozaikun e absidës së bazilikës romake shën Prudenciana. Historia, restaurimet, interpretimet”. Më tej, në shenjë inkurajimi për kërkimet historike bërë në fushën fetare, doktoreshës Almudena Alba Lopez iu dha Medalja e Papnisë, për botimin e veprës “Teologjia politike e polemika antiariane”.








All the contents on this site are copyrighted ©.