2015-11-12 15:54:00

Papa Françesku: besimtarët laikë nuk janë thjesht zbatues urdhërash


Besimtarët laikë nuk janë anëtarë të “kategorisë së dytë” në Kishë, në shërbim të hierarkisë e zbatues të thjeshtë të urdhërave nga lart, por si dishepuj të Krishtit janë të thirrur ta gjallërojnë çdo mjedis sipas shpirtit të Ungjillit: kështu pohon Papa Françesku në një Mesazh me rastin e Ditës së studimit, organizuar nga Këshilli Papnor për Laikët, në bashkëpunim me Universitetin Papnor të Sh'na Kryqit, mbi temën  “Thirrja e misioni i laikëve. Pesëdhjetë vjet nga Dekreti konciliar “Apostolicam actuositatem””.

Koncili II i Vatikanit – pohon Papa Françesku – ka qenë “ngjarje e jashtëzakonshme hiri” që “ndër frytet e shumta” ka sjellë edhe “një mënyrë të re në vështrimin e vokacionit e të misionit të laikëve në Kishë e në botë”. Dokumentet e Koncilit II të Vatikanit, i përfshinë laikët brenda vizionit të përbashkët të Popullit të Zotit, të cilit i përkasin së bashku me anëtarët e urdhërave të shenjta e të kongregatave rregulltare. Ata marrin pjesë, me karakteristikat e tyre, në funksionin meshtarak, profetik e mbretëror të vetë Krishtit. Koncili, pra, - nënvizon Papa Françesku – nuk i shikon laikët si të ishin anëtarë të “kategorisë së dytë”, në shërbim të hierarkisë e si ekzekutues të thjeshtë të urdhërave nga lart, por si dishepuj të Krishtit që, në sajë të forcës së Pagëzimit të tyre dhe të pjesëmarrjes së natyrshme të tyre “në botë”, janë të thirrur të gjallërojnë çdo mjedis, çdo aktivitet, çdo marrëdhënie njerëzore sipas shpirtit të Ungjillit, duke sjellë dritën, shpresën, dashurinë e marrë nga Krishti në ato vende, të cilat, përndryshe, do të mbeteshin të përjashtuara nga vepra e Zotit e të braktisura në mjerimin e kushteve njerëzore. Askush më mirë se ata nuk mund ta kryejë detyrën thelbësore të “mishërimit të ligjit hyjnor në jetën e qytetit tokësor” (Gaudium et spes)”.

 








All the contents on this site are copyrighted ©.