2015-11-12 11:02:00

Më 12 nëntor kalendari kujton Shën Jozafatin, ipeshkëv e martir:


Më 12 nëntor kalendari kujton Shën Jozafatin, ipeshkëv e martir. Shën Jozafati Kuncewycz  lindi në Vilnius të Lituanisë rreth vitit 1580 nga prindër ortodoksë. Rreth moshës 20 vjeçare u kthye në katolicizëm dhe hyri ndër rregulltarë bazilianë (1604), ku pas pak kohe u zgjodh i parë, pastaj abat e, së fundi, kryeipeshkëv i Polozkut (1617).

Gjatë gjithë jetës së tij meshtarake ruajti ritin e Kishës Uniate, në harmoni të plotë me Kishën e Romës. Për këtë, gjithnjë në harmoni me Romën, punoi pa pushim: riorganizoi klerin e vendit, jetën rregulltare dhe sjelljet fetare.

Ktheu në bashkimin e Kishës aq shumë njerëz, sa të quhej nga të gjithë: “ Rrëmbyes shpirtrash”. Kundërshtarët nisën ta urrenin për shkak të jetës së tij të shenjtë, e sidomos të apostullimit, zhvilluar ndërmjet ortodoksëve të Rutenisë.

Urrejtja e ortodoksëve të shkëputur nga Kisha u thellua aq, sa një ditë i hynë të armatosur në banesën e argjipeshkvisë, e mbytën mizorisht dhe trupin e tij e flakën në lumin e Dunës. (Viterbsk, Rusia e Bardhë, 1623).








All the contents on this site are copyrighted ©.