2015-11-12 15:41:00

Françesku, guanelianëve: të varfërit nuk mund të presin


“Zoti është atë e nuk mund të mos na dojë”, “zija, mungesa më e madhe është ajo e dashurisë dhe e bamirësisë”. Janë këto, dy aspekte të fjalës së Papës Françesku për guanelianët, të cilët i priti në Vatikan, me rastin e shtegtimit të tyre në Romë për 100-vjetorin e vdekjes së Shën Luigjit Guanela. Ati i Shenjtë e përmendi disa herë shenjtin, duke këshilluar të ndiqet shembulli i tij i shërbimit për të varfërit, sepse “mjerimi nuk pret”, nënvizoi. Çfarë do t’u thoshte sot, themeluesi juaj, shën Luigji Guanela? Kështu i pyeti Papa guanelianët, duke vënë në dukje se shenjti i madh do të kishte përdorur “thjeshtësinë e tij të çiltër e të pastër”. Tri, fjalët, mbi të cilat Ati i Shenjtë shtjelloi ndërhyrjen e tij: “të besojmë, të shikojmë e të shpejtojmë”.

Don Guanela besoi në dashurinë pa kufi të Zotit

Jeta e don Guanelës, nënvizoi Papa, u karakterizua nga “siguria se Zoti është Atë i mëshirshëm e providencial”. Kjo, shtoi, ishte për të zemra e fesë: të ndjehej bir gjithnjë i dashur, për të cilin Ati Qiellor kujdeset shumë:

“Zoti është Atë e nuk mundet të mos na dojë. As është i aftë të rrijë larg bijve të vet. Nëse i rrimë larg, na pret; nëse i afrohemi, na përqafon; nëse biem, na ngre; nëse pendohemi, na fal. E dëshiron gjithmonë të na takojë. Shën Luigji besoi aq shumë në këtë dashuri konkrete e providenciale të Atit Qiellor, sa të kishte shpesh guximin t’i kapërcente kufijtë e frikës njerëzore, për të zbatuar në praktikë Ungjillin”.

Mos u largo nga Zoti, është Atë jo Padron

Don Guanela, vijoi Papa, mendonte se Zoti kujdeset gjithnjë për ne e dëshiron të kemi besim në Të. “Mendoj – tha Ati i Shenjtë – se Atit Qiellor i vjen shumë keq kur shikon se bijtë e Tij nuk i besojnë plotësisht: ndoshta i besojnë një Zoti të largët, jo një Ati të mëshirshëm”. E kështu, ndokush mendon se Zoti është Atë, por edhe padron. Por ky, nënvizoi Françesku, është mashtrim i madh:

 “Është mashtrimi i lashtë i armikut të Zotit e të njeriut, që e maskon realitetin dhe e bën të mirën të duket si e keqe. Ky është tundimi i parë: distancimi nga Zoti, të frikësuar nga dyshimi se atësia e Tij nuk është vërtet providenciale dhe e mirë. Por Zoti është vetëm dashuri, dashuri e pastër providenciale. Ai na do shumë më tepër nga ç’e duam ne vetveten dhe e di çfarë është mirë për ne”.

Dashuria e të afërmit është ngushëllim në jetë

Fjala e dytë, që vuri në dukje Papa, është “të shikojmë”. Ati Krijues, tha, zgjon edhe krijimtarinë në ata, që jetojnë si bijtë e Tij. E kështu, mësojnë ta shohin botën me sy të rinj, që bëhen më të shndritshëm nga dashuria e nga shpresa. Të tjerët, vërejti Ati i Shenjtë, nuk duhet t’i duken si pengesa këtij vështrimi, por si vëllezër e motra për t’u mirëpritur. Zbulojmë kështu, siç thoshte don Guanela, se dashuria për të afërmin është ngushëllim në jetë:

“Në botë nuk mungojnë kurrë problemet dhe koha jonë njeh fatkeqësisht, shumë varfëri e tepër padrejtësi. Por zija, mungesa më e madhe është ajo e dashurisë: nevojiten sidomos njerëz me sy të rinuar nga dashuria e me vështrime, që dikojnë shpresë. Sepse ‘dashuria bën të gjenden mënyra e fjalë për ta ngushëlluar të vobektin’, siç thoshte themeluesi juaj”.

Mungesa më e madhe është ajo e dashurisë

 Nganjëherë, theksoi Papa, jeta jonë shpirtërore është dritëshkurtër, miope, sepse nuk arrijmë të shohim përtej vetvetes. Herë të tjera, jemi presbitë: na pëlqen të shohim të largëtit, por nuk jemi në gjendje të përkulemi për t’u kujdesur për kë kemi pranë. Ndërkaq, nganjëherë, i mbyllim sytë, sepse jemi të lodhur e të zhytur në pesimizëm. Ndërsa don Guanela na fton të kemi të njëjtin vështrim me atë të Zotit, i cili dikon shpresë e gëzim. E pastaj, Papa vuri në dukje fjalën e tretë të reflektimit të tij “të shpejtohemi”, duke folur veçanërisht për të varfërit:

“Të varfërit janë bijtë e zgjedhur të Atit, thoshte shën Luigji, që përsëriste shpesh: ‘kush u jep të varfërve, i jep borxh Zotit’. Ashtu si Ati, që është delikat dhe konkret ndaj bijve të vet më të vegjël e më të brishtë, ashtu edhe ne nuk mund t’i lemë të presin vëllezërit e motrat në vështirësi, sepse – janë gjithnjë fjalë të don Guanelës – ‘mjerimi nuk mund të presë. E ne nuk mund të ndalemi derisa të ketë të varfër për të ndihmuar!’”.

Zoja, përfundoi Ati i Shenjtë, shpejtoi për të shkuar tek kushërira e saj, Elizabeta (shih Lk 1,39). Edhe ne ta pranojmë ftesën e Shpirtit Shenjt për të shkuar shpejt tek ata, që kanë nevojë për kujdesin e dashurinë tonë. Siç na mëson shën Luigji Guanela, “zemra e krishterë, që beson e ndjen, nuk mund të kalojë para skamjes së të varfërit pa e ndihmuar”.








All the contents on this site are copyrighted ©.