2015-11-11 13:59:00

Kardinali Parolin: kundër Kishës, sulme mediatike histerike


Rasti Vatileaks, reforma e Kuries dhe vizita e Papës Françesku në Firence. Këto janë temat e intervistës së Radios sonë me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin, i cili nënvizon se kundër Kishës janë nisur në sulm, shpesh pa arsyetuar, shumë media, që shkojnë pas emocioneve të çastit:

Nuk besoj se këto polemika mund të krijojnë një atmosferë të qetë. Në të vërtetë, përjetojmë një atmosferë të rëndë. Nëse lexojmë shtypin, vërejmë sulme, ndoshta, të arsyetuara pak, të menduara pak, tepër emotive, për të mos thënë histerike. Një fjalë e urtë thotë: Zoti di të shkruajë drejt edhe mbi vija të shtrembëra. Sigurisht, nuk besoj se janë sulme me qëllim të mirë. Janë sulme kundër Kishës. Mund të shndërrohen në diçka të mirë, nëse do të dimë t’i presim me atë frymë kthimi në Ungjill, që na e kërkon Zoti. Unë do të përpiqesha të kap pikërisht këtë aspekt, sepse të gjithë e gjithnjë kemi nevojë për t’u kthyer në rrugën e Zotit.

Të dielën në Lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa Françesku theksoi se do të vijojë reformat. A ka pengesa në këtë rrugë? A ka rezistencë?

T’i ndryshosh gjërat është gjithmonë e vështirë, sepse të gjithë tundohemi të ecim përpara me qetësinë e rutinës së përditshme. Në këtë kuptim, duhet t’i kapërcejmë këto lloj kundërshtish. T’i quash fiziologjike është si tepër pak, t’i quash patologjike, është pak si tepër. Janë kundërshti të pranishme. Besoj se është e rëndësishme të përballohen në mënyrë konstruktive, që të mund të transformohen. Mendoj se ky është çelësi për interpretimin e këtyre ngjarjeve: shndërrimi i atyre, që mund të jenë rezistenca normale ndaj ndryshimeve, në mjete reformimi. E të gjithë dëshirojnë përmirësime. Ato përmirësime, që vetë Papa ia ka kërkuar Kuries.

Një koment për vizitën e Papës në Firence… Ndër të tjera, Ati i Shenjtë tha: Zoti e shpëtoftë Kishën nga pushteti e nga pasuria…

Më duket se këto fjalë të Atit të Shenjtë janë koment për atë pjesë të Ungjillit, ku Jezusi thotë: o Zoti, o mamona. Nuk mund të bëjmë kompromis. Duhet të zgjedhim Zotin e të mos joshemi nga realitete të tjera, që mund të kenë aftësinë për ta tërhequr zemrën e njeriut. E siç na mëson gjithmonë Kisha, t’i vëmë të mirat e kësaj bote në shërbim të vlerave të vërteta dhe të qëllimeve, për të cilat ekziston vetë Kisha; t’i vëmë në shërbim të misionit të saj.








All the contents on this site are copyrighted ©.