2015-11-10 10:24:00

Papa në Prato takon botën e punës: të luftohet kanceri i korrupsionit


Papa Françesku mbërriti sot paradite në Prato, në vizitën njëditore, që do ta çojë edhe në Firence për Kuvendin Kishtar Italian me temë “Në Jezu Krishtin, humanizmi i ri”. Me të mbërritur në Prato, qytet me një numër të madh të huajsh, sidomos kinezë, që kanë këtu fabrikat e tyre, Ati i Shenjtë i foli botës së punës, duke u nisur nga një relike e krishterë, për të cilën është i famshëm ky vend. E duke përdorur tre imazhe ungjillore, kërkoi “të luftohet deri në fund kanceri i korrupsionit dhe helmi i paligjshmërisë”. Ati i Shenjtë kujtoi edhe punëtorët kinezë, që u dogjën të gjallë nga zjarri i rënë në kapanonet, ku jetonin e punonin në kushte çnjerëzore.

Shoka e Zojës

         “Shoka e Zojës” (Brezi i Zojës) ruhet në Duomon e Pratos e Ati i Shenjtë mundi të lutej e ta nderonte, sapo shkeli në qytet. Pastaj, e bazoi pikërisht në kuptimin, që ka ky brez, por edhe në Fjalën e Zotit të liturgjisë së sotme, krejt fjalën e tij për punëtorët pratezë, për të cilët, ashtu si për gjithë “qytetin e Marisë” – siç quhet Prato – Shoka është shenjë bekimi hyjnor. Papa kujtoi të gjitha ato situata ungjillore, ku përmendet brezi. Vuri në dukje udhën e shëlbimit nisur nga Populli i Izraelit. Para se ta lironte nga skllavëria e Egjiptit, Zoti u kërkoi izraelitëve të hanë darkën e Pashkëve “me ije të ngjeshura” (Dal 12,11), pra me ije të lidhura me brez. Kjo do të thotë të jemi gati, nënvizoi Ati i Shenjtë, të përgatitemi për t’u nisur, për të dalë në rrugë. Ftesë, që Hyji na e drejton edhe sot:

         “Na kërkohet të dalim për t’u afruar me burrat e gratë e kohës sonë. Sigurisht, të dalësh do të thotë edhe të rrezikosh, por nuk ka fe pa rrezik. Një fe, që mendon vetëm për vete dhe rri mbyllur në shtëpi nuk i qëndron besnike ftesës së Zotit, që i thërret të vetët të marrin iniciativën e të përfshihen [në jetën e të tjerëve], pa frikë”.

Lidhni pakte të vërteta afërsie

         Shndërrimet e vrullshme të viteve të fundit, vijoi Papa Françesku, nganjëherë, na bëjnë ta humbasim guximin e të fshihemi në qoshen e sigurtë, që kemi krijuar gjatë viteve, por Zoti dëshiron të rilindë brenda nesh pasioni misionar. Hyji i kërkon Kishës së vet të ecë në shtigjet plot kurthe të botës së sotme për të ndihmuar ata, që e kanë humbur rrugën; për të ngritur tenda shprese; për t’u kujdesur për ata, të cilëve jeta u ka hapur plagë aq të thella, saqë s’presin më asgjë prej saj. Shoka e Zojës, përdori Papa imazhin tjetër nga Ungjilli, na kujton Jezusin, që shtrëngoi rrobat në ije e, si shërbëtor, u lau këmbët dishepujve (Gjn 13,4; Lk 12,37). Shembull për t’u ndjekur edhe sot, duke e kundërshtuar kulturën e indiferencës e të hedhurinave, sepse asnjë i afërm nuk mund të bëhet i largët, nënvizoi Ati i Shenjtë:

         “Në kohë të karakterizuara nga pasiguri e frikë, janë të lavdërueshme nismat tuaja në mbështetje të më të brishtëve dhe të familjeve, të cilat, impenjoheni ‘t’i birësoni’. …Mos u dorëzoni para atyre, që duken gjendje të vështira bashkëjetese; frymëzohuni gjithnjë nga dëshira për të krijuar ‘pakte të vërteta afërsie’”.

Shenjtëria e çdo njeriu kërkon punë të denjë

         E sugjestioni i tretë i Papës Françesku u nis nga armatura, që Shën Pali u propozon të krishterëve, armatura e Zotit. Apostulli i Popujve u thotë të vishen me virtytet e nevojshme për të përballuar armiqtë e vërtetë, të cilët nuk janë kurrë të tjerët, por “shpirtrat e së keqes”. Në vend të parë të kësaj armature ideale duket e vërteta: “ngjeshini ijet me të vërtetën”, shkruan Apostulli (Ef 6,14). E Papa:

         “Nuk mund të bazohet asgjë e re mbi komplotet e gënjeshtrës dhe mbi mungesën e transparencës. Të kërkosh e të zgjedhësh gjithnjë të vërtetën nuk është e lehtë; por është vendim jetësor, që duhet të ndikojë thellë në ekzistencën e secilit e në shoqëri, që ajo të jetë më e drejtë e më e ndershme. Shenjtëria e çdo njeriu kërkon respekt për secilin, mikpritje dhe punë të denjë”.

Tragjedia e shfrytëzimit të kinezëve

         E menjëherë, Ati i Shenjtë kujtoi pesë burra e dy gra kineze, që humbën jetën dy vjet më parë, për shkak të zjarrit në një nga kapanonet e fabrikave të tyre në Prato. Papa përshkroi vendin ku flinin, një skutë e ndarë me karton, me shtretër njëri sipër tjetrit, për të shfrytëzuar sa më shumë e sa më mirë hapësirën e vogël:

         “Është tragjedia e shfrytëzimit dhe e kushteve çnjerëzore të jetës! E kjo nuk është punë e denjë! Jeta e çdo bashkësie kërkon të luftohet deri në fund kanceri i korrupsionit dhe helmi i paligjshmërisë. Brenda nesh e së bashku me të tjerët, të mos lodhemi kurrë së luftuari për të vërtetën e drejtësinë!”.

         Së fundi, Ati i Shenjtë u bëri thirrje të rinjve të mos bien pre e pesimizmit dhe të mos e lëshojnë kurrë veten. Të gjithëve u këshilloi që, nëse ndihen të lodhur e të këputur nga rrethanat e jetës, t’ia besojnë vetveten Zojës, e cila, me lutje e dashuri, në heshtje, e shndërroi të shtunën e zhgënjimit në agimin e Ringjalljes. E vetmja, që na çon te Krishti, i cili mbjell në zemra shpresën, që nuk zhgënjen kurrë.








All the contents on this site are copyrighted ©.