2015-11-10 13:09:00

Mijëra të krishterë në ikje nga Isis. “Nuk duam një Genocid tjetër!”.


Mijëra të krishterë ikin për të shpëtuar nga dhuna e Shtetit Islamik. Dramatik, përshkrimi, që bën për Fondacionin “Ndihmë Kishës që Vuan” (ACS), kryeipeshkvi siro-ortodoks i Homsit, Selwanos Boutros Alnemeh. Prelati njofton se që më 31 tetor,  deri më sot, qyteza e krishterë e Sadadit  sulmohet nga forcat e Isis, ndërsa fshati i afërt Maheen ka rënë tashmë në dorë të xhihadistëve.

Nga frika e përparimit të përkrahësve të al Baghdadit, më se 15 mijë njerëz kanë ikur nga qyteza e krishterë dhe nga qendra al-Hafar, për të kërkuar strehë në Homs, Zaidal e Fairouzeh. “Pavarësisht nga prania e ushtrisë siriane, Sadadi është në rrezik e druhemi se Isis do ta pushtojë qytetin. Nëse  do të ndodhte kështu, Siria do të humbiste një nga qendrat e saj më të rëndësishme të krishtera, pohon kryeipeshkvi, e më pas kujton se Sadadi vijon të jetë teatër i një sulmi tragjik që në tetor 2013, kur një koalicion xhihadist, në të cilin bënin pjesë edhe njerëz të Shtetit Islamik, vrau 45 të krishterë, duke i kallur trupat e tyre në varre të përbashkëta. Fundamentalistët  rrënuan edhe shumë kisha  e banesa të krishterësh.

Atë Luka Awad, që merret me emergjencat humanitare të dioqezës siro-katolike të Homsit, duke u folur përfaqësuesve të Ndihmë për Kishën që Vuan, kujton se shumica e njerëzve të ikur nga Sadad këto ditë, nuk pati kohë të merrte asgjë me vete: “Po bëjmë ç’është e mundur për t’i ndihmuar. Tani angazhimi kryesor është t’u gjejmë një vend dinjitoz, ku të mund të jetojnë. Natyrisht mundësitë tona janë të kufizuara, por falë mbështetjes   nga “Ndihmë për Kishën që Vuan”, jemi në gjendje t’u sigurojmë asistencën humanitare dhe të shpërndajmë ushqime e  veshmbathje.

Mbetet shqetësimi i madh për vijimin e luftimeve e të përparimit të Isis, Atë Luka njofton se Sadad ka rëndësi të madhe strategjike për njerëzit e Shtetit Islamik, sepse ndodhet mbi rrugën e Homsit e Damaskut e do t’u krijonte mundësinë të kontrollonin trafikun ndërmjet dy qyteteve. E, në se arrijnë ta pushtojnë, do t’i afroheshin Homsit dhe zonës së pasur me naftë:

“Përveç arsyeve ekonomike, fundamentalistët e duan Sadadin, sepse është qendër e krishterë, vend ku njerëzit vijojnë të flasin gjuhën aramaike, gjuhë e Jezu Krishtit! Kur sulmuan Qaryatayn, paralajmëruan se do t’i vrisnin të gjithë të krishterët e Sadadit. E nëse qyteza do të binte në dorë të ekstremistëve, një pjesë tepër domethënëse e trashëgimisë së krishterë të Sirisë do të humbiste përgjithmonë!”.

E edhe për këtë arsye atë Luka i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare që t’i japë fund konfliktit e ta mbrojë bashkësinë e krishterë:

“Njëqind vjet më parë, në vitin 1915, pësuam një genocid. Sot, në shekullin XXI , nuk duam të përsëritet!”.

Kujtojmë se që nga fillimi i krizës në Siri, Ndihmë për Kishën që Vuan ka dhuruar më se 8 milion e 600 mijë euro për projekte të asistencës humanitare e për veprimtarinë baritore në vend.








All the contents on this site are copyrighted ©.