2015-11-09 12:15:00

Në Prato e Firence pritet me gëzim Papa Françesku


Papa Françesku do të vizitojë nesër Firencen, me rastin e Kuvendit Kishtar Kombëtar italian. Para se të ndalet në qytetin e njohur toskan, Ati i Shenjtë do të shkojë në Prato, ku do t’i flasë botës së punës. Në të dyja vendet, udhëtimi njëditor i Papës, i pasur me takime të rëndësishme, pritet me gëzim e padurim.

 “Të gjithë e presin si atë”, tha këto ditë kryeipeshkvi i Firences, kardinali Giuseppe Betori, në mikrofonin e Radio Vatikanit. Poster, numra të veçantë të gazetave lokale dhe lloj-lloj objektesh, që, njëfarësoj, kanë të bëjnë me Papën Françesku, janë vendosur gjithandej, nëpër faqet e mureve, në vitrinat e dyqaneve e në pikat për shitjen e gazetave, në të gjithë qytetin, sidomos në qendrën historike të tij, ku mbizotëron këmbanorja e Giotto-s. Në Firence, njerëzit – e jo vetëm besimtarët – vlerësojnë veçanërisht faktin që Papa, pavarësisht se mbërrin në qytet për Kuvendin Kishtar Kombëtar, gjen edhe disa orë kohë për të takuar popullsinë e sidomos, nevojtarët.

 Vërtet, pasdite, mijëra njerëz do të mbushin plot stadiumin Franchi për meshën me Atin e Shenjtë, ndërsa paradite – pas fjalimit për pjesëmarrësit në Kuvend, në katedralen e Zojës së Lules – Papa do të jetojë dy çaste me ata të fundëm të shoqërisë, që janë të parët në zemrën e Ipeshkvit të Romës. Në Bazilikën e Zojës Nunciatë, Ati i Shenjtë do ta lusë Virëgjërën Shenjte së bashku me një grup të sëmurësh, ndërsa më vonë, do të drekojë me të varfërit, në mensën e Karitasit të Shën Françeskut të Vobektë.

 Ditë e ngjeshur me veprimtari pra, ajo që e pret Papën në Firence, në djepin e humanizmit, ku Ati i Shenjtë ka vendosur të shkojë nga “periferia”, pra nga Prato. Këtu, herët në mëngjes, Papa do të takojë botën e punës, e cila karakterizohet nga një përmasë e fortë shumetnike. Vërtet, në Prato, jetojnë e punojnë në fabrikat e tyre së paku 30 mijë kinezë, që janë etnia mbizotëruese ndër të huajt. Pas fjalëve të fuqishme, që u drejtoi të shtunën e kaluar, drejtuesve dhe punonjësve të INPS-it (Instituti Italian i Sigurimeve Shoqërore), në Prato pritet që Ati i Shenjtë ta ngrejë edhe më shumë zërin në favor të të drejtave të punëtorëve.

Kujtojmë se Kuvendi i Kishës Italiane në Firence ka për temë “Në Jezu Krishtin, humanizmi i ri”. Në të do të diskutohet mbi karakteristikat kulturore e shoqërore të kohës sonë dhe mbi ndikimin e tyre në mendësinë e në zakonet e njerëzve. Sidomos do të reflektohet mbi çrrënjosjen e disa vlerave e parimeve themelore për jetën personale, familjare e shoqërore.








All the contents on this site are copyrighted ©.