2015-11-09 16:17:00

Kisha në Irak: protestë ndaj ligjit mbi islamizimin e të miturve


Nesër, më 10 nëntor, në hapësirën para Kishës së Shën Gjergjit në Baghdad, do të mbahet manifestimi i thirrur nga patriarku kaldej Louis Raphael I Sako, për të protestuar kundër ligjit që vendos kalimin automatikisht në fenë islame të të miturve kur edhe vetëm njëri prej dy prindërve konvertohet në islam. Në manifestim - njofton agjencia Fides - përveç pranisë të të krishterëve të komuniteteve të ndryshme, do të marrin pjesë edhe militantë të partive të ndryshme politike, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile e grupe që  u përkasin komuniteteve të ndryshme fetare të yazidëve, të mandejëve e të sabejëve.

Në një deklaratë, përhapur nga kanalet zyrtare të Partiarkanës Kaljdeje, patrikut Louis Raèhael I ripohon se ligji mbi islamizimin e të miturve përbënë një shkelje dhe cenim të bashkimit ndërmjet komponentëve të ndryshme të popullit irakian. Në deklaratën e tij, primati i Kishës kaldeje bënë të ditur se një ligj i tillë juridik shkel artikujt e Kushtetutës së Irakut që mbron qytetarët nga çdo diskriminim, e kundërshton mësimet e Kuranit, në të cilin shpallet se në fe nuk mund të ketë detyrim. Patriarku i bënë thirrje Presidentit irakian Fuad Masum, që ligji të ndryshohet në Parlament e të korrigjohen pjesët që e bëjnë diskriminues. Në rast të kundërt – tërheq vëmendjen Patriarku kajdej –gjithçka është gati për një apel për gjykatat dhe instancat ndërkombëtare që mbrojnë të drejtat njerëzore.

Më 27 tetorin e kaluar Parlamenti i Irakut e ka refuzuar me mazhorancë të madhe propozimin e ndryshimit të ligjit, paraqitur nga përfaqësuesit e krishterë, e mbështetur nga parlamentarët e partive të ndryshme. Në atë propozim, kërkohet që në paragrafin e ligjit të diskutueshëm që ka të bëjë me të miturit të shtohet një frazë, më qëllim që të ripohohet se në rastin e konvertimit në islam të një prindi, të miturit të mbesin në fenë e origjinës, së cilës i përkasin deri në moshën 18 vjeçare, për të zgjedhur pastaj se cilës fe duan t’i përkasin në liri e ndërgjegje të plotë.








All the contents on this site are copyrighted ©.