2015-11-09 14:06:00

Akademia Papnore e Shkencave: informacioni të mos kthehet në kaos


Do të zhvillohet më 17 e 18 nëntor, në Romë, një seminar i organizuar nga Akademia Papnore e Shekncave, me temë “Big Data dhe shkencat”. Por ç’është Big Data? Një nga aspektet e veçanta të punës kërkimore-shkencore bashkohore është volumi i jashtëzakonshëm i të dhënave (Big Data), që shpesh nuk mund t’i nënshtrohet aftësisë për analizim dhe interpretim të mjeteve ekzistuese. Si shembull për këtë mund të na shërbejë genomia, ajo degë e biologjisë molekulare, që studion genomën e organizmave të gjalla. Të dhënat për t’u analizuar janë kaq shumë, saqë shpesh, nuk lejojnë nxjerrjen e një konkluzioni. Prandaj, përdorimi i metodologjive më të përparuara për administrimin e të dhënave ka rëndësi të madhe në çuarjen deri në fund të një pune kërkimore-shkencore.

 Gjatë viteve të fundit, janë bërë hapa të mëdha përpara në shkencat kompjuterike. Ato, jo vetëm e kanë lehtësuar konsultimin e të dhënave të reja në të gjitha fushat kërkimore, por kanë sjellë edhe trajtimin më të frytshëm të informacionit. Këto risi ndikojnë fuqishëm në botën shkencore, duke shtuar projektet e bashkëpunimit.

Gjatë seminarit të Akademisë Papnore të Shekncave nuk do të shqyrtohen të gjitha fushat, ku ka rëndësi administrimi më i mirë i të dhënave, por do të paraqiten shembuj për t’u ndjekur, kryesisht në fushën e shkencave të jetës, të tokës dhe në astrofizikë. Urohet që shtimi i mundësisë për të shkëmbyer informacionin të sjellë edhe raste të reja pune kërkimore ndërdisiplinore. Kështu, me kontributin e të gjithëve, Big Data (pra, mundësia për të pasur në dispozicion të dhëna të shumta për çdo argument) të mos kthehet në kaos (pra, në pamundësi për t’i kataloguar e për t’i studiuar).








All the contents on this site are copyrighted ©.